Sot në Paris është zhvilluar një takim në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Francës Emanuel Macron. Kryeministri i Kurti, dhe presidenti Macron, para takimit në Pallatin Elysee në Paris kanë mbajtur një konferencë shtypi.
Macron ka thënë se shteti i tij do të vazhdojë përkrahjen për Kosovën, ndërkaq theksoi se fton Kosovën e Serbinë për gjetjen e një kompromisi dhe arritjen e marrëveshjes.
“Zgjedhja e juaj si kryeministër i Kosovës, dëshmon një qëndrim të fortë demokratik të vendit tuaj. Siç e dini Franca ka qenë vendi i parë që ka njohur Kosovën, të nesërmen pas shpalljes së pavarësisë së vendit tuaj në vitin 2008. Që nga atëherë Franca ka qëndruar pranë Kosovës në një relacion bilateral tanimë si pjesë e strategjisë franceze për Ballkanin Perëndimor. Po ashtu, Franca ka asistuar për zhvillimin ekonomiko-social të vendit tuaj”, u shpreh Macron.
Ai tha po ashtu se “ne vazhdojmë të përkrahim konsolidimin e ligjit në Kosovë dhe gjithashtu bashkëpunimin kulturor dhe të frankofonisë, por edhe pjesën e shëndetësisë e sigurisë gjë e cila e forcon bashkëpunimin”.
“Kosova, si edhe të gjitha shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor, shpreh interesim për integrim në Bashkimin Evropian”, tha presidenti i Francës.
Macron theksoi se “Integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian, përfshinë edhe zgjidhjen e çështjes me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve mes shteteve tuaja, në nivel global si i definuar në përshtatje me ligjin”.
“Kjo është e domosdoshme për stabilizimin afatgjatë dhe zhvillimin në tërë regjionin e Ballkanit Perëndimor. Shpreh mbështetjen e vazhdueshme të dialogut Kosovë-Serbi, mirëpo për të arritur një kompromis përfundimtar duhet të ketë patjetër një vullnet të madh politik, nga të dy palët, si nga ju kryeministër Kurti, por edhe nga z.Vuçiq”, u shpreh Macron.
“Do të keni mbështetjen tonë. Afërsia me BE-në, normalizimi i marrëdhënieve, për zhvillimin e qëndrueshëm, po ashtu me përfaqësuesin Lajçak, sikur një popull me vullnet të madh politik nga ana e të dyja vendeve në fjalë, juve dhe z.Vuçiq. I ftojë Kosovën dhe Serbinë të angazhohen si evropian në arritjen e një marrëveshje, dhe gjetjen e një kompromisi”, u shpreh Macron.
Kurti tha se është privilegj dhe përgjegjësi që të takohet si kryeministër i Kosovës me presidentin e Francës.
“Jam i privilegjuar të jem këtu me ju, presidentin e një shteti të fuqishëm dhe me histori shumë dimensionale të pranisë në Evropën dhe botën tonë. Është privilegj dhe përgjegjësi për mua si kryeministri i shtetit më të ri të Evropës të jem para Pallatit Presidencial të Francës për t’iu garantuar se Kosova do të jetë gjithnjë me aspiratat evropiane dhe demokratike”, tha Kurti.
“Dua t’iu shprehë mirënjohjen time dhe të popullit të Kosovës për drejtësinë e lartë që vendoset në kuadër të NATO-s për t’i dhënë fund një regjimi shovinist që synonte territore me çdo kusht qoftë edhe me gjenocid mbi civilët”, tha kryeministri, transmeton Telegrafi.
Kurti ka kujtuar se shqiptarët ishin populli më i nënvleftësuar në Ballkan.
Kurti në oborrin e pallatit Elysee, siguroi Macronin se Kosova po ndjek nga afër zhvillimet në Bruksel, sidomos pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë të Joe Biden.
“Realiteti i ri ka përbërës të ri. Ne besojmë se një situatë e re politike po krijohet. Ju siguroj president se ne po i ndjekim nga afër zhvillimet e fundit në Bruksel, sidomos pas ardhjes së Joe Biden në Shtepinë e bardhë. Një situatë e menduar më mirë me pjesëmarrje më të artikuluara, më të drejtë peshuara dhe me një besim më të lartë. Dhe në një situatë të tillë ne do të kontribuojmë me të gjitha mundësitë tona. Edhe në rajon me marrëdhënie të mira fqinjësore edhe drejt perspektivës dhe integrimeve evropiane”.
Kryeministri i Kosovës thotë se Kosova do të ndjek shembullin e Evropës për demokraci e zhvillim.
“Ju jeni ndër shtetet e para që keni njohur shtetin e Kosovës. Ka ardhur koha që ne të dëshmojmë se jemi të gatshëm për zhvillim. Kosova mund të përfitojë shumë nga kombi francez”, tha ai.
Kurti në fund ka ftuar Macronin për një vizitë në Kosovë