Kurti pret që SHBA-ja të tërhiqet nga idetë e Trumpit për dialogun

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur bindjen se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën administratën e Joe Bidenit, nuk do të marrë parasysh idetë e ish-presidentit Donald Trump për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në një intervistë për mediumin prestigjioz francez “Le Monde”, pas takimit me presidentin Emmanuel Macron, Kurti është shprehur se ideja e shkëmbimit të territoreve si zgjidhje në dialog “ka mbaruar”.

“‘Le Monde’: Ky dialog serbo-kosovar po zhvillohet nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian dhe nga pala amerikane. Pasi administrata Trump dëshironte shkëmbime territoresh midis Serbisë dhe Kosovës, a shihni ndryshim diplomatik që nga zgjedhja e Joe Biden?” ka qenë pyetja e mediumit francez për Kurtin, ka njoftuar Qeveria e Kosovës në një komunikatë për media të shtunën në mesditë.

“Zgjedhja e Presidentit Biden është një sinjal shumë pozitiv. Së pari, Joe Biden është bërë udhëheqësi i socialdemokratëve në botë, është një kohë shumë interesante. Së dyti, unë besoj se administrata amerikane nuk merr shumë parasysh atë që zoti Trump kishte bërë në mënyrë diplomatike. Kjo histori absurde e shkëmbimit të territoreve ka mbaruar, nuk flasim më për të”, ka thënë Kurti në përgjigjen e tij për këtë çështje.

Ditë më parë, Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Kurti e cilësoi të pavlerë juridikisht Marrëveshjen e Washingtonit, që qe nënshkruar nga Kosova dhe Serbia në Shtëpinë e Bardhë vitin e shkuar, me ndërmjetësim të presidentit Trump. Nuk vonoi shumë nga kjo deklaratë dhe SHBA-ja publikoi studimin e fizibilitetit për menaxhim të Ujmanit, bazuar pikërisht në marrëveshjen e shtatorit të 2020-s. Qeveria ende s’e ka komentuar raportin.

Në këtë intervistë, Kurti ka folur edhe për takimin që pati me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel javë më parë. Ai ka thënë se udhëheqësit e Serbisë duhet të largohen nga trashëgimia e Millosheviqit.

“Pavarësia e Kosovës është trembëdhjetë vjeçare. Ne nuk mund të kemi bisedime si para vitit 2008. Që nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në 2010, i cili vërtetoi që deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk shkelte ligjin ndërkombëtar, ky debat është mbyllur. Unë nuk do të bisedoj për statusin e Kosovës, kjo është një çështje e zgjidhur. E vetmja temë sot janë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Vuçiqi duhet ta kuptojë këtë. Sidoqoftë, Vuçiqi ende e konsideron Kosovën si një territor që Serbia duhet një ditë ta rimarrë, pa ndonjë konsideratë për njerëzit e saj, qytetarët e saj. Serbia duhet të përballet me të kaluarën e saj dhe të demokratizohet”, ka thënë ai. “Në Bruksel, unë bëra katër propozime. I pari është reciprociteti i të drejtave të pakicave serbe dhe shqiptare në secilin vend. I dyti është një ‘deklaratë e paqes’, duke u zotuar të mos sulmojmë njëri-tjetrin kurrë më ushtarakisht, veçanërisht në një kohë kur Beogradi po blen armë nga Rusia; por Vuçiqi menjëherë refuzoi. I treti është që çështja e të zhdukurve të luftës të bëhet çështje me përparësi. Dhe i katërti është lëvizja drejt një marrëveshjeje rajonale të tregtisë së lirë”.

Për gazetën franceze, e cila e quan Kurtin si ish-aktivist të UÇK-së, kryeministri i Kosovës ka thënë se Serbia duhet ta pranojë realitetin dhe të demokratizohet.

Ai ka thënë se tashmë diskutimi për pavarsinë e Kosovës është mbyllur tashmë dhe Vuçiç duhet ta kuptojë këtë gjë, kjo është çështje e zgjithur tha Kurti por gjëja që ai do të diskutojë me Serbinë i përket vetëm dialogut dhe se Vuçiç duhet ta harroj të kaluarën,

“Kurti është ish-aktivist i krahut politik të guerilës kosovare, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UCK). U mbajt në Serbi për dy vjet në kohën e luftës në Kosovë. Ai më pas e krijoi lëvizjen Vetëvendosje, me një program revolucionar dhe u bë një kundërshtar i vendosur i qeverive të njëpasnjëshme të komandantëve të UÇK-së. Albin Kurti paraqitet sot si një socialdemokrat dhe u zgjodh si kryeministër me një program për ta luftuar papunësinë, korrupsionin dhe krimin e organizuar“- shkruan Le Monde.

Leave a Comment

Your email address will not be published.