Krushqit e ngrirë mes Tiranës dhe Prishtinës

Ku bashkohen dhe ku ndahen Edi Rama me Albin Kurtin. Kur ndodhi krisja e parë dhe kush ishte ideatori i ftohjes… Aktualisht kemi dy shefa qeverie që, kur takohen “shkrihen” nga dashuria për njëri tjetrit, e kur janë larg, akullohen menjëherë. A e kanë shqiptarët luksin të shohin krisjet qeveritare dhe sa poshtë mund të zbresë kjo krisje?

Nga Bedroi Islami

Sado që të duam të mos e pranojmë, dhe, sado që kryeministri i Kosovës të deklarojë se shefat e qeverive shkojnë e vijnë, ndërsa marrëdhënia Kosovë – Shqipëri është e qëndrueshme, duhet pranuar se, si asnjëherë më parë, raportet mes dy shteteve shqiptare janë lëkundur furishëm dhe në 20 vitet e fundit nuk kanë qenë asnjëherë më të brishta.

Në vitet e shkuara ka pasur përplasje e moskuptime, gjëra që duheshin ndrequr dhe gabime që nuk duheshin përsëritur, anësi dhe lajka politike, por ftohje të tillë nuk ka pasur.

Raportet janë thuajse të ngrira dhe asnjë shkrirje nuk duket e afërt. Mes dy shefave të qeverive nuk është vetëm hija e “Ballkanit të hapur” dhe ky nuk është shkaku i vetëm përse po mbyllen dyert mes majave të politikës së një kombi; kjo që po shfaqet tani është vetëm njëra pjesë, ajo që duket dhe ajo rreth të cilës mund të hidhen zemërime. Krisja ka filluar më herët, ka vazhduar të ketë krisje të tjera, të cilat në majën e tyre herë – herë janë dukur të ububushme, dhe tani, jemi në një fazë të re, gjithsesi të trazuar dhe me enigmat e së ardhmes.

Është pritur në vitet e shkuara se ndryshimi i qeverive në Kosovë nuk e prish ekuilibrin mes drejtuesve të lartë të shtetit. Shpesh herë ka ndodhur kështu, me gjithë lëkundjet që kanë qenë më shumë në çaste të veçanta. Pas stuhisë në gotë, gjërat janë ndodhur në gjendjen e tyre të natyrshme dhe zhvillimet kanë pasur atë drejt vizim të ngadaltë që është pritur.

Krisja e parë e madhe pas vitit 1990 ishte gjashtë vite më pas, në ditët kur pushteti i Berishës dhe ai vetë, forcërisht, pas shpine, u përpoqën të krijojnë një situatë lufte në Kosovë, një lloj hapje të frontit të Jugut, pikërisht kur mbetjet e ish Jugosllavisë ishin në luftën e Kroacisë, megjithëse askush në Kosovë nuk ishte i përgatitur seriozisht për luftë.

Përpjekja për të radikalizuar gjendjen, përmes importimit të “luftës” nga Tirana drejt Prishtinës ishte përpjekja e pushtetit të Berishës për të hequr vëmendjen nga ajo që pritej të ndodhte, rënia e piramidave financiare dhe rrëzimin e shtetit. Njeriu që desh të përdorej nga Berisha ishte Demaçi, simbol i qëndresës dhe mësuesi i mëpasshëm i Albin Kurtit, i cili, çuditërisht, në një deklaratë të kohëve të fundit, mbështeti idenë e luftës së njëkohshme në Kosovë dhe në Kroaci dhe hapjen e frontit të jugut. Në fakt, nëse do të kishte ndodhur, kjo do të kishte qenë katastrofa jetësore dhe humbja e përjetshme e Kosovës, mosnjohja e saj dhe mbetja nën suazën e shtetit serb.

Tani është një fazë tjetër. Krisja duket, akulli nuk synon të shkrihet, në dy anët e kufirit, që nuk duhej të ishte, kemi dy shefa qeverie që, kur takohen me njëri tjetrin, “shkrihen” nga dashuria për njëri tjetrit, e kur janë larg, akullohen menjëherë.

