Kosova fillon menaxhimin e Brezovicës

Pas 22 vitesh, Kosova më në fund ka arritur që të fillojë menaxhimin e qendrës së skijimit Brezovica. Teleferiku ka nisur të funksionojë, duke u zgjidhur problemi i cili i solli humbje të mëdha bizneseve atje.

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka njoftuar se ka filluar punën Ndërmarrja Shoqërore Brezovica. Është njoftuar se nga tani, edhe skiliftat janë lëshuar në operim dhe se do të vazhdojë operimi i rregullt i Brezovicës.

“Publiku ftohet që për çdo shërbim që pranojnë në këtë ndërmarrje të kërkojnë kuponin fiskal”.

Sipas njoftimit të AKP-së, thuhet se më 13 janar 2022 Bordi i Drejtorëve i AKP-së emëroi Bordin e ri të Përkohshëm Menaxhues për NSH Inex Sharr Planina Brezovicë, Shtërpce, në përbërje të gjashtë (6) anëtarëve. Kjo ndërmarrje me vendim të Bordit të Drejtorëve të AKP-së ishte vendosur më parë nën Administrim Direkt të AKP-së më 22 dhjetor 2020.

“Më 14 janar 2022 Menaxhmenti i AKP-së mbajti një mbledhje përmbajtësore me Bordin e Përkohshëm të Drejtorëve të NSH Inex Sharr Planina Brezovicë. Në këtë mbledhje, është biseduar për mbarëvajtjen e punëve në Brezovicë dhe është biseduar gjerësisht për obligimet e Bordit të Brezovicës për t’i përmbushur detyrat e tyre ligjore për funksionimin e tërësishëm të Brezovicës në bazë të ligjeve të Kosovës, duke përfshirë: Instalimin e arkave fiskale; Raportimin financiar e operativ në AKP; Deklarimin e rregullt të tatimeve te ATK si dhe zbatimin e ligjeve të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në takim u ra dakord që të fillohet sa më të shpejt sezoni i skijimit, të mbahet bashkëpunimi i mirëfilltë dhe të vazhdohet me aktivitetet e ndërmarrjes, me ç ‘rast i gjithë operimi i ndërmarrjes do të bëhet sipas infrastrukturës ligjore të Kosovës.

“Të gjithë anëtarët e Bordit te Brezovicës siguruan për bashkëpunimin e tyre, punën e mirë dhe respektimin e udhëzimeve të AKP-së dhe dispozitave ligjore të ligjeve të Kosovës. Publiku njoftohet se skiliftat janë lëshuar në operim në mëngjes më 16 janar 2022 dhe se do të vazhdoj operimi i rregullt i Brezovicës. Publiku ftohet që për çdo shërbim që pranojnë në këtë ndërmarrje të kërkojnë kuponin fiskal”.

Më parë kjo qendër u menaxhua nga strukturat paralele serbe, ku edhe të gjitha shërbimet janë kryer pa ndonjë kupon fiskal. Që nga përfundimi i luftës, Brezovica ka qenë një problem politik mes Kosovës dhe Serbisë. Ashtu sikur edhe për pasuritë tjera në Kosovë, shteti i Serbisë, vazhdon të ketë pretendime mbi pronësinë e kompleksit turistik në Brezovicë, i cili ndodhet në komunën e Shtërpcës me popullatë kryesisht serbe.

Përveç problemeve politike, Qeveria e Kosovës ka dështuar deri më tani që ta trajtojë Brezovicën edhe në aspektin ekonomik.  Investimet më të mëdha në Brezovicë ndodhën në vitet ‘70, në kohën e ish-Jugosllavisë.

Në vitet pasuese u ndërtuan hotelet, teleferikët dhe objekte të tjera të rëndësishme për operimin e këtij lokacioni turistik. Asnjë investim i madh në infrastrukturë nuk ka ndodhur për më shumë se tri dekada në këtë vend. Aktualisht, qendra e skijimit operon me kapacitete të kufizuara dhe me infrastrukturë të vjetruar. Në 20 vjetët e parë të ndërtimit të saj, qendra e skijimit në Brezovicë ishte ndër më të vizituarat në rajon./ Revista Monitor

Leave a Comment

Your email address will not be published.