Kryeministri i Shqipërisë kishte të drejtë kur tha se Kosova është përfshirë nga një krizë, ku duhet zgjedhur mes kufizimeve apo rritjes së çmimit. Kjo është e vërtetë edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Ata duhet të reformojnë ekonomitë e tyre dhe të shtojnë përpjekjet në ndjekjen e strategjive për sigurinë energjetike
Nga Dušan Janjiq
Dukej qartë se kërcënimet ndaj sigurisë energjitike do të dilnin në pah vjeshtën e vitit 2021. Megjithatë, media dhe politikanët nuk e ngritën këtë çështje deri në samitin e G20 në Romë dhe samitin COP26 në Glasgow, për të cilin kam shkruar në një nga artikujt e mëparshëm.
Tanimë Evropa po lufton me një rritje rekord të çmimeve të energjisë; një numër i madh i pikave të furnizimit me karburant në Mbretërinë e Bashkuar po mbyllet për shkak të mungesës së karburantit; Kina është goditur nga mungesa e energjisë; administrata e Biden-it është duke shqyrtuar ndalimin e eksporteve të naftës në SHBA në përpjekje për të ulur çmimet e benzinës.
Gjysma e dytë e vitit të kaluar dëshmoi një lloj “bashkëjetese” të jetës së përditshme me pandeminë. Në të njëjtën kohë, prodhuesit e energjisë dhe kompanitë e transportit të mallrave në të gjithë botën nuk arritën të përballonin humbjet e shkaktuara nga bllokimi. Për më tepër, në vitin 2020 dhe 2021, çmimet e karburanteve fosile u ulën për shkak të kërkesës më të ulët për karburant – çmimet e naftës bruto ranë në territor negativ për herë të parë në histori, duke shkaktuar dëme të mëdha në industrinë e naftës.
Në disa pjesë të botës pati kushte të pafavorshme të motit, si p.sh.: rënie e ndjeshme e temperaturave në Amerikën Qendrore, Amerikën Latine dhe Afrikë duke shkaktuar rritje të konsumit të energjisë; përmbytje në Indonezi, Kolumbi, Brazil, Indi dhe Kinë duke sjellë vonesa në operacionet e minierave të qymyrit; dhe ngadalësim i papritur në prodhimine energjisë elektrike nga turbinat me erë pasi era e uli intensitetin në Detin e Veriut.
Politikat e dështuara dhe strategjitë dritëshkurtra të qeverive patën një ndikim shkatërrues në krizën e sotme energjetike. Për pasojë, është krijuar një mospërputhje midis kostove të prodhimit dhe përballueshmërisë, si dhe një mospërputhje midis kërkesës dhe ofertës.
Siguria energjetike përkufizohet si disponueshmëri e vazhdueshme e energjisë në forma të ndryshme, në sasi të mjaftueshme dhe me çmime të përballueshme. Siguria energjetike është thelbësore për stabilitetin e rendit ekonomik dhe social në të gjitha vendet. Diversifikimi i përzierjes/burimeve të energjisë njihet si një strategji thelbësore për arritjen e sigurisë energjetike. Diversifikimi i energjisë minimizon rrezikun e varësisë në shkallë të lartë. Përvoja e krizës aktuale tregon se diversifikimi ka qenë një prioritet i cili ende nuk është arritur. Kjo çështje ka të bëjë gjithashtu me BE-në, ku mungesa e një politike të përbashkët energjetike përbën një kërcënim për stabilitetin dhe rritjen e Evropës. Ndërgjegjësimi për nevojën për planifikim strategjik është jashtëzakonisht i ulët në shumë vende, përfshirë Ballkanin Perëndimor. Veprimi i aktorëve të ndryshëm në sigurinë energjetike karakterizohet nga vullnetarizmi politik dhe lidhjet e ngushta ndërmjet politikanëve, qeverive dhe kompanive që lidhen në një përpjekje për të maksimizuar fitimet, shpesh në mënyra të paligjshme.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian gjenden përballë sfidave të rënda të shkaktuara nga Rusia duke përdorur energjinë si një armë politike. Rusia e Putinit është bërë një kërcënim për ekonominë globale, e cila ka një ndikim të madh në tregtinë ndërkombëtare. Kjo po ndodh për shkak të rrethanave të përgjithshme në politikat e jashtme, por mbi të gjitha për shkak se kompanitë më të mëdha që merren me prodhimin dhe tregtimin e naftës dhe gazit natyror janë në pronësi dhe kontrollin e shtetit. Kjo i ka dhënë mundësinë Rusisë të zërë një pozicion dominues në tregjet e energjisë së BE-së dhe të ndërhyjë seriozisht në hapësirën ekonomike evropiane. Në qëllimet e saj politike dhe ekonomike Rusia ka shtuar edhe kërkesën në rritje për gaz në BE – për të reduktuar ndikimin negativ të sanksioneve ekonomike të BE-së dhe SHBA-së të vendosura ndaj Rusisë në përgjigje të situatës në Ukrainë, dhe për qëllimin e saj gjeopolitik – për të arritur një ndarje të re të sferave të interesit dhe për të garantuar se Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia nuk do të anëtarësohen në NATO. Në përpjekjet për të përshpejtuar funksionimin e gazsjellësit NordStream 2, Rusia ka qenë “ngurruese” në eksportimin e gazit natyror në BE.
