Kosova nënshkruan marrëveshje prej 15 milionë euro për menaxhimin e Covid-19

Është nënshkruar marrëveshja e financimit “Projekti Emergjent i Kosovës për COVID-19 – Financimi shtesë”, me Bankën Botërore. Nga Ministria e Financave është thënë se, marrëveshja kap vlerën prej 15 milionë euro.

Ministri i Financave, Punёs dhe Transfereve, Hekuran Murati, dhe drejtoresha për Ballkanin Perëndimor e Bankës Botërore ,Linda Van Gelder, kanë nënshkruar marrëveshjen e financimit “Projekti Emergjent i Kosovës për COVID-19 – Financimi shtesë”.

Qëllimi kryesor i kësaj marrëveshjeje është që përmes financimit të mundësohet parandalimi, detektimi dhe reagimi ndaj COVID-19, si dhe për të ngritur kapacitetet e duhura në sistemet kombëtare të shëndetit publik.

”Kjo marrëveshje kap vlerën totale prej 15 milionë euro dhe vjen si vazhdimësi e marrëveshjes bazё, tё nënshkruar me datë 29 qershor 2020 me Bankën Botërore, e cila veçse kishte siguruar 46 milionë euro për menaxhim dhe reagim emergjent ndaj pandemisë”, thuhet në komunikarën për media.

Ky projekt do të mundësojë prokurimin e vaksinave kundër COVID-19, vaksinimin efektiv të popullatës, menaxhimit të mbeturinave mjekësore, prokurimin emergjent të barnave esenciale për trajtim të COVID-19 dhe të ngjashmeve, si dhe zhvillimin e strategjisë shëndetësore, mes tjerash.

Rikujtojmë se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve poashtu ka përcaktuar masat për Ringjallje Ekonomike tё vendit tё cilat synojnë tё adresojnë vёshtirёsitё e shkaktuara nga pandemia COVID-19, ndёr tё tjera duke stabilizuar aktivitetin ekonomik nё Republikёn e Kosovës.

Që nga fillimi i pandemisë, në mars të vitit të kaluar, Kosova ka regjistruar gjithsej 107,954 raste me koronavirus.

Prej tyre, 2,265 pacientë kanë vdekur dhe 105,575 janë shëruar.

Aktualisht në Kosovë është duke u zhvilluar vaksinimi masiv i qytetarëve, që do të thotë se të gjithë personat mbi 18 vjeç mund të regjistrohen për t’u imunizuar.

Deri të enjten, në Kosovë janë dhënë mbi 333,705 vaksina. Qeveria e Kosovës ka thënë se ka prioritet vaksinimin e 60 për qind të qytetarëve deri në fund të vitit.

Leave a Comment

Your email address will not be published.