Kosova feston 14 vjetorin e Pavarësisë

Kosova feston sot ditëlindjen e 14-të. Të dielën e 17 shkurtit të vitit 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Kosovës u lexua Deklarata e Pavarësisë dhe Kosova u shpall e pavarur derisa në Ballkan u konfirmua edhe një shtet i ri. Deri më tash Kosovën e kanë njohur 117 shtete. Vendi i fundit që e njohu Kosovën është Izraeli.

 

Sot në përvjetorin e 14 të Pavarësisë së Kosovës është bërë ngritja solemne e flamurit të Republikës së Kosovës, ku të pranishëm ishin presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti.

Presidentja Vjosa Osmani uroi qytetarët e Kosovës për 14-vjetorin e pavarësisë, ndërsa tha se kjo ditë shënon arritjen më kulminante të popullit të Kosovës në historinë e saj.

“Edhe këtë ditë dua të shfrytëzoj për t’i falënderuar dhe nderuar të gjithë ata që kanë dhënë gjithçka që ne ta gëzojmë shtetin që e kemi, duke filluar nga presidenti Ibrahim Rugova, që diti ta qartësojë vullnetin e popullit të Kosovës para botës dhe të krijoj miqësi që sot i gëzojmë, e duke vazhduar me mbi 3 mijë dëshmorë që flijuan jetë e tyre”, tha presidentja.

Ajo tha se sakrifica për shtetin ka qenë e madhe, me mbi 13 mijë civilë të vrarë, 20 mijë të mbijetuara të dhunës seksuale, mbi 130 mijë shtëpi të shkatërruara e mbi 1600 të zhdukur janë plagë akoma e hapur.

“Liria jonë do të plotë atë ditë kur do të ketë drejtësi, për të gjitha viktimat, atë ditë kur qytetari i fundit do të kthehet në republikën tonë, tek shteti i vet, tek familjet e tyre”, tha Osmani.

Presidentja tha se në këtë ditë festohen të arriturat e Republikës së Kosovës, duke shtuar se më 17 shkurt 2008 është përcaktuar fati ynë si shtet i pavarur dhe sovran.

“Megjithatë sfidat vazhdojnë… në këto sfida duhet të qëndrojmë të bashkuar se historia ka dëshmuar se vetëm kur jemi të unifikuar e të bashkuar rreth qëllimit për ta bërë Kosovën të suksesshëm që i del zot qytetarëve të vet, atëherë ne mund të kemi sukses”, tha ajo.

Kurse, kryeministri Albin Kurti tha se në këtë ditë duhet të kujtojmë ata që punuan dhe luftuan për pavarësinë e shtetit tonë.

“Teksa kremtojmë e festojmë, nuk kemi sesi të mos i kujtojmë ata të cilët punuan dhe luftuan për pavarësi, andaj nga kryeqyteti i Republikës, do të vazhdojmë për në kryeqendrën e kryengritjen e më pastaj në Prekaz, e më pastaj vizitë te varri i ish-presidentit Rugova dhe veprimtarit Adem Demaçit. I nderojmë të gjithë ata që punuan dhe luftuan, lanë gjurmë ta pashlyeshme për këtë ditë”.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Ligjshmëria e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës për një kohë ka qenë temë e diskutueshme. Serbia duke kundërshtuar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës kërkonte vlerësimin e vlefshmërisë ndërkombëtare dhe mbështetje për pozicionin e saj, gjoja se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte e paligjshme.

Në vazhdën e kësaj ecurie, në tetor të vitit 2008, Serbia kërkoi një opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë përmes një Vendimi Këshillëdhënës rikonfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës. Për vite me radhë qytetarët e Kosovës vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit, gjë e cila rezultoi më një Luftë Çlirimtare (1997-99). Pas përfundimit të Luftës Çlirimtare të Kosovës u bë edhe vendosja e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë.

Prej 13 qershorit të vitit 1999, kur forcat serbe u detyruan të largoheshin nga Kosova, ky vend administrohej nga Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara – UNMIK dhe Institucionet Vetëqeverisëse të Kosovës: Kuvendi, Presidenti dhe Qeveria.

Edhe pse Serbia nuk kishte kontroll mbi Kosovën, në rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit, disa herë përmendej se Kosova është protektorat i OKB-së, por juridikisht pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë.

Në nëntor të vitit 2005 nisi zyrtarisht procesi për statusin përfundimtar të Kosovës. Pas konsultimeve gjithëpërfshirëse, më 2 shkurt të vitit 2007 i dërguari special ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit te pavarur. Pasi u mbajtën disa raunde bisedimesh, Kosova u shpall e pavarur më 17 shkurt të vitit 2008.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte bërë nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, deputetët e Kuvendit të Kosovës, dhe Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, në mbledhjen e mbajtur në Prishtinë, më 17 shkurt të vitit 2008.

“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës”, thuhej në deklaratën e nënshkruar nga deputetët pjesëmarrës.

Deklarata e Pavarësisë së Kosovës u miratua në mënyrë unanime prej 109 deputetësh të pranishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës. Njëmbëdhjetë deputetë përfaqësues të pakicës serbe bojkotuan procedurën e votimit. Nëntë përfaqësues të pakicave tjera etnike ishin pjesë e kuorumit.

Pas një kërkese nga Rusia, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mbajti një sesion urgjent në pasditen e 17 shkurtit. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, lëshoi një deklaratë asnjanëse duke kërkuar nga të gjitha palët “të përmbahen nga çdo veprim i deklaratave që mund të rrezikojnë paqen, nxisin dhunën ose rrezikojnë sigurinë në Kosovë apo në rajon”.

Duke folur në emër të gjashtë vendeve – Belgjika, Kroacia, Franca, Gjermania, Italia dhe Shtetet e Bashkuara – ambasadori belg shprehu keqardhjen “se Këshilli i Sigurimit nuk mund të bjerë dakord për rrugën përpara, por ky bllokim ka qenë shumë i qartë për disa muaj. Ngjarjet e sotme përfaqësojnë përfundimin e një procesi të statusit që ka shteruar të gjitha rrugët në ndjekje të një rezultati të negociuar”

Më 18 shkurt 2008 presidenca e BE njoftoi se pas një dite bisedimesh të ashpra midis ministrave të jashtëm, që vendet anëtare ishin të lira të vendosnin individualisht nëse do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Shumica e shteteve anëtare të BE e kanë njohur Kosovën, por Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja vazhdojnë të mos e njohin.

Pak para Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Bashkimi Evropian aprovoi vendosjen e një misioni joushtarak 2,000 anëtarësh për Sundimin e Ligjit, “EULEX”, për të zhvilluar më tej sektorin e policisë dhe drejtësisë në Kosovë.

Të gjithë njëzet e shtatë vendet anëtare të Bashkimit Evropian miratuan mandatin e EULEX-it, duke përfshirë këtu edhe pakicën e pesë vendeve të BE që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Leave a Comment

Your email address will not be published.