Kosova e ’19’s: Një vit ushtri

Forca e Sigurisë së Kosovës e ka mbyllur vitin e parë të tranzicionit drejt shndërrimit në ushtri.

Një vit pasi Kuvendi i Kosovës i dha mandat ushtarak, Forca e Sigurisë së Kosovës tashmë e ka themeluar Shtabin e Përgjithshëm të saj.

Derisa Ministria është në përfundim të fazës së tranzicionit në Ministri të Mbrojtjes dhe në përgjithësi sipas zyrtarëve të saj, tashmë Ministria dhe Forca kanë kapacitete administrative, politike dhe operacionale që u përgjigjet kërkesave dhe detyrimeve ligjore. 

Gjithashtu, janë themeluar katër komandat kryesore të saj.

Por, trupat e saj dëshmuan përkushtim e profesionalizëm në operacionin e parë jashtë vendit pas marrjes së mandatit ushtarak, atë në Shqipëri.

Kontingjenti i përbërë nga njësitë e Kërkim-Shpëtimit, ajo për Operacione Civile, e Mjekësisë, Policia Ushtarake dhe ajo e Komunikimit, për 3 ditë kanë ndihmuar ushtrinë shqiptare në gjetjen e të mbijetuarve dhe të vdekurve nën rrënojat e ndërtesave të shembura pas tërmetit, raporton KTV.

Por, vëmendje të posaçëm mori qeni i quajtur Sadak, qeni hero i cili bëri të mundur shpëtimin e një personi në Thumanë, e po ashtu gjeti dhe persona të pajetë nën rrënoja para policëve e zjarrfikësve.

Për kontributin e tyre, ata u dekoruan me medalje nga Presidenti shqiptar, Ilir Meta. 

Një vit pas, bëhet e ditur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të udhëheqin procedurat e prokurimit për shumicën e blerjeve të mjeteve ushtarake për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

150 milionë euro parashihet të kushtojë ndërtimi i Njësisë Ajrore të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe procedurat për të do të bëhen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, ka treguar për dy projekte që kapin vlerën e 200 milionë eurove, do të mbështeten nga SHBA-ja me një participim edhe nga Kosova.

Përveç kësaj, edhe investimet në njësinë për mbrojtjen kibernetike do të bëhen në partneritet me amerikanët, projekt ky që do të kushtojë më shumë se 40 milionë euro. 

Ndërkaq bazuar në një vendim të Qeverisë Haradinaj, Aeroporti i Gjakovës do të jetë nën menaxhimin e Ministrisë së Mbrojtjes, në mënyrë që për çfarëdo lloj zhvillimi të kapaciteteve, ushtria të ketë edhe hapësirat e nevojshme.

FSK-ja i ka mbyllur objektivat e saj për 2019, porse më 2020 sfida kryesore do të jetë buxheti i vogël.

Leave a Comment

Your email address will not be published.