Kryeministri Albin Kurti, së bashku me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, të mërkurën ka vizituar policinë në veri të Mitrovicës.
Lidhur me tensionet në veri, të hënën, Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Ndër tjera, Kurti ka shprehur gatishmërinë e tij për zvogëlimin e pranisë së policisë në ndërtesat komunale në veri gradualisht e në proporcion me vendosjen e rendit dhe ligjit, gjë që njëkohësisht do të mundësonte fushatë të hapur dhe fer para zgjedhjeve të parakohshme demokratike në këto komuna.
Von der Leyen ka kërkuar de-eskalimin e situatës në veri dhe kthimin e palëve në dialog.
Ndërsa dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak në një intervistë për “Euronews” në Serbi ka theksuar se “situata është shumë serioze dhe askush nuk po pretendon sikur nuk kemi krizë të madhe”.
Lajçak theksoi se Kurti e Vuçiq u pajtuan për zgjedhje, por jo edhe për shtensionim.
“Gjëja pozitive është se edhe Vuçiq edhe Kurti e kuptuan se sa e rëndë është situata. Askush nuk e fsheh këtë dhe nuk pretendon se nuk kemi krizë serioze në veri. Dhe së dyti, ata ranë dakord se një nga elementet kryesore të daljes nga kriza janë zgjedhjet e reja. Ajo për të cilën ata nuk u pajtuan ishte çështja e de-përshkallëzimit. Si do të funksionojnë këta kryetarë të komunave dhe nga ku”, ka thënë Lajçak.
Lista Serbe ka reaguar për vizitën e kryeministrit Albin Kurti në veri të Mitrovicës, përkatësisht te Kroi i Vitakut.
Përmes një postimi në profilin zyrtar në rrjetin social Facebook, Lista Serbe ka thënë se Kurti në veri hyri si hajdut i rrethuar nga dhjetëra persona të armatosur.
“Si druvar, apo hajdut kur fillon të vjedhë, i rrethuar nga dhjetëra persona të armatosur, Albin Kurti erdhi në skajet e veriut të Kosovës, më saktësisht në skajin e Mitrovicës së Kosovës për t’ia treguar në kryendërmjetësit të Bashkimi Evropian, Mirosllav Lajçak dhe Përfaqësuesi të Lartë të Bashkimit Evropian, Joseph Borell, si duket shtensionimi në terren”, thuhet në njoftim.
“Disa do të thoshin një shuplakë të fortë për komunitetin ndërkombëtar, dhe një tjetër kërcënim për serbët në Kosovë e Metohi, dhe çfarë do të thotë bashkësia ndërkombëtare do të shohim. Kush do të jetë tani pala tjetër përgjegjëse për këtë provokim? Cili ishte qëllimi i vizitës së sotme të Albin Kurtit në një vendbanim të përzier në të cilin për një kohë të gjatë nuk ka pasur incidente mes serbëve dhe shqiptarëve, përveç që Kurti mendon se është i madh dhe i fortë, natyrisht kur është në shoqëri e dhjetëra personave të armatosur që as nuk e dinë arsyen e këtij ekskursioni, që sigurisht është një dëshmi e ideologjisë pushtuese të Kurtit”, thuhet në njoftim.