Kush e pengon zgjidhjen e konfliktit Izrael-Palestinë?

Diplomati i njohur, ambasadori Dashnor Dervishi, i cili ishte ambasadori i parë i Shqipërisë që hapi selinë tonë diplomatike më 1998 në Tel Aviv, në kujtimet e tij për periudhën e shërbimit të tij në Izrael, 1998-2001, analizon të gjithë faktorët që kërkojnë zgjidhje për t’i dhënë fund konfliktit 100-vjeçar arabo-izraelit.

 

 

IZRAELI DHE KONFLIKTI NË LINDJEN E MESME

PAK HISTORI

Konflikti izraelito-arab është një ndër konfliktet më të vjetra të botës, i cili është shtruar për zgjidhje mbas Luftës së Dytë Botërore, mbas krijimit të shtetit të Izraelit në vitin 1948. Por vetëm me mbarimin e Luftës së Ftohtë, kanë filluar përpjekjet për zgjidhjen reale të konflikteve në botë, duke u kushtuar vendin kryesor bisedimeve dhe marrëveshjeve.

Deri në vitin 1947, historia e zonës është e mbushur me luftëra civile midis arabëve dhe hebrenjve, si dhe me fuqizimin dhe shtimin e vendbanimeve të hebrenjve me të ardhur të tjerë. Më 29 nëntor 1947, për t’i dhënë fund konfliktit të gjatë, Asambleja e OKB miratoi Rezolutën 181, me anë të së cilës propozohej ndarja e territorit të Palestinës ndërmjet dy shteteve që do të krijoheshin atje, atij arab dhe atij hebre. Sipas ndarjes së propozuar, 55% e territorit do t’u kalonte hebrenjve, pjesa tjetër arabëve; ndërsa Jerusalemi do të ndërkombëtarizohej.

Hebrejtë ishin shumë të kënaqur me këtë vendim, ndërsa arabët e kundërshtuan fuqishëm. Sipërfaqja e propozuar arabëve në atë kohë ishte shumë më e madhe sesa ajo që ata pretendojnë tani, kur ajo sipërfaqe është tkurrur mbas një sërë luftërash të tjera që u zhvilluan në Palestinë; dhe veç kësaj këto territore nuk ishin të shkëputura siç janë sot. Pas miratimit të Rezolutës, në Palestinë shpërtheu lufta civile. Hebrenjtë treguan superioritet dhe pushtuan shumë territore të banuara nga arabë. Dhjetëra mijëra refugjatë arabë u detyruan të lënë trojet e tyre dhe u vendosën në shtetet fqinje arabe.

Më 14 maj 1948, ditën që mbaroi Mandati Britanik në Palestinë, u shpall krijimi i shtetit të Izraelit. Ai u njoh nga SHBA dhe BS. Shtete arabe si Egjipti, Trans-Jordania, Iraku, Siria dhe Libani ndërhynë me ushtritë e tyre për të luftuar shtetin e porsakrijuar. Gjatë luftimeve, izraelitët pushtuan edhe një sërë territoresh të tjera arabe, duke krijuar shkëputjen e Gazës nga territoret e tjera arabe në perëndim të lumit Jordan, të cilat u pushtuan nga Jordania; ndërsa Gaza u pushtua nga Egjipti. Ushtria izraelite pushtoi edhe Galilenë Perëndimore dhe qendrën e saj Nazareth, e cila banohej nga arabët dhe ishte paracaktuar për ta nga Rezoluta e OKB. Kështu, në fund të luftimeve, shteti izraelit përfshinte shumë më tepër territore nga ato që ishin caktuar për të. Po ashtu, territoret e mbetura për palestinezët nuk kishin vazhdimësi territorial. Në 11 maj 1949, Izraeli u pranua në OKB.

Deri në vitin 1967, pati një sërë konfliktesh rajonale të Izraelit me të gjithë fqinjët arabë, të cilët sponsorizoheshin edhe nga fuqitë e mëdha. Ndërsa SHBA dhe fuqitë e tjera perëndimore mbështesnin dhe armatosnin Izraelin, BS mbështeste dhe furnizonte me armë vendet arabe, kryesisht Egjiptin. Më 5-10 qershor 1967, Izraeli filloi në mënyrë të papritur sulmet ajrore, njëkohësisht kundër Egjiptit, Jordanisë, Sirisë dhe Libanit, praktikisht të gjithë fqinjët e saj, në atë që u quajt Lufta e 6 Ditëve. Befasia dhe supremacia ajrore e Izraelit bëri që ai të pushtonte të gjithë Bregun Perëndimore të lumit Jordan (West Bank), Jerusalemin Lindor, Rripin e Gazës, duke futur brenda kufijve të tij gjithë ish-Palestinën, si dhe territore të tjera si Golanin e Sirisë dhe gadishullin e Sinait të Egjiptit. Refugjatë të tjerë arabë u larguan nga trojet e tyre.

