Kosova aplikon zyrtarisht për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19

Shteti i Kosovës tashmë zyrtarisht ka aplikuar për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19. Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, njoftoi se nënshkroi aplikimin për sigurimin e vaksinës. Zemaj u shpreh se nënshkrimi nuk nënkupton që Kosova nuk do të shfrytëzojë edhe rrugë të tjera për të siguruar vaksina shtesë.

 

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, bëri të ditur se sot nënshkroi aplikimin zyrtar për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19 në aleancën globale GAVI-COVAX.

Zemaj, mes të tjerash, njoftoi se aplikimin për asistencë teknike lidhur me këto vaksina e kanë bërë ditë më parë, nëpërmjet Ekipit të ekspertëve, të themeluar nga vetë ministri me qëllim sigurimin e vaksinës.

“Kam nënshkruar sot aplikimin zyrtar për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19 në aleancën globale GAVI-COVAX, ndërsa aplikimin për asistencë teknike lidhur me këto vaksina, e kemi bërë ditë më parë, përmes Ekipit të ekspertëve, të themeluar nga unë, me qëllim të sigurimit të kësaj vaksine. Aplikimi zyrtar në GAVI-COVAX nuk do të thotë se Kosova nuk do të shfrytëzojë edhe rrugë të tjera për të siguruar vaksina shtesë, sipas nevojës, përtej shifrës së 20% të vaksinave që do merren falas (apo rreth 360 mijë vaksina) nga COVAX, me që synimi është që të imunizohen kategoritë më të ekspozuara dhe rrezikuara nga COVID-19”, thotë ai.

Në një shkrim në Facebook, Zemaj thotë se do të vaksinohen grupet e popullatës më të rrezikuar nga COVID 19.

“Synimi ynë është që t’i vaksinojmë të gjitha grupet e popullatës më të ekspozuara dhe rrezikuara nga COVID-19, siç janë nëpunësit shëndetësorë, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, personeli i shërbimeve të angazhuara në menaxhimin e situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19…, por pa përjashtuar asnjë kategori që duhet të vaksinohet kundër COVID-19, duke përmbushur obligimin ligjor”.

Zemaj ka thënë se Ministria e Shëndetësisë, që para disa muajve ka vendosur kontakte me GAVI-COVAX.

“Të vetëdijshëm se sigurimi i vaksinave përbën një obligim për ruajtjen e shëndetit publik të popullatës, Ministria e Shëndetësisë, qysh para disa muajve kishte vendosur kontakte me GAVI-COVAX, me qëllim që të sigurojmë vaksinën për qytetarët tanë. Për fat të mirë, Kosova është e listuar në mesin e shteteve që 20% të vaksinës kundër COVID-19 do ta marrin falas përmes aleancës globale GAVI-COVAX, ndërsa pjesën tjetër do ta blejë vetë”, ka thënë ai.

Kosova bën pjesë në mesin e shteteve që 20% të vaksinës kundër COVID-19 do ta marrin falas përmes aleancës globale GAVI-COVAX, derisa pjesën tjetër do ta blejë vet.

Leave a Comment

Your email address will not be published.