Kosova shpall gjendjen emergjente energjetike, reduktime edhe 60 ditë

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për shpalljen e masave emergjente për kufizimin me energji elektrike në kohëzgjatje prej 60 ditësh, pas krizës energjetike që ka kapluar së fundmi vendin.

 

Kosova edhe zyrtarisht ka hyrë në gjendje emergjente me rrymë. Me një vendim të Qeverisë, të marrë të premten, qytetarët e Kosovës do të përballen me reduktime të rrymës për një periudhë më të gjatë.

Për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë” parashihet që reduktimet të vazhdojnë maksimalisht edhe për 60 ditë.

Sipas njoftimit në faqen e Qeverisë, në mbledhjen e 51-të janë shpallur masat emergjente për kufizim të furnizimit me energji. Masat emergjente do të vlejnë për maksimalisht 60 ditë.

Masat emergjente përfshijnë vendosjen e kufizimit në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Vendimi parasheh themelimin e një Komiteti Teknik Emergjent me qëllim të identifikimit dhe paraqitjes së rekomandimeve te Ministrja e Ekonomisë. Ky Komitet ka për detyrë të rekomandojë zbatimin e masave për t’i trajtuar efektet negative të krijuara nga kriza ekonomike. Pas rekomandimeve Ministria duhet të publikojë masat kufizuese obligative.

Në arsyetim të Qeverisë për këtë vendim thuhet se “Sistemi Elektro-Energjetik i Kosovës aktualisht është duke u përballur me vështirësi të theksuara si reflektim i rritjes së theksuar të konsumit të energjisë elektrike në vend, pamjaftueshmërisë së gjenerimit të brendshëm për ta mbuluar konsumin dhe krizës globale energjetike që ka rezultuar me rritjen enorme të çmimit të energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare”.

Si pasojë e konsumit të shtuar për ngrohje, Qeveria ka thënë se mund të paraqiten disa pasoja si: armortizimi i aseteve, mosbalanc në sistemin interkonektiv, vërejtje nga ENTSO-E.

Me këto masa, obligohet Korporata Energjetike e Kosovës të disburzojë suvcencionet e Qeverisë për qëllim të importit të rrymës.

Aprovimi i vendimit mundëson zbatimin e masave menjëherë, por vendimi duhet të shqyrtohet për miratim edhe nga Kuvendi. Kuvendi për shtatë ditë nga pranimi i vendimit të Qeverisë ka të drejtë ta refuzojë miratimin e tij duke i ndërprerë masat e aprovuara dhe të ndalojë gjendjen e emergjencës.

Vendimi parasheh masa për 60 ditë, por Kuvendi mund ta vazhdojë edhe për periudha tjera për nga 30 ditë.

Ka disa ditë që në vend janë kthyer reduktimet e energjisë elektrike. Edhe pse institucionet kanë thënë se plani është për reduktime 8 me 2, kjo në shumë lagje e qytete s’po realizohet. Qytetarët kanë shprehur mllefin se po mbesin shumë më gjatë pa rrymë, në ditët më të ftohta të vitit.

Kosova është duke u përballur prej ditësh me krizë energjetike.

Për shkak të kësaj krize energjetike qytetarët, nga e mërkura e 22 dhjetorit, përballen me reduktime të energjisë elektrike.

Korporata Energjetike e Kosovës njofton herë pas here për rënien e blloqeve nga sistemi duke bërë që me orë të tëra lagjet nëpër vendbanime të mos kenë rrymë.

Reduktimet u udhëzuan nga Operatori i Sistemit dhe Tregut – KOSTT, për shkak të mbingarkesës në sistemin elektro-energjetik. Fatura e energjisë elektrike në Kosovë mund të shtrenjtohet për 7 për qind në muajt e ardhshëm. Një rritje të tillë e ka kërkuar Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS)./ Monitor.al

Leave a Comment

Your email address will not be published.