Më 22 nëntor 1967, Këshilli i Sigurimit të OKB aprovoi një rezolutë britanike, Rezolutën 242, që kërkonte tërheqjen e ushtrive izraelite nga territoret e pushtuara gjatë Luftës së 6 ditëve. Kjo rezolutë nuk u zbatua. Më 27 mars 1979, Izraeli nënshkroi traktatin e paqes me Egjiptin dhe u largua nga gadishulli i Sinait.

Pas një periudhe të gjatë konfliktesh, me mbështetjen e SHBA dhe Rusisë, në vitin 1991, u mbajt në Madrid konferenca e parë shumëpalëshe për fillimin e procesit të paqes, me pjesëmarrjen e Izraelit dhe vendeve arabe, e cila, megjithëse nuk solli rezultate konkrete, të paktën arriti të realizonte takimin e përfaqësuesve të vendeve që ishin akoma në gjendje lufte.

Në vitin 1993, me ndërmjetësinë e amerikanëve, filluan bisedimet izraelito-palestineze dhe izraelito-siriane. Ndërsa me Sirinë nuk u arrit ndonjë marrëveshje, për herë të parë u gjet gjuha e përbashkët me palestinezët. Marrëveshja e Oslos, e cila u arrit nëpërmjet bisedimeve të fshehta nga frika e opozitave përkatëse, u nënshkrua më 14 shtator 1993 në Uashington, në një takim historik midis Rabin, Arafat, Clinton, Peres, Mahmoud Abas (Abu Mazen), Christofer, Kozirev. Me atë marrëveshje u pranua t’i jepej fund konfliktit, të bashkëjetohej në paqe, duke njohur të drejtat legjitime të të dyja palëve. Aty u njoh vendosja e një Autoriteti Palestinez Vetëqeverisës të Përkohshëm, në Bregun Perëndimor të lumit Jordan dhe në Rripin e Gazës për një periudhë 5-vjeçare, e cila do të shpinte në një status përfundimtar, sipas rezolutave 142 dhe 338 të Këshillit të Sigurimit të OKB.

Israel-Palestine-Al-Asqa-Mosque-May-10-2021-e1620821252735

ZGJIDHJA E KONFLIKTIT

Zgjidhja e një konflikti kërkon mbajtjen e një qëndrimi objektiv ndaj palëve, gjë që kërkon njëkohësisht njohjen me historinë e zonës dhe të rivendikimeve të tyre. Zgjidhja është shumë më komplekse sesa dhënia e përgjigjes për pyetjen klasike “kush e ka fajin?”. Në zgjidhjen e konfliktit, përveç emancipimit të palëve apo mospërkuljes së tyre, përveç aftësisë për të bërë lëshime apo këmbënguljes për të mos lëshuar, një rol të rëndësishëm do të luajë ruajtja e interesave të caktuara specifike të fuqive të mëdha, kryesisht SHBA.

Zgjidhja përfundimtare e konfliktit të Lindjes së Mesme shtron zgjidhjen e këtyre problemeve:

1. Caktimi i statusit përfundimtar të Jerusalemit
2. Caktimi i entitetit palestinez
3. Caktimi i kufijve ndarës midis Izraelit dhe palestinezëve
4. Zgjidhjen e problemit të refugjatëve palestinezë

ZGJIDHJA E PROBLEMIT TË JERUSALEMIT

Jerusalemi është i vetmi vend në botë ku ndodhen objektet kryesore të kultit të të tria feve, asaj hebraike, kristiane dhe myslimane. Historikisht, ky qytet i lashtë ka qenë objekt luftërash dhe kontestimesh të shumta. Për përkatësinë e Jerusalemit ka pretendime si nga Izraeli, ashtu edhe nga palestinezët. Gjatë marrëveshjeve të ndryshme dypalëshe, nuk është vendosur për fatin e tij. Kjo është lënë të bëhet në bisedimet e pritshme për statusin final.

