Në pikat kufitare në Merdare dhe tek Dheu i Bardhë janë krijuar radhë të gjata të emigrantëve, të cilët janë nisur drejt vendlindjes për të kaluar festat e fundvitit. Kurse në aeroportin e Prishtinës, vetëm gjatë ditës së sotme, 41 fluturime do të realizohen nga Zvicra dhe Gjermania.
Ndërsa Kosova po përballet me një numër të madh të rasteve me Covid-19, shumë emigrantë kanë zgjedhur që të vijnë në atdhe dhe të kalojnë pushimet dimërore me familjarët e tyre. Kurbetxhinjtë janë nisur drejt Kosovës me vetura e avionë.
Vetëm gjatë ditës së hënë, 41 fluturime do të realizohen nga Zvicra dhe Gjermania drejt Kosovës. Lajmin e ka bërë të ditur Kryeshefi i Korporatës “Sfidat e Mijëvjeçarit” për Kosovë, Petrit Selimi, përmes një postimi në llogarinë e tij në Twtter.
“Sfida e jashtëzakonshme e pandemisë – turizmi i diasporës. 26 fluturime nga Zvicra vetëm sot për të arritur në Aeroportin e Prishtinës. 15 fluturime të tjera nga Gjermania. Ditëve në vijim: dhjetëra mijëra njerëz tjerë do të arrijnë në aeroportet e Shkupit ose Tiranës ose përmes veturave e autobusëve”, ka shkruar Selimi.
Po ashtu edhe në pikat kufitare kanë filluar të shtohen pritjet. Në Qendrën Kombëtare të Menaxhimit Kufitar njoftojnë se pritjet për në hyrje në vendkalimin kufitar në Merdar janë nga 45 minuta deri në 1 orë.
Mërgimtarët që vijnë nga vendet e Evropës ku potencialisht numri i rasteve është i madh dhe janë në listë e ICDC’së, ata duhet të kenë me vete edhe testin negativ apo besueshmërinë se ai person nuk është i infektuar me koronavirus.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka treguar se nëse ndonjë qytetarë vjen nga shtetet e Evropës i infektuar, ai duhet të karantinohet për shtatë ditë në shtëpi.
“Çdo qytetarë që nuk është banorë i Kosovës dhe vjen nga shtetet që potencialisht janë shpërndarës të infeksionit dhe janë në listën e ICDC-së, ne kemi si masë atë që quhet testi negativ apo besueshmërinë se ai person nuk është i infektuar. Ndryshe nëse ai afrohet afër kufirit ajrorë apo tokësorë rekomandohet që të shkojë në vet izolim derisa brenda shtatë ditëve ai vlerësohet se nuk është i sëmurë dhe mund të zhvillojë aktivitetin normal jetësorë”, deklaroi Zemaj.
Ndërsa edhe në pikat kufitare Kroaci-Serbi, Slloveni-Kroaci, Hungari-Kroaci, janë krijuar kolona të shumta për shkak të fluksit të madh të mërgimtarëve të cilët ia kanë mësyrë Kosovës për t’i kaluar pushimet dimërore.
Përveç radhëve të gjata të krijuara nga qytetarët që po nisen për pushimet e fundvitit, vonesa në kufi janë shkaktuar për shkak të vendimit të Serbisë, që t’iu kërkojë teste negative të koronavirusit, të gjithë qytetarëve që hyjnë në këtë shtet. Ata persona që hyjnë në Serbi dhe që nuk kanë test negativ, duhet të izolohen për dhjetë ditë.
Shtetet e Ballkanit Perëndimor në baza ditore raportojnë për numër të lartë të infektimeve dhe spitalet në mbarë rajonin janë të mbingarkuara me pacientë që kërkojnë ndihmë mjekësore. Vizitat e familjarëve që jetojnë jashtë vendit zakonisht bëjnë që njerëzit të kenë kontakte më të shumta gjatë ndejave familjare, që potencialisht, sipas ekspertëve, mund të bëjë që të ketë përhapje më të madhe të virusit.