Varësi nga gazi natyror dhe nafta ruse nuk ka vetëm BE-ja, por edhe Ballkani Perëndimor. Rusia po përdor borxhin e Serbisë dhe borxhin e disa shteteve të tjera ish-jugosllave për të hyrë në sektorin energjetik të rajonit dhe për të zgjeruar kontrollin e saj mbi të. Blerja e shumicës së aksioneve në ish-gjigantin serb të gazit NIS është vetëm një shembull i kësaj strategjie. Natyrisht, Rusia dhe Putini nuk janë të vetmit që besojnë se kontrolli i drejtpërdrejtë i shtetit mbi burimet e energjisë është një garantues i së ardhmes së sigurt për njerëzit. Nafta dhe gazi natyror përdoren nga vendet prodhuese si armë për të treguar fuqi dhe ndikim, por edhe për të financuar zhvillimin e tyre ekonomik. Paqëndrueshmëria e vazhdueshme, rritja e menjëhershme dhe rënia e çmimeve të naftës dhe gazit në tregun global kanë ringjallur disa tensione të vjetra dhe të ashtuquajturin “nacionalizëm të naftës”.
Shumë vende po kërkojnë të shtetëzojnë burimet e tyre energjetike dhe të marrin kontrollin mbi këto burime të rëndësishme strategjike.
Pozicioni gjeostrategjik i Ballkanit Perëndimor në udhëkryqin midis Evropës dhe Kaukazit, Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, është një pjesë e rëndësishme, por e lënë pas dore, për dilemën evropiane të sigurisë energjetike.
Gjatë krizës aktuale të energjisë janë vërejtur fakte që dëshmojnë ndërlidhjen në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat të gjitha, duke përjashtuar Shqipërinë, kanë qenë pjesë e sistemit të unifikuar energjetik të Jugosllavisë deri në fund të shekullit të 20-të, si dhe fakte që dëshmojnë ndërlidhjen e tyre me pjesën tjetër të botës. Ndërprerjet në furnizimin me energji elektrike dhe problemet në sistemet e neglizhuara të energjisë ndikojnë në furnizimin e vendeve të tjera. Për shembull: shkëputja e gazsjellësit në rrjetin e gazit në Bullgari pati një efekt negativ në Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë; vonesat në rindërtimin e termocentralit të Obiliqit dhe mbylljet për shkak të avarisë në termocentralin Kosova “B” e lanë Kosovën pa energji të mjaftueshme elektrike, gjë që preku edhe Shqipërinë; rënia e sistemit të energjisë që menaxhohej nga kompania energjetike serbe EPS dhe që u shkaktua nga një gabim njerëzor, ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike në Serbi.
Më 31 dhjetor dhe 1 janar, qeveria shqiptare i dha Kosovës 7,680 MWh për të ndihmuar vendin gjatë krizës së vazhdueshme energjetike. Ky akt solidariteti është për t’u lavdëruar, por ai nuk mund të eliminojë mungesën e energjisë – një arsye për ndërprerjet e përkohshme të energjisë në Kosovë. Kryeministri i Shqipërisë kishte të drejtë kur tha se Kosova është përfshirë nga një krizë, ku duhet zgjedhur mes kufizimeve apo rritjes së çmimit. Kjo është e vërtetë edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Ata duhet të reformojnë ekonomitë e tyre dhe të shtojnë përpjekjet në ndjekjen e strategjive për sigurinë energjetike./Pamfleti