Kur Shqipëria spiunonte shqiptarët te OZN-a

Formimi i Komitetit të NDSH-së në Dibër, ishte me peshë kombëtare, për shkak se Komiteti i Dibrës ishte lidhja e drejtpërdrejtë me gueriljen shqiptare në krahinat e Dibrës dhe të Lumës. OZN-a kishte njohuri për organizimin e shqiptarëve edhe në këto krahina, sepse këto informata i merrte prej shërbimit sekret shqiptar. Ata bënin plane të përbashkëta për eliminimin e këtyre forcave, por paraprakisht duhej krijuar një klimë e përshtatshme në opinionin shqiptar: që Jugosllavia dhe Shqipëria janë dy shtete të vllazëruara, prandaj të gjithë ata që punojnë kundër këtij “Vëllazërim Bashkimit”, janë “tradhtarë” të popullit të vet

Nga Qerim LITA

Letra, përkatësisht “Direktiva”, që Zllatku e mori nga Qemal Skënderi, përbëhej prej 6 pikave:

  1. Komiteti i Qarkut në Dibër duhet të numëroj 6-7 vetë;
  2. Komiteti i Qarkut ka për detyrë të formoj komitetet e rretheve dhe ato vendore;
  3. Secili komitet i rrethit duhet të ketë një kryetar intelektual dhe dy anëtarë të cilët gëzojnë autoritet në popull;
  4. Secili komitetet i rrethit ka sektorin e tij financiar dhe informativ;
  5. Komiteti i Qarkut ka për obligim ta mirëmbaj çetën e vet të armatosur;
  6. Sektori informativ duhet të informoj për gjithçka çfarë dëgjon por të njëjtat nuk guxon t’i stërmadhoj”.

Nga deklaratat që dalin nga hetuesia si edhe nga vetë procesi gjyqësore, kuvendi themelues i komitetit regjional të Dibrës u mbajt me 12 qershor 1946, në të cilën morën pjesë: Dr. Qeram Zllatku, Osman Cami, Medat Tërshana, Shaban Ballanca dhe Esad Mezenxhiu. Kuvendi zgjodhi për kryetar të komitetit Qeram Zllatkun, ndërsa Shaban Ballancën sekretar. Gjithashtu, në Kuvend Osman Cami u autorizua që të formoj Komitetin komunal të Strugës. Ndër vendimet tjera me rëndësi kombëtare që i solli Kuvendi ishin edhe:

  1. a) Forcat e armatosura shqiptare që veprojnë në krahinën e Dibrës, të udhëhequr nga Shemsi Hatipi, Dan Kaloshi, Cen Elezi, Ali Maliqi etj., në të ardhmen do të quhen si forca të armatosura të NDSH-së;
  2. b) Këto forca do të veprojnë, sipas urdhrit të Komitetit të NDSH-së, në Dibër;
  3. c) Komiteti i NDSH-së në Dibër merr për obligim që të bëjë furnizimin e këtyre forcave me ushqim, veshmbathje dhe armatim;

ç) Lidhjet mes komitetit dhe çetës së Shem Hatipit do t’i mbajë Medat Tërshana dhe Gani Beu”.

Komiteti Qarkor i NDSH-së në Dibër, edhe pse u themelua me vonesë, ishte shumë aktiv në të gjitha fushat e veprimit. Së shpejti, Medat Tërshana së bashku me Gani Beun, i vendosi lidhjet me çetën e Shemë Hatipit. Nga deklarata e Gani Beut, dhënë me 25 shtator 1946 para organeve të hetuesisë, kuptojmë se takimi ishte mbajtur në malin e fshatit Tërbaç, ku krahas Shemë Hatipit, kanë marrë pjesë edhe Ali Tërbaçi, Pajazit Previzi, Mahmut Previzi, Nazim Tateshi, Murat Labënishti.. etj. Në anën tjetër, në një mbledhje të Komitetit të NDSH-së, të mbajtur në pjesën e dytë të qershorit, organizatës ju bashkuan edhe këta anëtarë të rinj: Jakov Simonidis, Qemal Shehu, Munir Disha, Irfan Nazifi, Sait Daci, Fet Marku, Mule Duka dhe Gafur Karamani. Njëkohësisht u hartua plani i shtrirjes së Komitetit nëpër fshatra, ku për fshatrat Hame, Krivcë, Spas dhe Sollokiq, ju dha si detyrë ta kryejë Medat Tërshana, ndërsa në pjesën e Gollëbërdës u caktua Osman Cami.

Formimi i Komitetit të NDSH-së në Dibër, ishte me peshë kombëtare, për shkak se Komiteti i Dibrës ishte lidhja e drejtpërdrejtë me gueriljen shqiptare në krahinat e Dibrës dhe të Lumës. OZN-a kishte njohuri për organizimin e shqiptarëve edhe në këto krahina, sepse këto informata i merrte prej shërbimit sekret shqiptar. Ata bënin plane të përbashkëta për eliminimin e këtyre forcave, por paraprakisht duhej krijuar një klimë e përshtatshme në opinionin shqiptar: që Jugosllavia dhe Shqipëria janë dy shtete të vllazëruara, prandaj të gjithë ata që punojnë kundër këtij “Vëllazërim Bashkimit”, janë “tradhtarë” të popullit të vet, ose janë mashtruar prej “imperializmit” perëndimor. Në kuadër të këtyre planeve, në qershor të vitit 1946, kreu i frontit popullor të Maqedonisë shpalli aksionin në ndihmë të shtetit të vëllazëruar shqiptar. Lidhur me këtë bëhet fushatë e madhe vetëm e vetëm që vëmendja të përqendrohet në këtë drejtim. Organizatat politike, pa ndërprerë informonin për sasinë e grumbulluar të ndihmës kushtuar Shqipërisë. Buleteni informativ i PKM-së, njoftonte për “disponimin dhe popullarizimin” e këtij aksioni në vendbanimet shqiptare:

“…Kontrata për ndihmë reciproke me Shqipërinë më së shumti pati jehonë te popullsia shqiptare, mirëpo organizatat partiake nuk e kanë popullarizuar sa duhet, kështu që disa elementë reaksionarë e kanë lidhur me gjendjen në Shqipëri e cila është ‘kritike’, për arsye se disa banda qëndrojnë në mal si Cen Elezi, Dan Kaloshi me disa tjerë, dhe përse për këtë kërkohet ndihmë ushtarake nga Jugosllavia. Kjo, veçanërisht, është për rajonin e Gostivarit, Dibrës dhe Tetovës…”.

FORMIMI I KOMITETIT TË NDSH-SË PËR RRETHIN E STRGUGËS

Mbështetur në vendimet e Kuvendit të Komitetit të NDSH-së për Dibër, si dhe direktivës së KQ të NDSH-së, O. Cami, në pjesën e parë të korrikut 1946, udhëtoi për në Strugë, me qëllim që të shohin mundësinë e themelimit të komitetit të NDSH-së për rrethin e Strugës. Nga dokumentacioni që e kemi në shqyrtim, fatkeqësisht nuk ofrohet asnjë e dhënë konkrete, se kush e udhëhiqte Komitetin e Strugës, vetëm se në to thuhet që “Komiteti i NDSh-së për Qarkun e Dibrës, përkatësisht, i deleguar i tij, Osman Cami, ka udhëtuar për në Strugë, ku ka zhvilluar biseda me disa personalitete rreth mundësisë së themelimit të komitetit…”, mirëpo, në të mungon një informatë konkrete se kush i printe Komitetit të Strugës.

Këtë dilemë e ka lënë të hapur edhe vetë O. Cami, i cili gjatë procesit të hetuesisë, vetëm për këtë çështje u morr tre herë në pyetje. Në deklaratën e parë, dhënë më 5 gusht 1946, Cami thekson se për në Strugë, dhe se fillimisht është ndal në Ohër, përkatësisht në manastirin “Shën Naum”, ku “rastësisht” është takuar me Jashar Dacin nga Dibra, i cili siç pohon Cami, nga Dibra ishte larguar “të njëjtën ditë kur është arrestuar Gani Beu, Metko dhe Shasivari dhe përmes telefonit i është lajmëruar babait të tij me emrin ‘Besnik’…”. Të nesërmit O. Cami, ka udhëtuar për në Strugë ku ka qëndruar tre ditë dhe se gjoja nuk është takuar me asnjë shqiptar, dhe se pasi është kthyer në Dibër, e ka informuar Q. Zllatkun se “në lidhje me organizatën nuk ka arrit të bëj asgjë…”.

Ndërkohë, më 24 gusht 1946 organet e hetuesisë sërish e marrin në pyetje O. Camin, i cili pyetjes së parashtruar nga ana e hetuesisë se me kënd është takuar në Ohër, i përgjigjet me sa më poshtë vijon: “Unë për në Strugë udhëtova rreth datës 5 korrik. Së pari shkova në Shën Naum, ku bujta një natë, gjithashtu një natë bujta edhe në Ohër. Kësaj radhe në Shën Naum shkova për t’i humbur gjurmët nga pushteti nëse do përcillesha nga ndonjë njeri. Të mos i shkoj ndërmend pushtetit se drejtpërdrejti shkoj për Strugë, por gjoja shkoj për Shën Naum…Posa arrita në Strugë e kërkova Rustem Beqir Agën me të cilin duhej të takohesha dhe t’ia dorëzoj vendimin e komitetit tonë. Për Rustemin e pyeta Filipin nga Dibra, i cili jeton në Strugë, e i cili më tha se Rustemi që moti është burgosur. Pas kësaj unë nuk u takova me asnjë njeri tjetër për punën e organizatës tonë. Në Strugë qëndrova tre ditë, pasi nuk pati mjete transportuese për në Dibër. Pas kthimit në Dibër u takova me Qeram Zllatkun e Medat Tërshanën të cilëve u referova se nuk kam bërë asgjë, për arsye se personi me të cilin mendoja të flas ishte burgosur”. Në mbrëmjen e së njëjtës datë (24 gusht 1946 në ora 19,00), Cami sërish merret në pyetje, i cili për dallim nga dy deklaratat e para, është diç më i qartë, duke pohuar se në Ohër përveç se me Jashar Dacin ishte takuar edhe sekretarin e KQ të NDSh-së, Azem Maranën si dhe me Mustafa Dokon dhe një hafiz nga Shkupi, mirëpo, ai mohon se në atë takim është biseduar për organizatën: “Në Ohër u takova me Azem Maranën, Mustafa Dakun (me siguri bëhet fjalë për Mustasfa Doko – Q. L.), një hafiz nga Shkupi (hafiz Mexhit Zyberi – Q. L.), Jashar Daci, një tregtar nga Ohri. Të gjithë ne u ulëm në një kafiteri, mirëpo nuk patëm ndonjë bisedë serioze. Pasi u ndamë unë dhe Jashar Daci shkuam në plazh. Pas pak erdhi Azem Marana dhe Mustafa Daku dhe edhe këtu nuk folëm asgjë, vetëm se Azemi më tha se kur do të kthehet për Shkup do të ndalet në Dibër, mirëpo kur u ktheva Azemi e kishte lëshuar Dibrën”.

Leave a Comment

Your email address will not be published.