Ka disa shkaqe përse po ndodh kështu:

Më aktuali: “Ballkani i hapur”, të cilin njëri nga kryeministrat e trajton si gjetje e re politike, me efekte të mëdha, ndërsa tjetri si një hapje e portave ndaj ndikimit rus, kinez dhe vasalitet ndaj Serbisë. Njëri, shefi i qeverisë në Tiranë, mendon se gjërat, edhe të së shkuarës, duhen trajtuar duke bashkëpunuar dhe se, në kohët moderne hasmëritë nuk mund të jenë të përjetshme dhe se “krushqit nuk mund të jenë gjithnjë të ngrirë”.

Tjetri, shefi i qeverisë në Kosovë, mendon se shteti serb, sidomos presidenti i këtij shteti, ish ministri i kabinetit Millosheviç dhe njeriu që bartte shishet me birrë te shefi i radikalizmit serb, më së pari duhet të njohë historinë, të kërkojë ndjesë për gjenocidin në Kosovë, të njohë shtetin e Kosovës, e , më pas, mund të bisedohet për marrëveshje dy apo shumë palëshe.

Njëri, shefi i qeverisë në Tiranë, pasi ka “lundruar” në Minishengen, mendon se tani mund të hapen portat dhe fton edhe sivëllain e tij në Prishtinë , të jenë së bashku në portat e hapura, pasi, mendon ai, kjo është rruga drejt BE-së.
Tjetri, shefi i qeverisë në Prishtinë, e mendon gjithçka ndryshe. Ai ka ardhur në pushtet duke luajtur edhe me kartën e nacionalizmit dhe nuk mund të zgjohet një ditë gushti dhe ta ndjejë veten se është bërë tani ndryshe.

Për më tepër, ajo që ndodh në takimet e treshes pushtetore të “Ballkanit të hapur” nuk është temë e tij, ajo nuk është një trase e shtruar nga ai vetë, për më tepër, pak kush në Kosovë do e mbështeste në këtë rrugëtim. Është në të drejtën e tij, dhe, me të, në këtë rast, është edhe e drejta historike.

Shefi i qeverisë në Tiranë nuk dëshmon se ka diçka të planifikuar, të menduar shkencërisht dhe të ulur në tokë financiarisht, se ku qëndrojnë përparësitë e “Ballkanit të hapur”, askush nuk e di me saktësi se çfarë do të jetë roli dhe vendi i shtetit shqiptar në këtë Hapje; cilat janë interesat e saj, përparësitë, ku çalojnë gjërat dhe cilat mund të jenë humbjet. Askush nuk e di nëse në këtë rrugë, ende të pa miratuar nga Parlamenti, i ka bërë hesapet si duhet, apo i ka bërë ata pa hanxhinë.

Shefi i qeverisë në Prishtinë, njëjtë, por në kahun e kundërt, e refuzon politikisht marrëveshjen dhe e justifikon historikisht dhe në kënd vështrimin e politikës së forcës që përfaqëson, por nuk ka asnjë studim të shpallur përse është gjithçka kundër historike, antishqiptare dhe hapje e dyerve të rusit apo kinezit.

Nëse ai mund të flasë për një mijë e një gjëra të drejta, aty ku është mirë të heshtë është çështja e dyerve të hapura me shtetin serb. Mes Kosovës dhe Serbisë, mjerisht, dyert janë hapur me kohë dhe vazhdojnë të jenë të tilla. Në Kosovë vërshimi i mallrave serbe është i pa ndalur, biznesi i Kosovës ka aty partnerin më të ndjeshëm dhe më të fuqishëm; pas disa firmave të rëndësishme në Kosovë janë ende hijet dhe aksionet e biznesit serb; vetë Kosova e tanishme, drejtuar nga Kurti e ka harruar tani aksionin e Lëvizjes VV për refuzimin e mallrave serbe; asnjë aktivist i saj nuk shporr, djeg apo hedh mallrat serbe në tregun e Kosovës; qytetarët e Kosovës udhëtojnë përmes shtetit serb, janë jo të paktë ata që kanë marrë edhe nënshtetësinë e këtij shteti. Pra, ajo katërshja politike e refuzuar, lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, etj. ka nisur që para Minishengenit dhe Kurti e di këtë më mirë se gjithë të tjerët, pasi tani, duke mos qenë më shefi i opozitës, por shefi i qeverisë, ai i di lëvizjet që ndodhin si askush tjetër.