Për hebrenjtë, Jerusalemi ka qenë kryeqyteti i tyre i parë, që përpara 3000 vjetësh dhe emri i tij është i lidhur me të gjithë traditën e tyre fetare dhe civile. Në zonën e vjetër të Jerusalemit, krahas të tjerave, ndodhen edhe rrënojat e Tempullit të lashtë, që është vendi më i rëndësishëm i kultit për fenë hebraike. Faktikisht, Jerusalemi konsiderohet nga izraelitët si kryeqyteti i tyre. Atje janë vendosur selitë e institucioneve më të larta qeverisëse të vendit, si Parlamenti, Presidenca, Ministritë etj., ndërkohë që shumica dërmuese e ambasadave të huaja janë të vendosura në Tel Aviv. Ndër të gjitha forcat politike izraelite ekziston konsensusi i përbashkët se Jerusalemi i pandarë i takon në mënyrë të padiskutueshme kombit hebre.

Një qëndrim të ngjashëm ndaj Jerusalemit mban edhe pala palestineze. Për shumë shekuj, Jerusalemi ka qenë qendra e arabëve të Palestinës dhe një vend i shenjtë për ta. Në vendin, ku sipas fesë myslimane, Muhameti u ngrit në qiell, është ngritur një xhami madhështore. Palestinezët e kanë parë Jerusalemin si qendrën e tyre politike, tregtare dhe kulturore. Por në vazhdim të copëzimit të zonave arabe, në Jerusalemin Lindor janë ndërtuar dhjetëra mijëra shtëpi të reja për hebrenjtë, ndërkohë që për arabët janë ndërtuar vetëm disa qindra. Lagjet e hebrenjve në Jerusalemin Lindor janë me rrugë të shtruara, trotuare, parqe, librari, ndërsa pamje e kundërt me të shihet në lagjet arabe.

Në Rezolutën 181 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1947, ku njihej e drejta e krijimit të shtetit hebraik dhe atij arab, Jerusalemi u konsiderua si zonë ndërkombëtare. Mbas Luftës së 6 Ditëve, kur Jerusalemi Lindor, ashtu si Bregu Perëndimor i lumit Jordan, u pushtua nga Izraeli, ky i fundit nuk mundi të tjetërsonte natyrën e tij arabe, as mbasi u përzunë shumë palestinezë nga qyteti, që u shndërruan në refugjatë.

Por edhe mbas pushtimit të Jerusalemit Lindor, palestinezët vazhduan të ruajnë një farë vetëqeverisje. Ata kishin sistemin e tyre gjyqësor, shërbimin shëndetësor, transportin urban, kanalizimet e ndryshme etj.

Në marrëveshjen e Oslos të shtatorit 1993, u vendos që çështja e Jerusalemit do të diskutohej vetëm në bisedimet për statusin final. Gjatë periudhës së vetëqeverisjes provizore nga ana e palestinezëve, shumica e institucioneve vetëqeverisëse në Jerusalemin Lindor kaluan nën kontrollin e Autoritetit Palestinez. Palestinezëve të Jerusalemit Lindor iu njoh edhe e drejta për të votuar në zgjedhjet për Autoritetin Palestinez dhe për të dërguar përfaqësuesit e tyre në Parlamentin Palestinez në Ramallah (Bregu Perëndimor i lumit Jordan).

Gjatë muajit maj 1999, në pritje të përfundimit të zgjedhjeve në Izrael dhe rifillimit të bisedimeve të paqes, pati përpjekje nga disa organizata hebraike amerikane për të tërhequr SHBA në një qëndrim në mbrojtje të përkatësisë izraelite të Jerusalemit. Nën nxitjen e tyre, një grup kongresmenësh demokratë amerikanë, ndër të cilët edhe Gilman, kërkuan që administrata e Clinton të zbatonte një ligj të vitit 1995, që kërkonte zhvendosjen e ambasadës amerikane nga Tel-Avivi në Jerusalem deri në mes të vitit 1999, përndryshe ata do të aktivizonin klauzolën, që i lejonte Kongresit t’i priste administratës gjysmën e buxhetit të caktuar për ndërtesën e re të ambasadës.

Një gjë e tillë u konsiderua e papranueshme nga administrata amerikane, sepse zhvendosja e ambasadës përpara përfundimit të bisedimeve për statusin final do të dëmtonte procesin e paqes, si dhe rolin e SHBA si ndërmjetëse në këto bisedime. Presidenti Clinton kishte të drejtën për të shtyrë afatin e zbatimit të ligjit, për arsye të “sigurimit kombëtar”. Si një zgjidhje kompromisi, ambasadori amerikan në Izrael, Eduard Walker, mori disa dhoma në Hotel Hilton në Jerusalem, që i përdorte për takime pune. Nga zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, James Rubin, kjo gjë u cilësua se nuk paraqiste ndonjë ndryshim në qëndrimin amerikan për transferimin e ambasadës, e cila nuk duhej të shihej si një rezidencë e dytë.

