Kosova në mes të idesë së ndryshimit të kufinjve dhe Asociacionit serb

Pas takimit të fundit në Bruksel më 27 shkurt, udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë kanë arritur një marrëveshje verbalisht për të pranuar planin evropian si një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Asociacioni i komunave me shumicë serbe, që ka qenë një temë e ndjeshme në bisedimet midis dy vendeve për vite të tëra, tashmë është shndërruar në një kërkesë të vazhdueshme të aleatëve ndërkombëtarë të Kosovës.

Për të arritur një konsensus të plotë në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, BE dhe Shtetet e Bashkuara kanë shtuar presionin dhe kanë inkurajuar dy vende që të vazhdojnë me ndërmjetësimin e BE-së dhe të nënshkruajnë planin evropian. Profesorët që janë marrur me dekada të tëra me çështjen e Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor në përgjithësi kanë mendime të ndryshme për Propozimin Evropian dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe, transmeton Nacionale.

Sa i përket rolit ndërmjetësues të bashkësisë ndërkombëtare në dialogun Kosovë-Serbi, Serwer tha se Kosovës po i ofrohet shumë pak. Ai vlerëson se Kosova duhet të ketë një pozicion më të fuqishëm në dialog dhe të kërkojë më shumë nga bashkësia ndërkombëtare, duke përfshirë dhe Shtetet e Bashkuara dhe BE-në.

“Kosovës po i ofrohet shumë pak me sa kuptoj unë dhe po ushtrohet shumë presion ndaj Kosovës, gjatë kësaj periudhe. Nuk e di se si do të funksionojë kjo. Dyshoj se mund të funksionojë mirë. Nuk është vetëm diplomaci e shëmtuar, është diplomaci e keqe. Ajo që duhet bërë, është që të përgatitet një propozim që Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe të zbatohet vetëm pas njohjes së Kosovës nga Serbia. Të përgatitet një propozim që përfshin garanci amerikane dhe evropiane, që ata i kanë ofruar në shkrimin e tyre (në mediat lokale), por nuk e kanë ofruar në dokumentin diplomatik.” – ka thënë Serwer.

Nga ana tjetër, James Ker-Lindsay, ekspert i gjeopolitikës së Ballkanit Perëndimor, ka një këndvështrim paksa të pazakontë në lidhje me Asociacionin. Ai ktheu në mendje idenë e urryer të Kurtit. Atë të shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ker-Lindsay ka thënë se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është mënyra më pak e dhimbshme që Kosova të arrijë një marrëveshje me Serbinë.

Ai, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka thënë se beson se alternativa e Asociacionit do të ishte ndryshimi i kufijve etnikë.

“Alternativa, dhe do të jem vërtet i sinqertë, është ndryshimi i kufijve etnikë, për të cilin është folur. Nëse Kosova nuk dëshiron ta pranojë këtë, atëherë gjëja më e mirë që mund të bëjë është të thotë se do t’i ruajmë kufijtë, por do t’u japim serbëve autonomi kuptimplotë. Dhe në këtë pikë më duhet të them se gjithnjë flitet se do të krijohet një tjetër Republikë Serbe. Kjo është e pakuptimtë. Republika Serbe është një model shumë i veçantë i autonomisë që u krijua në një situatë shumë të ndryshme ku serbët ishin një përqindje mjaft e madhe e popullsisë në Bosnje dhe u bë për të ndaluar një luftë shumë brutale. Askush, nuk flet për Republikë Serbe në Kosovë.” – ka thënë ai

Tutje, Ker-Lindsay ka deklaruar se nuk beson se propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është historik.

“Kushdo që e përshkruan këtë si një mundësi historike, dua të them që nuk është. Është fare qartë një leukoplast. Nuk po e zgjidh problemin themelor dhe është shumë, shumë zhgënjyes. E di që Bashkimi Evropian i ka duart e zëna me Ukrainën dhe e di se kjo është arsyeja pse dëshiron të përpiqet të bëjë disa ose të japë përshtypjen e një lëvizjeje për Serbinë dhe Kosovën. Por, a është me të vërtetë kjo më e mira që mund të arrijmë pas 15 vitesh? Dhjetë vjet më parë, Marrëveshja e Brukselit ishte shumë më e avancuar. Kjo nuk është duke ofruar asgjë me sa mund të shoh. Dhe mendoj se për të arritur një marrëveshje do të duhet trysni, pa dyshim.” ka deklaruar ai.

Paul Williams, profesor në Universitetin Amerikan në Uashington dhe ekspert në të drejtën ndërkombëtare, i cili është përfshirë me çështjen e Kosovës për disa dekada, ka një pikëpamje më të favorshme për Kosovën kur bëhet fjalë për zbatimin e marrëveshjeve që bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

Ai ka thënë se legjislacioni i Kosovës ka përparësi ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare. Sipas tij, nuk mund të kesh një marrëveshje ndërkombëtare nëse ajo nuk është në përputhje me ligjin kushtetues të shtetit.

“Legjislacioni i vendit ka përparësi ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare. Sigurisht, mund të kesh një marrëveshje ndërkombëtare, por ajo duhet të jetë në përputhje me ligjin kushtetues të shtetit. Por çka është më e rëndësishmja, marrëveshjet ndërkombëtare që diktojnë qeverisjen vendore në një nga shtetet (që nënshkruajnë marrëveshjen), është një anatemë e vërtetë (e papranueshme). Është shumë e pazakontë për një marrëveshje ndërkombëtare t’i japë shtetit fqinj të drejta dhe privilegje të veçanta në bazë të përkatësisë etnike të qytetarëve të shtetit tjetër.” – ka thënë Williams.

“Shpesh një shtet i fuqishëm ushtron presion mbi shtetin më të dobët për të marrë një ‘po’, për të arritur tek një marrëveshje. Dhe ushtrohet trysni ndaj miqve dhe aleatëve, edhe nëse ata janë më të dobët, sepse kjo është më e lehtë për t’u arritur sesa të ushtrosh presion ndaj një kundërshtari. Jam i befasuar që Shtetet e Bashkuara po e bëjnë një gjë të tillë, pasi nuk ka funksionuar në rastin e ish-Jugosllavisë, nuk ka funksionuar në aq shumë vende anembanë globit.” – ka thënë ai për Zërin e Amerikës, transmeton Nacionale

Leave a Comment

Your email address will not be published.