Atëherë, çfarë i pengon dy shefat e qeverive që, ashtu si kënaqen me njëri tjetrin jashtë shteteve të tyre, të mos ulen së bashku, kudo qoftë, Prishtinë apo Tiranë dhe, normalisht, të gjejnë atë zgjidhje të përbashkët, që bashkon më tej e jo krijon krisje të reja?

Askush në Kosovë e askush në Shqipëri nuk e ka luksin të shikojë se si dy “gjela” të politikës, jashtë gjithçkaje normale, të krijojnë ndasi qeveritare, të cilat, nëse sot nuk kanë ngjizur plotësisht në njerëzit e zakonshëm, nuk do të thotë se nuk kanë pasojat e tyre.

Në Kosovë, Edi Rama, heroi i dikurshëm, që shpalli në Beograd kredon politike të së drejtës historike të Kosovës të jetë shtet i pavarur, nga një pjesë e njerëzve të saj, brenda e jashtë Kosovës, tani trajtohet si tradhtar i kombit të tij, dhe, mjerisht, kjo nuk ka ardhur nga poshtë lart, por nga lart poshtë. Më tepër se e rastësishme, është e injektuar. Dikujt nuk i pëlqen që Edi Rama të jetë njeriu i Kosovës. Nuk i pëlqen në Tiranë, ku ndizet zjarri i krisjes, nuk i pëlqen në Prishtinë, ku i fryhet këtij zjarri.

Në Shqipëri, si rrallë herë me liderët e pasluftës në Kosovë, Albin Kurti shihej si shpresë dhe mundësi për ndryshim. Kishte ndodhur edhe me Thaçin, por ai u sulmua furishëm nga e djathta shqiptare, e cila, pasi kishte qenë kundër luftës çlirimtare dhe liderëve të saj, pasi kishte synuar që, përmes grushtit të shtetit të përmbyste rezistencën e armatosur, gjeti në figurën e Drejtorit Politik të UÇK-së, njeriun që mund të sulmohej, duke rrëzuar mitin.

Ndryshe nga ai, Kurti kishte rezonancë tjetër; i ri, karizmatik, ish i dënuar nga regjimi i Millosheviçit, aktiv ndaj një klase politike që u vjetërua më shpejt nga “bëmat” , se sa nga vitet; duke parë tek ai atë që mungonte në Shqipëri, rezistencën ndaj së keqes, ai bëri shpejt vend në mendimin politik të njerëzve.

Tani nuk është më. Është shefi i qeverisë së Kosovës, i cili, për një pjesë të madhe të njerëzve në Shqipëri, për më tepër të atyre që janë të lidhur dhe besojnë te pushteti i tanishëm, i cili bëri lidhjet e tij të gabuara; kërkoi urat e prishura që nuk ndreqen dot, gjeti strehë tek ata që në fund i dëboi edhe Departamenti i Shtetit, duke synuar atë që kishte arritur në Kosovë: të jetë lideri i të gjithëve.

Në politikë ka rëndësi rruga që ndjek, hapat që ndërmerr, hovi me të cilin nisesh, koha për të pushuar, lidhjet e duhura dhe gjetjet e duhura.

Kurti ka qenë njëri nga katër drejtuesit e Lëvizjes Studentore të vitit 1997 në Prishtinë. Nuk ka qenë kryesori dhe as më i rëndësishmi, por më elokuenti, i vendosur, duke e ditur rrugën që kishte përpara. Analistët pranë tij, ose ata që janë në Tiranë e që një ditë do të kthehen në kundërshtarët e tij, si kanë bërë me gjithë të tjerët, gabojnë nëse duan të rritin një mit që nuk ka nevojë për të thënat e tyre, lavdet dhe ndryshimin e historisë së tashme, Kurti nuk ka nevojë për to dhe e ka bërë rrugën e tij pa asnjërin prej tyre.

Përse është kjo gjendje e tanishme?
Çfarë po ndodh në raportet qeveritare mes dy shteteve të të njëjtit komb?
A e kanë shqiptarët luksin të shohin krisjet qeveritare dhe sa poshtë mund të zbresë kjo krisje?

(Botuar në DITA)

Leave a Comment

Your email address will not be published.