BSOS_Palestinianflags_1920x1080

ENTITETI PALESTINEZ. A DO TË PRANOHET SHTETI PALESTINEZ?

Pikësynimi kryesor i palestinezëve në bisedimet e paqes ka qenë dhe mbetet krijimi i shtetit palestinez. Qysh nga krijimi i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OÇP) në 1964 dhe sidomos gjatë periudhës së vetadministrimit 5-vjeçar, që filloi me vënien në zbatim të marrëveshjes së Oslos të vitit 1993, u ndërtua një rrjet institucionesh palestineze, të gatshme për t’u shndërruar në qeveri dhe në burokracinë karakteristike të çdo shteti. Mbas zgjedhjeve të janarit 1996, një nga arritjet më të mëdha institucionale ishte krijimi i Këshillit Legjislativ, që luante rolin e Parlamentit. Palestinezët kanë flamurin e tyre, himnin kombëtar dhe stemën.

Periudha provizore, sipas marrëveshjeve të nënshkruara, duhej të mbaronte në 4 maj 1999 dhe në fund të asaj periudhe do të përcaktohej statusi përfundimtar. Meqë gjatë qeverisjes së Netanyahut bisedimet u ndërprenë, Autoritetet Palestineze kishin lajmëruar se më 4 maj 1999 do të shpallnin krijimin e shtetit palestinez. Shpallja e njëanshme e shtetit palestinez nuk u miratua nga SHBA, BE, Egjipti dhe një sërë vendesh, të cilat Arafati i vizitoi për konsultime përpara kësaj date, meqë ky veprim do të vinte në pikëpyetje bisedimet e ardhshme të paqes. Duke qenë se Izraeli në atë kohë ishte në fushatë elektorale, kjo do t’i jepte argumente krahut të djathtë të udhëhequr nga Netanyahu, për të ekstremizuar gjendjen dhe për t’i fituar zgjedhjet. Ndërkohë, Netanyahu kishte deklaruar, se në rast të shpalljes së njëanshme të shtetit palestinez, Izraeli do të aneksonte disa territore të Bregut Perëndimor të lumit Jordan.

Bisedimet në Uashington për këtë problem u ndoqën nga numri dy i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas (Abu Mazen). Ato u përqendruan në atë se deri ku do të shkonte SHBA në njohjen e së drejtës për vetëvendosje të palestinezëve, si dhe për vendosjen e një afati kohor për përfundimin e bisedimeve të procesit të paqes. Palestinezët po i shikonin 12 muajt e ardhshëm si një rast shumë i favorshëm, për të arritur drejt përfundimit të marrëveshjes së statusit final, meqenëse mbas një viti, administrata amerikane do të ishte e paralizuar, për shkak të fushatës zgjedhore presidenciale të vitit 2000.

Megjithë përpjekjet për krijimin e shtetit palestinez, mund të thuhet se mungonte një traditë shtetformuese palestineze. Autoriteti Palestinez rridhte nga një traditë politike arabe, pa shumë respekt për demokracinë. Jasser Arafat ishte formuar sipas traditës së funksionimit të regjimeve arabe, qysh nga vitet kur ai ishte student në Kairo, në kohën e Naserit.

Nga Jordania ai mësoi të shfrytëzojë ndarjen tribale të shoqërisë palestineze; nga Siria dhe Iraku kishte mësuar se si të përçajë forcat e sigurimit, në mënyrë që asnjë njësi të mos ishte tepër e fuqishme. Megjithatë, në radhët e shoqërisë palestineze kishte një etje të madhe për demokraci, që rridhte nga sakrificat e shumta dhe nga luftërat e bëra kundër forcave izraelite, për liri dhe pavarësi.

Mungesë koordinimi mes Autoritetit Palestinez dhe organizatës Hamas

Një pengesë serioze në rrugën drejt formimit të shtetit palestinez ishte edhe ekzistenca e grupeve radikale palestineze, ku shquhej ai i Hamasit. Hapi i parë drejt zbutjes së qëndrimeve të këtyre organizatave, ishte nënshkrimi i marrëveshjes për të mos sulmuar Izraelin nga territoret e pushtuara, në të cilat ushtrohej pushteti i Autoritetit Palestinez. Nga ana e këtij të fundit, në fakt, herë pas here ka pasur edhe arrestime të aktivistëve të Hamasit, të akuzuar për terrorizëm. Kjo ka shërbyer për rritjen e besimit në palën izraelite, për seriozitetin e angazhimeve të marra nga pala palestineze në marrëveshjet e nënshkruara.

