Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë para mediave në Bruksel se nuk do të marrë pjesë në takimin 11 majit, të paralajmëruar nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.Kurti ka deklaruar se nuk do të ketë një takim me Presidentin e Serbisë, në 11 maj në Bruksel.
Kurti ka nisur të mërkurën takimet zyrtare në Bruksel, në udhëtimin e tij të parë prej kur mori mandatin në krye të Qeverisë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Në delegacion me kryeministrin janë edhe dy zëvendëskryeministra, Donika Gërvalla-Schwartz, për Punë të Jashtme dhe ai për Çështje Evropiane dhe Dialog, Besnik Bislimi.
Ky i fundit ka arritur në Bruksel të martën dhe po atë ditë ka pasur një takim joformal me Përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialog Mirosllav Lajçak.
Kurti së pari zhvilloi një takim me kryeministrin e Belgjikës Aleksandar De Croo, për të vazhduar më pas me takimet në Komisionin Evropian.
Kryeministri i Belgjikës, Alexander De Croo, ka thënë se ka pasur një “takim të mirë, të parë” me Kurtin dhe të ka diskutuar për agjendën e reformave në gjyqësorin e Kosovës, për rimëkëmbjen ekonomike, procesin e vaksinimit, por edhe për aspektin evropian dhe atë trans-atlantik.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se nuk do të ketë një takim me Presidentin e Serbisë, në 11 maj në Bruksel.
Ai e ka argumentuar këtë qëndrim me faktin se nuk ka konfirmuar paraprakisht një takim për dialog mes dy vendeve.
Një takim i tillë ishte paralajmëruar më herët nga shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, që tha se shpresonte që më 11 maj të mbahej raundi i ri i bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
“Unë nuk marr pjesë në atë takim për të cilin nuk e kam konfirmuar paraprakisht pjesëmarrjen.
Prandaj, ajo që mund të konfirmojë është që do të vij në Bruksel për një drekë ose darkë pune të organizuar nga komisioneri (Josep) Borrell nga mesi i muajit maj, ku bëjnë pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor”, tha kryeministri Kurti.
Sipas tij, këto diskutime duhet të jenë të përgatitura mirë dhe me parime “pasi nuk e kemi komoditetin për dështime të reja”.
Kurti prezantoi mundësitë që Kosova ofron për zhvillim ekonomik
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti së bashku me zëvendëskryeministrat Besnik Bislimi dhe Donika Gërvalla sot në Bruksel janë pritur gjithashtu në takim nga Paolo Gentiloni, komisionar i Bashkimit Evropian për Çështjet Ekonomike dhe Financiare.
Në takim u diskutua për ndikimin negativ të pandemisë COVID-19 në ekonomi, dhe angazhimin për rigjenerim nga humbjet e shkaktuara.
Kurti tha se Kosova ka mirëpritur paketën e zgjerimit të BE-së 2020, të lëshuar në tetor, veçanërisht Planin Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor.
Ai theksoi përkushtimin për menaxhimin në mënyrë të përgjegjshme dhe të qëndrueshme të financave publike, duke u kujdesur njëkohësisht për ata që kanë nevojë dhe që janë dëmtuar më së shumti nga pasojat e pandemisë.
Për më tepër, kryeministri Kurti njoftoi komisionarin Gentiloni për synimet e programit të Qeverisë në fushën e zhvillimit ekonomik dhe planet për përmirësimin e kornizës ligjore, si edhe të politikave për transformimin digjital në shërbim të sektorit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.
Kurti prezantoi mundësitë që Kosova ofron për zhvillim ekonomik, duke përfshirë rininë e talentuar dhe shpirtin ndërmarrës të mërgatës.
“Investimi në krijimin e vendeve të reja të punës mbetet prioritet i lartë i qeverisë”, tha ai.
Si e komenton Vuçiqi mosshkuarjen e Kurtit më 11 maj në Bruksel?
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se ai personalisht kurrë nuk besonte në efektin e presionit dhe se ai është i interesuar të flasë për një zgjidhje dhe të gjejë një kompromis në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.
Me rastin e vizitës së Kurtit në Bruksel, e cila pasoi atë të Vuçiçit dhe pyetjen nëse ai pret që dialogu të vazhdojë, disa minuta para se të vinte lajmi nga Brukseli ku Kurti tha se nuk do të marrë pjesë në dialog më 11 maj, presidenti serb tha se do të bëjë diçka tjetër atë ditë, nëse takimi anulohet, raporton Tanjug.
“Unë isha i ftuar për 11 maj. Unë do të shkoj në dialog më 11 maj nëse ka një të tillë. Nëse ata thonë se ai nuk është atje, madje edhe më mirë, unë do të bëj diçka të mirë diku tjetër dhe do të kem më pak probleme atë ditë. Unë do ta kalojë të paktën atë ditë më mirë”, u shpreh Vuçiç.
Ai theksoi kurrë nuk besoi në presion, si proces për zgjidhjen e problemeve.
“Nëse mund të krijojmë një lloj besimi politik, flasim për zgjidhje, kompromise. Dhe fakti që dikush do ta kërcënojë Serbinë ose serbët, se dikush do të ndërtojë disa baza ushtarake. Unë e di që njerëzit nuk janë të kënaqur, por thjesht buzëqeshin me këtë, sepse çdo koment i mëtutjeshëm nga unë do të ishte i tepërt”, tha Vuçiç.