Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka vendosur që votat në zgjedhjet e 14 shkurtit për kandidatët e pa certifikuar do të shpallen të pavlefshme.
Kjo prek kreun e Vetëvendosjes Albin Kurti dhe dy deputetë të tjerë, të cilët për shkak të problemeve ligjore nuk janë certifikuar.
Sipas një sqarimi të Komisionit Qendror Zgjedhor do të numërohet vota për partinë dhe kandidatët e certifikuar, ndërsa nuk llogaritet vota që i jepet atij kandidati që s’është certifikuar.
”Nëse një subjekt politik ka të certifikuar 4 kandidatë dhe në fletëvotim janë shënjuar 5 numra, në Fletat Llogaritëse të Kandidatëve evidentohen këto 5 shënjime, por ato nuk barten të gjitha në Formularët e Rezultateve të Kandidatëve. Në këta formularë bartën vetëm votat e kandidatëve të certifikuar.”- sqaron KQZ.
Megjithatë VV thotë se Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Bajram Mavriçi vazhdojnë të jenë pjesë e listës zgjedhore së Lëvizjes Vetëvendosje, edhe pse asnjëri prej tyre nuk ka arritur të certifikohet për të marrë pjesë në zgjedhje.