Një hap tjetër drejt afrimit me Hamasin për të sheshuar kontradiktat me të, ishte edhe ftesa që iu bë për herë të parë liderit të kësaj organizate, Sheikut Ahmed Yassin, për të marrë pjesë si vëzhgues në sesionin e Këshillit Qendror të OÇP-së, në të cilin u vendos shtyrja e shpalljes së shtetit palestinez. Megjithëse Hamas-i u shpreh publikisht se qëndronte me vendosmëri në pikëpamjen se “armiku izraelit kupton vetëm një gjuhë, atë të forcës” dhe se ata nuk e njohin marrëveshjen e Oslos, pjesëmarrja në forumin e lartë palestinez, ishte një shenjë bashkëpunimi.

Në turin diplomatik nëpër një sërë kryeqytetesh të botës, si dhe në një sërë intervistash publike, kryetari palestinez, Jasser Arafat, iu referua Rezolutës 181 të Asamblesë së OKB, të nëntorit 1947, e cila kërkonte krijimin e dy shteteve në Palestinë, hebraik dhe arab, ndërkohë që Rezoluta 242 e nëntorit 1967 nuk e përmend shtetin palestinez, por kërkon tërheqjen e Izraelit nga territoret e pushtuara në Luftën e 6 Ditëve në qershor 1967. Në pritje të rifillimit të bisedimeve me izraelitët, ishte bërë praktikë e diplomacisë palestineze që t’i referohej rezolutës 181, kur ishte fjala për krijimin e një shteti palestinez dhe rezolutës 242, kur bëhej fjalë për largimin e Izraelit nga territoret e pushtuara.

Qëndrimi i Rusisë ka qenë gjithmonë në mbështetje të çështjes palestineze. Në kuadrin e diskutimeve për datën e shpalljes së shtetit palestinez, ministri i Jashtëm Rus, Ivanov, informoi Lidhjen Arabe, se Rusia mbështeste fuqimisht shpalljen e shtetit palestinez, në çdo kohë që Autoritetet Palestineze e shihnin të përshtatshme. Rusia e kishte njohur shtetin palestinez qysh 10 vjet përpara, kur Këshilli Kombëtar i OÇP-së e shpalli atë në Algjer.

Ndërkohë, në një sërë kryeqytetesh europiane ishte zgjuar interesi për Rezolutën 181. Në një deklaratë të BE-së, me një qëndrim haptas më të afruar me palestinezët, i kërkohej Arafatit të shtynte për një vit shpalljen e shtetit palestinez, pra, njihej e drejta palestineze për vetëvendosje. Gjithashtu, në Europë nuk mungonin përpjekjet për rifillimin e takimeve të Konventës së Gjenevës, nën patronazhin e OKB-së, për të diskutuar çështje të Lindjes së Mesme, në një forum, që kishte filluar të funksiononte 22 vite më parë, kur Sadati i Egjiptit filloi negociata direkte me Izraelin. Këto hapa shiheshin si shumë të disfavorshme nga izraelitët. Gjithashtu, në Izrael, përmendja e Rezolutës 181 e vitit 1947 shihej me shqetësim, sepse ajo mund të hidhte rrënjë në opinionin palestinez, duke shkaktuar iluzione te refugjatët palestinezë, për t’u kthyer në tokat që humbën në vitin 1948.

