Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kandidatja për presidente nga lista e kësaj partie, Vjosa Osmani, premtuam një qeveri që do të fokusohet në drejtësi dhe në krijimin e vendeve të punës.
Me gati 90 për qind të votave të numëruara nga zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.7 për qind, tregojnë të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Sipas tyre, Partia Demokratike e Kosovës ndodhet e dyta me 17.29 për qind dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e treta me 13.39 për qind.
Në rezultatet preliminare nuk përfshihen votat me kusht, votat me postë dhe votat e personave me nevoja të veçanta.
Kurti, në një konferencë për media nga selia e partisë së tij në Prishtinë, e cilësoi si “madhështore” fitoren.
“Ky referendum për drejtësi dhe punë, e kundër kapjes së shtetit dhe korrupsionit u fitua. Është diçka e pashembullt në Kosovën e pasluftës”, tha ai.
“Nga nesër fillon një ditë e re. Na presin shumë punë dhe angazhime, sepse vendi është në kriza të shumëfishta”.
“Secili prej nesh duhet ta marrë përgjegjësinë që i takon, për ta bërë vendin tonë një vend të jetueshëm për të gjithë, ashtu siç është i dashur për të gjithë”, tha Kurti, duke u zotuar se do të udhëheqë “pa inate dhe pa revanshizëm”.
“Prioriteti ynë është drejtësia dhe punësimi”, theksoi ai.
Vjosa Osmani, kandidate e listës së Vetëvendosjes për presidente, tha se me fitoren e kësaj partie “Kosova do të ndryshojë”.
“Institucionet e reja do të drejtohen nga drejtësia”, tha ajo.
Hoxhaj pranon humbjen, uron fituesin
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, njëherësh kandidati i kësaj partie për kryeministër, e ka uruar Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren dhe ka bërë të ditur se partia e tij, nuk do të jetë pjesë e qeverisë.
“PDK-ja nuk do të jetë pjesë e qeverisë me Lëvizjen Vetëvendosje, pasi që kemi dallime të mëdha në orientimet tona politike dhe nuk bëjmë kompromis me vlerat mbi të cilat është ndërtuar dhe në të cilat qëndron PDK-ja. Kosova ka nevojë për stabilitet dhe ne zotohemi që do të jemi faktor i stabilitetit si parti në opozitë ”, tha Hoxhaj në një konferencë për media.
Hoti merr përgjegjësinë e plotë për rezultatin e LDK-së
Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherë kryeministër në detyrë Avdullah Hoti, tha se Kosova ka përmbyllur një proces të rregullt zgjedhor.
Sipas tij, kjo tregon për kulturën demokratike që është vendosur në procese zgjedhore, që siç thotë Hoti, është përmbushje e standardeve evropiane.
Ai thotë se pret që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të përmbyllë sa më parë procesin e numërimit të votave dhe certifikimit të rezultateve, që t’i hapet rrugë themelimit të institucioneve të reja të vendit.
Qeveria në detyrë, shtoi Hoti, do të kujdeset për mbarëvajtjen e punëve deri në zgjedhjen e qeverisë së re nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
“Rezultatet preliminare janë krejt tjera prej atyre që kemi pritur. Prandaj, unë e marrë përgjegjësinë e plotë për këtë rezultat zgjedhor të LDK-së. Në ditët në vijim do të diskutojmë gjerësisht me organet e LDK-së për këtë. Në emër të LDK-së ne do të jemi mbrojtës të pa kompromis të demokracisë dhe të orientimit properëndimor, duke qenë opozitë konstruktive në interes të shtetit të Kosovës”, tha Hoti.