Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës njoftoi të dielën se ambasada e Kosovës në Jerusalem është hapur të shtunën. Pllaka e ambasadës është zbuluar nga ministri i Jashëm i Izraelit, Gabriel Ashkenazi, bashkë me të Ngarkuarën me Punë të Kosovës në Izrael, Ines Demiri.
“Në pamundësi për të qenë prezentë në Jerusalem, përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, për shkak të situatës pandemike, Ministria e Punëve të Jashtme ka udhëzuar të Ngarkuarën me Punë në Izrael që pllakën e zbuluar nga ministri (i Jashëm i Izraelit, Gabriel) Ashkenazi, bashkë me flamurin shtetëror, ta vendosë në objektin e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem”, thuhet në njoftim.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës konfirmon se vendimi për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem bazohet në marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës e Serbisë, në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington.
“Bazuar në Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 shtatorit 2020, ku zyrtarizohet njohja e ndërsjellë mes Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit dhe Zotimit të Qeverisë së Kosovës ndaj Qeverisë izraelite dhe Administratës amerikane dhe veprimet që janë ndërmarrë nga 1 shkurti, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ju njofton se tashmë është hapur edhe zyrtarisht Ambasada e Kosovës në Shtetin e Izraelit, me seli në Jeruzalem“, thuhet në njoftimin e ministrisë.
“Vendosja e pllakës dhe flamurit shtetëror në Ambasadën e Kosovës në Izrael reflekton përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të përmbushur zotimin e dhënë për vendosjen e misionit diplomatik në Jeruzalem“, thuhet më tutje në njoftim.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës vlerëson se Kosova, me hapjen e ambasadës së saj në Jerusalem, e ka përmbushur zotimin e dhënë më 1 shkurt, kur të dyja shtetet vendosën marrëdhënie diplomatike.
Hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem u parapa në Marrëveshjen e 4 shtatorit, kur Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.
Në dokumentin e nënshkruar nga ish-presidenti amerikan Donald Trump, në njërën anë, dhe nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në anën tjetër, parashihej njohja e ndërsjellë mes Izraelit e Kosovës, hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem dhe zhvendosja e ambasadës së Serbisë nga Tel Avivi në Jerusalem, gjë që nuk ka ndodhur ende.
Hapjen e Amasadës së Kosovës në Jerusalem e ka kundërshtuar Bashkimi Evropian. Më 2 shkurt, BE-ja e quajti vendim fatkeq hapjen e kësaj ambasade në qytetin e Jerusalemit, statusin e të cilit, blloku evropian e konsideron të pazgjidhur.
Kundër hapjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem janë shprehur edhe Turqia, Liga Arabe dhe, natyrisht, autoriteti palesynez
Liga Arabe i ka bërë thirrje Kosovës që të heqë dorë nga ky vendim dhe t’u përmbahet rezolutave ndërkombëtare mbi Jerusalemin.
(r.m.)