Kosova shënon 31 vjetorin e Deklaratës së Pavarësisë më 1990

Delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, më 2 korrik të vitit 1990, miratuan publikisht (para Kuvendit të Kosovës) Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të Federatës së atëhershme jugosllave. Dy muaj pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, më 7 shtator të vitit 1990, në Kaçanik u miratua Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut.

 

Tridhjetenjë vjet pasi kishte udhëhequr seancën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 1990, Iljaz Ramajli u ul afër presidentes së sotme të Kosovës, Vjosa Osmani, për të përcjellë seancën solemne të Kuvendit të Kosovës. Deputetët aktualë të Kosovës u mblodhën të premten në Kuvend, së bashku me shumë ish-delegatë të Kuvendit të Kosovës të vitit 1990, të cilët kishin bërë shpalljen e Deklaratës Kushtetuese, më 2 korrik të vitit 1990. Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e cilësoi veprimin e delegatëve të asaj kohe si një ndër më të guximshmit në histori.

“Ky ishte akti më i rëndësishëm e më i guximshëm i përfaqësuesve të popullit qysh pas Konferencës së Bujanit. Pikërisht para dyerve të Kuvendit të sotëm, delegatët e atëhershëm e votuan Deklaratën e 2 korrikut, të cilën e lexoi Muharrem Shabani”, tha Konjufca. Sipas Konjufcës, delegatët e 2 korrikut ishin “mishëruesit e vërtetë të vullnetit kolektiv të popullit tonë për liri dhe të drejtën e vetëvendosjes”. Presidentja Vjosa Osmani kujtoi po ashtu guximin dhe vullnetin e 114 delegatëve për ta bërë shpalljen e pavarësisë në atë kohë, kur Kosova gjendej nën okupimin serb.

“Ne kujtojmë jo vetëm një veprim të përgjegjshëm, por edhe një përcaktim të vendosur për një të drejtë historike, të mohuar për dekada të tëra”, pohoi Osmani. Ajo përmendi edhe faktin se Kosova sot është e pavarur dhe tha se vullneti i atëhershëm u realizua. “Sot, Kosova është vend i lirë dhe sovran në kufijtë e 17 shkurtit dhe i tillë do të qëndrojë përgjithmonë, i orientuar qartë drejt integrimit euroatlanik dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, -tha Osmani.

Unifikimi i shqiptarëve të Kosovës u pa nga ish-kryetari i Kuvendit, Iljaz Ramajli, si një ndër faktorët kyçë që mundësuan veprimin e delegatëve të atëhershëm.

“Para 31 vitesh në këtë ditë të gjithë delegatë me kohë kishin ardhur për mbledhjen e Kuvendit e cila ishte caktuar rregullisht, por dyert e Kuvendit ishin mbyllur me urdhër të kryetarit të atëhershëm të Kuvendit, dhe të gjitha hapësirat e Kuvendit dhe organeve të tjera qeveritare në këtë ndërtesë ishin vendosur nën kontroll të plotë të njësive të policisë serbe e cila vepronte në kuadër të policisë federale të instaluar në Kosovë, në Kosovën e atyre ditëve të trazuara.

Përkundër mbylljes së dyerve të Kuvendit, delegatët si e dini tanimë, duke qenë të vendosur për të çuar në vend vullnetin politik të popullit të Kosovës, para dyerve të ndërtesës së Kuvendit, nën qiellin e hapur e mbajtën mbledhjen e 2 Korrikut dhe shpallën deklaratën kushtetuese”, tha Ramajli.

Pas fjalimeve, në Kuvend u transmetua një dokumentar për autorin e Deklaratës Kushtetuese, Gazmend Zajmi. Delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, më 2 korrik të vitit 1990, miratuan publikisht (para Kuvendit të Kosovës) Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të Federatës së atëhershme jugosllave. Dy muaj pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, më 7 shtator të vitit 1990, në Kaçanik u miratua Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut.

 

 

Leave a Comment

Your email address will not be published.