Kurti e Vuçiç takohen sot në Bruksel, pritet miratimi i Deklaratës për të Zhdukurit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, takohen sot në Bruksel për një rund të ri bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve.

Bashkimi Evropian ka konfirmuar tashmë se thirrjes së përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell, për këtë takim, i janë përgjigjur pozitivisht të dy liderët.

Kurti dhe Vuçiç janë takuar për herë të fundit në Ohër, më 19 mars, kur edhe janë pajtuar gojarisht për zbatimin e asaj që njihet si Marrëveshje Bazë, e që duhet të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Lexo më shumë  Banka Botërore bën thirrje për të rritur mbështetjen ndaj fermerëve, Shqipëria më dobët në rajon

Zyrtarë të BE-së kanë konfirmuar se në agjendën e takimit të sotëm pritet të jenë dy çështje kryesore: miratimi i Deklaratës për të Zhdukurit dhe paraqitja e draftit të parë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Pas këtyre dy temave do të shihet se sa mund të diskutohet edhe për çështje të tjera”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

BE-ja i ka shmangur përgjigjet në pyetjet e gazetarëve rreth shkeljes së mundshme të marrëveshjes që ka bërë Serbia, duke votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Lexo më shumë  Banka Botërore bën thirrje për të rritur mbështetjen ndaj fermerëve, Shqipëria më dobët në rajon

Marrëveshja, e cila është njohur më herët edhe si propozimi evropian, ka edhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka biseduar javën e kaluar edhe me Kurtin, edhe me Vuçiqin në lidhje me takimin e sotëm dhe ka shfaqur shpresën se palët do të jenë konstruktive.

Leave a Comment

Your email address will not be published.