Prishtinë, 17 shtator – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se ekziston mundësia për shpërthim të luftës së re në Kosovë, duke pasur parasysh se Serbia vazhdon ta furnizojë ushtrinë e vet me armë nga Rusia dhe Kina.
Në intervistën e sotme për gazetën kroate “Veçernji list”, që e transmetojnë mediat e Kosovës, Kurti tha se “do të ishte pa përgjegjësi të thuhet se asnjëherë më nuk do të ketë konflikt dhe luftë”.
“Nëse nuk ka përgatitje për luftë, pse atëherë vitin e kaluar Serbia dhe Rusia kanë pasur 104 stërvitje dhe aktivitete të përbashkëta ushtarake dhe kurse kishin planifikuar 91 sosh. Nga ato stërvitje ushtarake, dy më të rëndësishmet janë quajtur ‘Mburoja sllave’ dhe ‘Vëllazëria sllave’”, thotë Kurti.
Duke u përgjigjur në pyetjen për kundërshtimin e tij për formimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë, Kurti tha se kjo do të paraqiste “hyrje në krijimin e një Republike të re sërpska” në rajon.
Sipas kryeministrit kosovar, puna më e rrezikshme për momentin është ajo që “kryesia e Serbisë e konsideron Rusinë si nënë të vet”.
Për mundësinë e një konflikti të ri në Kosovë dhe në rajon, Kurti paralajmëroi edhe në intervistën që e dha muajin e kaluar për “La Republika”, duke i cekur lidhjet e Beogradit zyrtar, në krye me presidentin Vuçiq me regjimin e Moskës, tël kryesuar nga Putini.
“Rrezikojmë luftë. Prapa Serbisë qëndron Putini. Nuk do të thosha se rreziku është mjaft i lartë, sepse ne e kemi kontigjentin e NATO-s këtu, por sigurisht se është i lartë. Ne jemi një demokraci e cila ka një autokraci në kufi”, deklaroi Kurti për gazetën italiane në gusht të këtij viti.