Në dhjetor 1998, Presidenti amerikan, Bill Clinton, bëri të parën vizitë në Këshillin Kombëtar të Palestinës në Gaza dhe në fjalën e tij drejtuar anëtarëve të këtij Këshilli, u shpreh se “Izraeli duhet të njohë të drejtën e palestinezëve për të aspiruar, që të jetojnë të lirë sot, nesër dhe përgjithmonë”. Ky formulim nuk ishte ai që pritej nga palestinezët, si një shprehje pa ekuivokë e mbështetjes amerikane për vetëqeverisje. Ndërsa në letrën që Presidenti amerikan Clinton i dërgoi Këshillit Qendror të OÇP-së, i mbledhur më 29 prill 1999 për të vendosur për çështjen e shpalljes së shtetit palestinez, jepej mbështetja amerikane më e avancuar deri atëherë për një shtet eventual palestinez, por pa u shprehur në mënyrë eksplicite për të. Në letër thuhej: “Shtetet e Bashkuara mbështesin të drejtën e popullit palestinez për të vendosur për të ardhmen e tij në tokën e tij” dhe më tej “Populli palestinez duhet të jetë i lirë sot, nesër dhe përgjithmonë”. Në letër bëhej thirrje për shpejtim të bisedimeve izraelito-palestineze për statusin final dhe për herë të parë nga ana amerikane vendosej një afat kohor, duke propozuar që bisedimet të kryheshin brenda një viti. Clinton siguronte Arafatin se SHBA do të përpiqeshin për zbatimin e marrëveshjeve të paqes, duke përfshirë edhe atë të Lumit Wye (Maryland) të tetorit 1998.

Ndërkohë, SHBA kundërshtoi një propozim të Francës që shteti palestinez të njihej automatikisht, nëse bisedimet nuk përfundonin brenda një viti.

Qëndrimi i fundit amerikan për problemin e shtetit palestinez ishte vendimtar, pasi përcaktonte bazën mbi të cilën do të ngriheshin bisedimet e ardhshme izraelito-palestineze. Kjo u shpreh edhe në fjalimet e mbajtura nga zv. Presidenti Amerikan, Al Gore, dhe nga i dërguari i posaçëm për Lindjen e Mesme, Dennis Ross, në konventën vjetore të AIPAC, një organizatë e fuqishme hebraike në SHBA. Sipas Ross, rezoluta 181 “nuk është e rëndësishme dhe nuk është e përshtatshme”. Ndërsa Gore theksoi se nuk është e mundur të ndryshohen kushtet e bisedimeve të Lindjes së Mesme, të cilat janë bazuar gjithmonë në rezolutat 242 dhe 338 të Këshillit të Sigurimit të OKB si “të vetmet baza për bisedime” dhe “themelet e të gjithë progresit që është arritur deri tani”. Gore shtoi se OKB do të bojkotonte Konventën e Katërt të Gjenevës, nëse kjo do të mbahej.

Për të arritur qëllimet e tyre në tryezat e bisedimeve, palestinezët nuk kishin shumë gjëra për të ofruar. Ata kishin vetëm disa rezoluta të OKB, të cilat mundoheshin që t’i përdornin në luftën e tyre diplomatike. Ndërsa Izraeli kishte gjithçka: territoret dhe Jerusalemin, kontroll të plotë mbi ekonominë palestineze, kalimet kufitare dhe gjithë rrjetin jetik të ujit dhe elektricitetit. Megjithatë, atyre u mungonte siguria për shtetin e tyre; ata ishin në gjendje lufte me disa shtete kufitare dhe për më tepër kishin në gjirin e tyre një bombë të madhe me sahat që quhej “çështja palestineze”, e cila nuk shpërthente vetëm në pritje të bisedimeve të paqes, sepse ishin Autoritetet Palestineze që kishin frenuar terrorin në territorin e izraelit. Dhe, sa më shumë rritej mirëqenia në Izrael, aq më shumë rritej kërkesa e opinionit izraelit për paqe.

PËRCAKTIMI I KUFIJVE NDARËS IZRAELITO-PALESTINEZE. VENDBANIMET IZRAELITE NË TERRITORET E PUSHTUARA

Ndërsa komuniteti palestinez i afrohet gjithmonë e më shumë pavarësisë në kuptimin ligjor, ai ndeshet me një problem shumë të madh praktik, mungesa e vazhdimësisë fizike të territoreve të tij, gjë që është atributi kryesor i një shteti. Mungesa e kësaj vazhdimësie mund të shihet në dy drejtime: dy zonat kryesore ku ushtrohet Autoriteti Palestinez, Bregu Perëndimor i lumit Jordan dhe Rripi i Gazës, ndahen midis tyre me territore izraelite. Që të shkosh nga njëra zonë në tjetrën, duhet të kalosh nëpër territor izraelit, duke u pajisur me leje dhe duke iu nënshtruar kontrolleve të gjata policore. Përveç kësaj, edhe secila prej këtyre zonave nuk është e pandërprerë. Mbas pushtimit të territoreve më 1967, Izraeli ndoqi një politikë të popullimit të tyre me kolonë izraelitë, shumica e të cilëve ishin emigrantë të porsaardhur që shkonin të banonin aty të nxitur nga lehtësitë financiare, që ofronte shteti në këto zona. Ndërtimi i vendbanimeve izraelite në mes të zonave arabe ka krijuar zona të ndaluara për ta, duke shkëputur territoret arabe nga njeri tjetri dhe duke krijuar kështu një gjeografi shumë të ndërlikuar.

