Kritika ndaj saj mund të mos jetë zyrtarisht e ndaluar, por realisht është pothuajse joekzistuese. Në mënyrë publike, gati ASKUSH nga VV-ja deri më sot nuk e ka kritikuar atë. Të gjithë në Vetëvendosje, me përjashtim të deputetit të rebeluar, Haki Abazi, nuk guxojnë që ta përmendin emrin e saj. Arsyeja është lehtë e rrokshme: fuqia e saj është e jashtëzakonshme, ndërsa ndëshkimet hakmarrëse janë po aq të mëdha. Si u njoha nga largësia me Dejona Mihalin, gruan enigmatike që i kërcënon edhe ministrat e deputetët e Albin Kurtit?
Shkruan Mirlind BEHLULI
Le të sqarojmë një gjë të rëndësishme. Në mbamendjen time, kurrë nuk jam takuar “live” me Mihalin, koordinatoren e fuqishme të komiteteve në VV. As në protestat kundër fusnotës e Zajednicës apo në ndonjë aktivitet tjetër të VV-së, ku unë kam marrë pjesë. Ndoshta edhe e kam takuar, por nuk e mbaj në mend, pasi Mihali ka qenë figurë krejtësisht e panjohur për mua e opinionin publik. Andaj ky shkrim nuk është një kronikë e marrëdhënies sonë personale, por një shpjegim i fuqisë politike të Mihalit, ashtu siç e kam dëgjuar me veshët e mi nga ministra, deputetë e aktivistë të rëndësishëm të VV-së.
Me gjysmë zëri, aktivistët e VV-së po rrëfenin për një zonjë enigmatike nga Tirana, të cilës më vonë unë do t’i referohesha si “komisarja rozë” në shkrimet e mia. Frika në fytyrën e deputetit që më rrëfente se si ia kishte ndaluar fjalën në Kuvendin e Kosovës, për mua ishte mjaftueshëm shpjeguese për kontrollin arbitrar që Mihali e ushtron në VV. Të njëjtën gjë do ta ritheksonte publikisht Haki Abazi, deputet i rebeluar, i cili e akuzoi Mihalin për “bllokim” të nismës së tij për themelimin e një komisioni hetimor mbi privatizimin. Në një bisedë me një deputet tjetër, arrita të kuptoja edhe një fakt tjetër, të cilin më vonë do të ma konfirmonte një anëtar i Qeverisë së Kosovës. Zonja Mihali, e cila u rizgjodh në të njëjtin funksion, ishte treguar brutale edhe ndaj një ministri të Kurtit, duke e kërcënuar me shkarkim, nëse ai nuk do të vepronte siç dëshironte “komisarja rozë”. I dëgjoja me kujdes rrëfimet mbi ministrin e kërcënuar nga Mihali, duke u çuditur me faktin e nënshtrimit të pothuajse të gjithë aktivistëve të rëndësishëm në VV. I inkurajoja që të flisnin publikisht, por gati secili prej tyre frikësohej të përballej me Mihalin.
Por befasia nuk mbaroi me kaq. Në një rrëfim të një aktivisti të vjetër të VV-së, që vazhdon të jetë pjesë e Këshillit Drejtues të kësaj partie, Mihali akuzohet edhe për “kontrollim” të Kurtit. Në fakt, nëpërmjet një shakaje, aktivisti në fjalë e përshkruante Mihalin si njeriun më të fuqishëm në VV pas Kurtit. “Nganjëherë nuk dihet, nëse Kurti është kryetar i VV-së apo Mihali” – ishte fjala më tmerruese e aktivistit të VV-së. Natyrisht, marrëdhënia ime në largësi me Mihalin do të vazhdonte e rrëfimet mbi të të njerëzve të VV-së nuk do të pushonin.
Për disa muaj më radhë, Mihali do të akuzohej nga shumë aktivistë, përfshirë deputetë, për njeriun prapa “spastrimeve” të myslimanëve nga VV-ja. Ishte figura qendrore, e ulur këmbëkryq në operacionin e largimit të myslimanëve nga kandidimi në zgjedhjet e brendshme të VV-së me pretekstin e qëndrimeve kundër martesave të seksit të njëjtë e kundërshtimit të projekt-kodit civil. Pasi u “armatosa” me rrëfime nga dora e parë, vendosa që të shkruaja për Mihalin. I shkrova disa artikuj, duke i drejtuar reflektorët e transparencës mbi Mihalin, “komisaren rozë”. Të dhënat publike mbi të janë të pakta, madje ka vetëm disa fotografi, disa prej të cilave janë publikuar vetëm në nëntor të vitit 2022, kur ajo u votua sërish për pozitën e koordinatores së komiteteve. Ajo ende nuk ka as biografi në uebfaqen e VV-së.
Pas shkrimeve në Nacionale dhe talljes publike në dy statuse në profilin tim në Facebook, Mihali u hakmor në mënyrën më fëmijërore të mundshme. E pamësuar me kritikën, Mihali zgjodhi të më bllokonte nga Facebook-u, duke shtyrë drejt të njëjtit veprim edhe disa aktivistë të tjerë nga Shqipëria, si p.sh. Arbër Zaimin, i cili, po ashtu, më bllokoi. Të tjerët, si p.sh. Elvis Hoxha e Enis Sulstarova, zgjodhën të më largonin nga shoqëria, ndonëse, në disa raste, të njëjtit i pëlqenin statuset e mia. Është krejt i parëndësishëm akti i bllokimit per se, por mënyra e organizuar e “bllokimit” dhe e “largimit nga shoqëria” është simptomatike. Ajo tregon për pushtetin e thellë të Mihalit, për fuqinë e madhe të “komisares rozë” në disiplinimin e njerëzve brenda VV-së. Sidoqoftë, pyetja që duhet shtruar këtu është e thjeshtë: pse Mihali e ka gjithë këtë fuqi në VV? E, mbi të gjitha, a është i shantazhuar Kurti nga Mihali, siç tashmë është pyetur kryeministri privatisht nga disa aktivistë?
*Autori është zëvendëskryeredaktor në gazetën “Nacionale” ku edhe është botuar fillimisht ky shkrim.