Tema kryesore e këtyre ditëve të fundit janë pa mëdyshme vërshimet nga shiu i rrëmbyeshëm që ka rënë anë e mbanë Kosovës. Këto vërshime kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale në vendin me ekonominë të goditur rëndë edhe nga pandemia e Covid-19.
Nëse viti i mirë shihet në ditët e para të tij, atëherë Kosova do t’i ketë punët keq edhe më 2021. Të shpresojmë që jo! Sidoqoftë, prej të premtes, 8 janar, në Kosovë pati reshje të rënda shiu, e bore, që shkaktuan vërshime të një shkalle të paparë që nga paslufta.
Një rrugë e asfaltuar në prillin e vitit të kaluar në Malishevë u bë virale në Facebook, me asfaltin e ri që ishte prishur krejtësisht në segmente të caktuara.
Malisheva është ndër komunat të cilat ndodhen në gjendje të rëndë si pasojë e vërshimeve të shkaktuara nra shiu që po bie pa ndalë këto ditë në Kosovë, njofton Insajderi.
Shtabi emergjent në këtë komunë vlerëson se gjendja është tepër e rënduar dhe se janë shkaktuar dëme të mëdha.
Në një njoftim për media, ata bëjnë të ditur se ka kërkesa për avakuim dhe strehim të përkohshëm të banorëve.
“Disa rrugë dhe ura janë mbuluar nga uji, ndërsa ka dëme të konsiderueshme në sektorin e biznesit privat, pasi uji ka depërtuar në disa lokale afariste në qytetin e Malishevës dhe në vendbanime tjera, e po ashtu uji ka depërtuar edhe në disa shtëpi private.
Si rezultat i kësaj situate, ka kërkesa për evakuime dhe strehim të përkohshëm të familjeve”, thuhet në komunikatën e komunës.
Tutje, bëhet e ditur se ekipet emergjente e të sigurisë janë aty, ashtu si edhe janë mobilizuar vullnetarët.
Të rënda ishin pamjet edhe në qytetin e Fushë Kosovës, që vuan tash e sa kohë nga mbi-popullimi, dhe ku niveli i ujit e bënte të dukej si një farë Venediku josimpatik.
Si shkak i këtyre vërshimeve është bllokuar edhe rruga në fshatin Korreticë e Epërme e Komunës së Drenasit, e cila rrugë të shpien në drejtim të Prishtinës. Si pasojë e nivelit të ujit, kjo rrugë është bërë e pakalueshme.
Veturat të cilat janë nisur në drejtim të Prishtinës duhet të ndërrojnë rrugë për të hyrë në kryeqytet. Ndërsa, uji ka vërshuar edhe disa biznese në Komunën e Drenasit Si rrugë alternative po përdoret rruga Magure-Lipjan
Ndërkohë, së fundi është raportuar edhe për një urë të rrëzuar në një fshat të Kamenicës të quajtur Hajnoc. Kjo prishje ure kishte shkaktuar bllokimin e një rruge dhe izolimin e banorëve të dy fshatrave.
Por, nuk përfundon me kaq. Vërshimet kanë shkaktuar fatkeqësisht edhe rrëshqitje dheu në Gjilan.
“Në pjesën Gjilani 2, në disa pjesë për shkak të reshjeve të shiut ka erodime dhe rrëshqitje të dheut (Rr.Shpashnice e Eperme -Desivojce Kilometri 55-60), por që është intervenuar.” – shkruhet nga Ministria e Infrastrukturës.