Pjesa veriore e Rripit të Gazës është ndarë nga pjesa jugore e tij nga një sërë vendbanimesh izraelite. Kjo gjë ndodh edhe në Bregun Perëndimor të lumit Jordan, ku pjesa veriore është shkëputur nga ajo jugore, jo vetëm për shkak të vendbanimeve të reja, por edhe sepse në pjesën qendrore të tij ndodhet Jerusalemi, ku qysh nga viti 1993, shumica e palestinezëve e kanë të ndaluar të futen. Nga ana tjetër, vetë Bregu Perëndimor i lumit Jordan është copëtuar në një sërë enklavash nga ndërtimet ë reja, ndërkohë që nga tokat e luginës së lumit Jordan janë larguar sistematikisht banorët beduinë (arabë).

Rrugët që lidhin vendbanimet izraelite izolojnë zonat palestineze sepse për të kaluar nga një vend në tjetrin duhet të kalosh nëpër kontrollet e policisë. Ndërsa popullsia palestineze e ka të ndaluar të lëvizë lirisht, grupe të caktuara të saj janë pajisur me leje qarkullimi të diferencuara, për të hyrë në zonat izraelite në orare të caktuara.

Kjo mbyllje dhe ky copëtim demografik i shërbeu Izraelit si një mjet shumë efikas për të bërë presion në bisedimet e Oslos. Mbas marrëveshjes së Oslos të vitit 1993, u zbatua vetëm faza e parë e saj. Kështu 2% e zonës C (e kontrolluar plotësisht nga Izraeli) i kaloi zonës B (e kontrolluar bashkërisht) dhe 7,1% e zonës B i kaloi zonës A (e kontrolluar plotësisht nga palestinezët). Në shkëmbim, palestinezët filluan të vënë në zbatim planin e sigurimit në bashkëpunim me SHBA, si dhe hoqën nga statusi i Palestinës kërkesën për shkatërrimin e Izraelit. Marrëveshja e Wye caktonte kornizën dhe afatin kohor për shpërnguljen e dytë të kërkuar nga marrëveshja e Oslos, gjë që u bllokua nga qeveria e Netanyahut. Nëse marrëveshja Wye do të zbatohej plotësisht, Izraeli do të transferonte 13% të tokës nga kontrolli i plotë i tij, në kontrollin palestinez dhe nën kontroll të përbashkët.

Ndërkohë, situata demografike dhe gjeografike pësoi ndryshime që nga nënshkrimi i marrëveshjes së Wye e vitit 1998. Gjatë qeverisjes së Netanyahut jo vetëm që nuk u zbatua marrëveshja e nënshkruar me Arafatin në praninë e amerikanëve, por edhe u shkel ajo. Nuk ndodhi “ngrirja e vendbanimeve”, përkundrazi u ndërtuan vendbanime të reja dhe u zgjeruan ato ekzistuese, duke e komplikuar më tej situatën. Kjo gjë u dënua publikisht nga administrate amerikane, për të mos përmendur protestat e vazhdueshme të palestinezëve.

ZGJIDHJA E PROBLEMIT TË REFUGJATËVE PALESTINEZË

Pas miratimit të Rezolutës 181 të OKB të nëntorit 1947, në të cilën kërkohej krijimi në territorin e Palestinës të dy shteteve, në vend filloi lufta civile, ku sulmuan edhe vendet arabe fqinje, në përpjekje për të bllokuar krijimin e shtetit të Izraelit. Gjatë luftimeve të vitit 1948, një numër shumë i madh arabësh palestinezë, u larguan nga trojet e tyre dhe u vendosën kryesisht në vendet arabe fqinje (Jordani, Siri, Liban, Egjipt) si dhe në territore të tjera të banuara nga palestinezët si Gaza dhe Bregun Perëndimor të lumit Jordan. Këtyre refugjatëve iu shtuan edhe të tjerë që u larguan nga trojet e tyre gjatë Luftës së 6 Ditëve të vitit 1967. Refugjatët apo pasardhësit e tyre përbëjnë 60% të të gjithë palestinezëve, me rreth 6,5 milionë.

