Kosova, edhe pa mjekë

Sipas anketës së fuqisë punëtore, e cila ishte publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, dy të tretat e popullësisë në vend gjatë vitit 2018 kanë qenë të papunë. Një papunësi e lartë është vlerësuar të jetë edhe gjatë këtij viti e kjo edhe si rrjedhojë e moskualifikimit të qytetarëve për shumë punë, shkruan sot Gazeta “Zëri”. 

Gjatë këtij viti drejtorë të institucioneve publike shëndetësore vazhdimisht kanë shprehur nevojën për punësimin e më shumë mjekëve.

Derisa shumë mjekë viteve të fundit janë larguar në shtetet e Bashkimit Evropian, shumë të tjerë vazhdojnë të jenë të papunë në vend, ndonëse Qendra Klinike Universitare e Kosovës, si dhe spitalet rajonale kanë mungesë të tyre.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka thënë për “Zërin” se vetëm në Mjekësinë Familjare mungojnë rreth 200 mjekë, derisa edhe në degë të tjera ka mungesë të tyre.

“Ne kemi mungesë për mjekë familjarë, pra janë afër 200 mjekë në mungesë në mjekësinë primare. Pastaj 200 anesteziologë dhe disa në degë tjera”, ka thënë ai për “Zërin”.

Syla ka përmendur edhe mënyrën se si janë ndarë specializimet deri tani, ku siç ka thënë, për shkak të ndarjeve në baza politike disa reparte në spitalet rajonale rrezikojnë të mbyllen.

Leave a Comment

Your email address will not be published.