Kosova në terr, pas 10 vjetësh rikthehen reduktimet e energjisë

Reduktimet e energjisë elektrike në Kosovë do të rikthehen, kështu ka paralajmëruar KEDS-i. Reduktimet vijnë si pasojë e krizës elektroenergjetike botërore që ka prekur edhe Kosovën. Mungesa e rrymës për 2 orë brenda 24 orëve të ardhshme do të prekë të gjithë konsumatorët.

Të enjten, në Kosovë do të kthehen reduktimet e energjisë elektrike sikur në vitet e para të pasluftës.

Siç ka njoftuar operatori i shpërndarjes së rrymës në vend, KEDS, ky vendim ka ardhur për shkak të mbingarkesës së sistemit elektroenergjetik në vend ditëve të fundit.

“Gjatë ditëve të fundit, sistemi elektroenergjetik i vendit është mbingarkuar tej mase. Të njëjtën kohë, duke u ballafaquar me krizën më të rëndë elektroenergjetike botërore, Operatori i Tregut- KOSTT, duke u bazuar në ligjet në fuqi, ka udhëzuar që të fillohet me kufizime të energjisë elektrike. Këto kufizime do të jenë rreth dy orë dhe do të prekin të gjithë konsumatorët në kohë të ndryshme, përveç atyre emergjentë”, thuhet në njoftim.

Kjo situatë do të mbizotërojë gjatë 24 orëve të ardhshme, ku sipas KEDS-it, për ditët në vijim janë në pritje të instruksioneve nga KOSTT-i.

“Sistemi elektroenergjetik i vendit është afektuar tashmë komplet nga kriza botërore dhe pasojat e saj përballohen më lehtë, nëse secili nga ne jep kontributin e tij. Pra, që kriza të ketë ndikim sa më të vogël, KEDS apelon për kursim maksimal të energjisë elektrike dhe përdorim të formave alternative të ngrohjes, aty ku ka mundësi”.

Ditë më parë ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, u ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë ta kursejnë energjinë elektrike derisa vendi po përballet me krizë. Ajo ka thënë se si ministri janë në komunikim të vazhdueshëm me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut e veçanërisht me atë të Shqipërisë për të kërkuar mbështetje.

“Ne si ministri kemi bërë përpjekje që të bashkëpunojmë me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut dhe kam pasur kontakte me ta, për të parë mundësitë që ne të këmbejmë me këto dy shtet që ta kalojmë krizën. Ka qenë e vështirë se këto përballen me krizë shumë më herët se ne. KEK-u ka bërë maksimumin, Ministria e Mjedisit dhe ZRR-ja e ka trajtuar me prioritet licencimin e kapaciteteve të reja. Deri dje kemi qenë duke vepruar me parashikimet e Task-Forcës, mirëpo dje situata u përkeqësua dukshëm dhe ka qenë jashtë çdo parashikimi dhe është ndalur ngrohtorja e qytetit”, është shprehur Rizvanolli.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës do të ndajë shumën e nevojshme për mbulimin e importeve të energjisë dhe se do të bëhet maksimumi për të ruajtur furnizimin e rregullt.

Kurti ka treguar se dy blloqe të termocentralit Kosova B aktualisht janë jashtë funksionit, ndërsa ka thënë se situatë të ngjashme ishte javën e kaluar kur tri blloqe të Kosova A ishin jashtë funksionit nga  shkaku i avarive.

“Kriza energjetike që ka prekur gjithë vendet e rajonit dhe botës ka ardhur edhe tek ne. Kosova varet nga importet për të mbajtur dritat ndezut. Dy blloqe të termocentralit B aktualisht janë jashtë funksionit, një situatë të ngjashme kemi pasur edhe javën e kaluar por e kemi menaxhuar. Në këtë koment kemi diku 390 megavat prodhim. Kostti ka menaxhuar me sukses deri më tash situatën, pavarësisht pengesave nga Serbia. Deri më tash këto ndërmarrje kanë mbajtur barrën e krizës energjetike. Qeveria do të ndajë shumën e nevojshme për çmimin e importeve”. Ai ka thënë se është e nevojshme të kursehet energjia./Monitor.al

Leave a Comment

Your email address will not be published.