Problemi i refugjatëve palestinezë vazhdon të mbetet i pazgjidhur. Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB e vitit 1948 bënte thirrje për riatdhesimin apo kompensimin e 72.000 arabëve që u larguan nga ajo pjesë e Palestinës, që më vonë u bë shtet i Izraelit. Ndërsa marrëveshja e Oslos e vitit 1993 e la zgjidhjen e problemit të refugjatëve për në bisedimet për statusin final. Izraeli nuk ka marrë asnjëherë përgjegjësinë për refugjatët palestinezë. Sipas tij, ata ishin rezultat i një lufte, të cilën ishin arabët që e filluan dhe pastaj e humbën, prandaj edhe nuk e pranoi rezolutën 194. Atë rezolutë nuk e pranuan as shtetet arabe, meqë ajo përmendte kompensim, sepse qëllimi i përpjekjeve të tyre ishte eliminimi i Izraelit dhe kthimi i refugjatëve në shtëpitë e tyre. Pas dekadash konflikti të ashpër, të dyja palët kishin filluar të zbusnin qëndrimet e tyre. Palestinezët e kishin njohur Izraelin dhe Izraeli ishte duke lëshuar tokë, në të cilën një ditë do të ngrihet shteti palestinez.

Mbas 50 vjetësh, shumica e refugjatëve palestinezë jetonin nëpër kampe, në kushte shumë të vështira. Shumica e tyre nuk gëzonin të drejtën e nënshtetësisë së vendeve mikpritëse dhe kishin pak mundësi punësimi. Marrëveshja e Oslos nuk i dha asnjë zgjidhje problemit të tyre, prandaj refugjatët palestinezë, kudo që  ndodheshin, ishin kundërshtarët kryesorë të asaj marrëveshje. Ata mbushën radhët e organizatave fondamentaliste Hamas, Jihadi Islamik dhe organizatave terroriste me qendër në Damask; ishin ata që me bomba të lidhura në trupat e tyre hidheshin mbi objektet izraelite. Jo vetëm refugjatët që jetonin në Jordani, Siri, Liban etj. nuk përfitonin nga Marrëveshje e Oslos; edhe refugjatët në Gaza dhe Bregun Perëndimor të lumit Jordan, që përbëjnë 1/3 e popullsisë së këtyre zonave, dyshojnë që zbatimi i marrëveshjes së Oslos do t’i çlironte nga varfëria. Ndaj refugjatët përbënin një pengesë të rëndësishme në arritjen e paqes.

Është vështirë të përcaktohet se çfarë kompensimi mund të lehtësonte situatën e refugjatëve. Sipas një vlerësimi palestinez të pronave të tyre të humbura, shuma arrinte në gjysmë trilionë dollarë, shumë së cilës nuk mund t’i përgjigjej asnjë shtet. Nga ana tjetër, edhe Izraeli mund të kërkojë kthimin apo kompensimin e pronave të lëna nga disa qindra mijëra hebrenj, të cilët erdhën në Izrael nga vendet arabe si Maroku, Iraku, Irani, Jemeni, Libia, Egjipti, Siria dhe Libani, për shkak të pasigurisë së jetës së tyre në ato vende, gjatë viteve të konfliktit arabo-izraelit.

Për t’i futur refugjatët palestinezë në rrugën e paqes dhe të pajtimit, do të duheshin shpenzime të mëdha financiare. Nga krahu i majtë i politikës izraelite ka pasur ndonjë propozim të shprehur në shtyp, që për këto shpenzime të përdoren pjesë të fondit të madh prej disa miliarda dollarësh, që bankat zvicerane dhe firmat gjermane kishin vendosur të paguanin për të kompensuar ish-pasuritë e marra nga viktimat e Holokaustit. Po ashtu, në shtypin përparimtar izraelit ngrihej nevoja për realizimin e projekteve ekonomike në shkallë të gjerë, për të luftuar varfërinë e refugjatëve si dhe për të bërë njëfarë kompensimi individual të tyre, për të zbutur poshtërimin e gjatë që u është bërë. Mbas 100 vjet konflikti dhe 50 vjet luftërash, nga të cilat palestinezët dolën të humbur, ndihej nevoja për t’i bërë ata partnerë në ndarjen e fryteve të fitores, ashtu siç bënë fituesit e Luftës së Dytë Botërore me të mundurit. Bisedimet për statusin final do të kishin një formë tjetër, nëse do të zhvilloheshin në kuadrin e një programi ekonomik, që do t’i transformonte armiqtë në partnerë.

Leave a Comment

Your email address will not be published.