Policia e Kosovës ka filluar ngritjen e një baze në afërsi të pikës kufitare me Serbinë në Bërnjak.
Këtë aksion Policia e ka nisur në orët e para të së shtunës duke dërguar kontejnerë dhe njësi të betonit masiv për rrethimin e kësaj baze.
Makineritë e rënda janë vendosur pak kilometra poshtë pikës kufitare në Bërnjak, aty ku do të vendoset në bazë për Policinë Kufitare.
Policia e Kosovës doli me njoftim në lidhje me ngritjen e bazës policore në afërsi të kufirit me Serbinë në Bërnjak, që tha se do të bëhet për të përmirësuar kushtet e punës për zyrtarët policorë të kufirit.
“Referuar nevojës së përmirësimit të kushteve të punës për zyrtarët policorë të kufirit në Bërnjak, të cilët kanë punuar në kushte jo të mira, sot Policia e Kosovës ka dërguar pajisje logjistike dhe kontejnerë, të cilat do të ju shërbejnë zyrtarëve policorë të policisë kufitare për kryerjen e detyrave policore, në interes të ofrimit të sigurisë për qytetarët dhe sigurisë publike”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë:
Policia e Kosovës, bazuar në detyrat dhe autorizimet e saj ligjore çdo herë ndërmerr veprimet e nevojshme policore për ofrimin e sigurisë si dhe ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në nivel vendi.
Këto veprime realizohen përmes njësiteve të ndryshme policore, andaj me qëllim të krijimit të hapësirave dhe kushteve më të mira për punë në ambientet policore, Policia e Kosovës në vazhdimësi planifikon përmirësimin e kushteve të punës dhe ngritjen e kapaciteteve logjistike.
Referuar nevojës së përmirësimit të kushteve të punës për zyrtarët policorë të kufirit në Bërnjak, të cilët kanë punuar në kushte jo të mira, sot Policia e Kosovës ka dërguar pajisje logjistike dhe kontejnerë, të cilat do të ju shërbejnë zyrtarëve policorë të policisë kufitare për kryerjen e detyrave policore, në interes të ofrimit të sigurisë për qytetarët dhe sigurisë publike.
Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e saj në realizimin e detyrave policore në shërbim të qytetarëve dhe vendit.
Reagon Beogradi
Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë tha të shtunën se “aksioni i fundit policor në veri të Kosovës është në kundërshtim me marrëveshjet e vlefshme”.
Qëllim i këtij aksioni, sipas saj, është “provokimi i rrezikshëm” dhe “destabilizimi i situatës në terren”.
Në deklaratën e kësaj zyre thuhet se Policia e Kosovës, 80 metra nga vendkalimi në Bërnjak, ka sjellë “makineri të rënda dhe njerëz” me “pretekstin e forcimit të postbllokut policor në vendkalim”.
“Veprime të tilla të njëanshme dhe të papërgjegjshme të Prishtinës kanë vetëm një qëllim: të provokojnë një destabilizim të ri të situatës në terren, në një moment shumë të ndjeshëm për sigurinë, me të cilin po përballet e gjithë bota”, thuhet në deklaratën e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Ajo tha se i bën thirrje Prishtinës që të mos e provokojë Beogradin dhe serbët në Kosovë dhe të mos rrezikojë paqen dhe sigurinë, duke shkelur marrëveshjen.
Dy pikat kufitare me Serbinë në veri të Kosovës – Jarina dhe Bërnjaku – u bllokuan nga serbët lokalë për dy javë në shtator të vitit të kaluar.
Kjo ndodhi për shkak të një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të vendosur masa reciprociteti ndaj automjeteve me targa të Serbisë.
Kosova dhe Serbia më pas gjetën një zgjidhje të përkohshme përmes Bashkimit Evropian. Dy vendet vendosën t’i mbulojnë simbolet shtetërore në targa deri në një zgjidhje përfundimtare.
Kosova dhe Serbia kanë më shumë se një dekadë që zhvillojnë negociata për normalizimin e marrëdhënieve, me ndërmjetësimin e BE-së.