Së fundmi Agjencia Kosovare e Inteligjencës ka raportuar te institucionet qendrore për trajnime të serbëve kosovarë, dhe aktivitete tjera që zhvillohen në territorin e Serbisë, me qëllim nxitjen e një kryengritjeje në veriun e Kosovës. Më pas, eksponentë të pushtetit (Dimal Basha dhe të tjerë) kanë dhënë deklarata (të papërgjegjshme): ata po përgatiten, por po përgatitemi edhe ne!
Nga burime të veta mirë të informuara, të afërta me struktura të sigurisë të vendeve mike të Kosovës, AP mëson, si vijon:
FAKT 1: Pas marrëveshjeve të fundit, qeveria e Serbisë nuk është më e angazhuar për të frymëzuar dhe mbështetur organizime që kanë për synim ndonjë përplasje me policinë e Kosovës. Qeveria në Prishtinë duhet të nis ta shohë dhe ta pranojë Beogradin si partner dhe të heqë dorë nga retorika nxitëse.
FAKT 2: Sikur Qeveria në Beograd të synonte një kryengritje të armatosur, ata tashmë kanë një numër të mjaftueshëm njerëzish me përgatitje të theksuar taktike dhe ushtarake. Ata po ashtu kanë në dispozicion një arsenal të mjaftueshëm armatimesh dhe municionesh për çfarëdo operacioni në veri të Kosovës.
P.sh. Si bartës të shtetësisë së dyfishtë, ndër vite, një pjesë e serbëve të veriut të Kosovës, në mënyrë të vazhdueshme janë angazhuar në forcat e rregullta të ushtrisë serbe, por edhe të policisë dhe xhandarmerisë. Në forcat e xhandarmerisë serbe (formacione elite paraushtarake) të vendosura në perimetrin përreth veriut të Kosovës shërbejnë edhe një numër i serbëve të veriut të Kosovës. Disa prej tyre, pas përfundimit të orarit të punës, thjesht kalojnë pikat kufitare dhe kohën e lirë e kalojnë më familje e tyre në veri të Kosovës. Pra, çfarëdo pretendimi që diku në Serbi, qeveria serbe paska kampe trajnimi për serbët e Kosovës me qëllim të kryengritjes, është thjesht i papërgjegjshëm.
FAKT 3: Gjatë tërë krizës në veri të Kosovës, që nga korriku 2022 e deri në mars 2023, përkundër tensioneve të vazhdueshme, Policia Speciale e Kosovës e ka gëzuar një lloj mbrojtjeje jo-formale nga ana e strukturave serbe të sigurisë. Në zbatim të urdhrave që vinin nga Beogradi, këto struktura kanë mbajtur situatën në terren në një gjendje tensioni të kontrolluar. Si rrjedhojë, në asnjë moment nuk ka pasur p.sh sulme profesionale e të sakta nga distanca, nuk ka pasur prita taktike dhe as përplasje të afërta në terrene jomiqësore për forcat policore të Kosovës. Të gjitha këto veprime taktike, që fare lehtë do të mund të përfundonin me shumë viktima nga ana e policisë së Kosovës, nuk kanë ndodhur. Dhe duhet thënë qartë pse nuk kanë ndodhur. Nuk kanë ndodhur sepse qeveria në Beograd (por edhe ajo në Prishtinë) kishte interes për tensione të kontrolluara dhe jo për përplasje të armatosura. Përkundër dëshirës dhe vullnetit të forcave serbe në terren për përplasje të armatosur, në fund ka mbizotëruar disiplina dhe zbatimi i urdhrit nga lart për shmangie të kontaktit direkt më forcat e Kosovës.
FAKT 4: Autoritetet e Serbisë tashmë janë në kontakt të ngushtë me autoritetet ndërkombëtare të sigurisë dhe shkëmbimi i informacionit, mbi zhvillimet në terren, ndodh në kohë reale. Njerëzit nuk duhet të harrojnë që forcat e vetme reale në terren nuk janë forcat serbe dhe as ato kosovare, por janë ato ndërkombëtare.
Në çdo moment, përgjatë korrikut 2022 – mars 20233, në rast të një lëvizjeje përtej koreografisë së lejuar të tensioneve, forcat ndërkombëtare të sigurisë do të ndërhynin me të gjithë fuqinë e vet. Qeveria në Beograd e ka ditur fort mirë që në rast të sjelljeve të papërgjegjshme do të rivendosej zona e sigurisë prej 5 km, ndërkaq Qeveria në Prishtinë e ka ditur fort mirë që në rast të sjelljeve të papërgjegjshme, forcat speciale të Policisë së Kosovës do të dëboheshin nga veriu i Kosovës dhe do të zëvendësoheshin me forcat e KFOR-it.
FAKT 5: A ka rrezik real për destabilizim në veri të Kosovës? Po, por jo nga Beogradi dhe as nga Prishtina. Në teatrin e zhvillimeve tani ka lojtarë të rinj dhe potencialisht shumë të rrezikshëm.
Shpjegimi më poshtë:
Në veriun e Kosovës, në terren, tashmë janë tre lojtarë aktivë:
Qeveria e Kosovës me strukturat e veta.
Qeveria e Serbisë me strukturat e veta.
Dhe së fundmi është shfaqur edhe një strukturë e tretë serbe, jo lehtësisht e identifikueshme, që ka për agjendë sabotimin e implementimit të marrëveshjes.
Grupimi i tretë është i përbërë nga elemente brenda dhe jashtë Kosovës si dhe është i mbështetur nga struktura të afërta me Rusinë. Ky grupim synon unifikimin e të gjitha elementeve në veri të Kosovës që janë të pakënaqura me qeverinë në Beograd.
Brenda këtij grupimi ka elemente që janë pjesë e strukturave të kontrolluara nga Qeveria e Serbisë si dhe nga elemente të përfshirë në krim të organizuar. Pra, ky grupim, shfrytëzon edhe resurset e Qeverisë serbe, edhe pse ka agjendë tjetër nga ajo e qeverisë në Beograd. Si rrjedhojë e kësaj, në Prishtinë, krijohet përshtypja që veprimet e këtij grupimi janë të urdhëruara nga qeveria në Beograd. Kjo gjë nuk është e vërtetë. Në realitet, sot, për sa i përket qëllimit për të stabilizuar veriun e Kosovës, qeveritë në Prishtinë dhe në Beograd janë aleatë të padeklaruar. Që të dy qeveritë duan po të njëjtën gjë: de-eskalim dhe rikthim në normalitet. Dhe për ta arritur këtë është shumë i rëndësishëm implementimi i marrëveshjes së fundit. Implementimi i marrëveshjes do të krijonte kushtet për rikthim të normalitetit politik dhe institucional, që, më pas, do të krijonte pretekstin për rikthimin në baza të forcave speciale të policisë së Kosovës.
Problem i veçantë është që Qeveria e Serbisë, por edhe struktura të caktuara ndërkombëtare, në emër të stabilitetit, me vite kanë investuar në struktura të caktuara parapolitike. Tani këto struktura ndihen të rrezikuara nga realiteti i ri që mund të krijohet pas implementimit të marrëveshjes, prandaj kanë nisur, që me veprime të caktuara, të sinjalizojnë mosdëgjueshmëri dhe janë afruar me eksponentë të inteligjencës ruse. Këta elementë synojnë të sigurojnë garanci që, pas implementimit të marrëveshjes, interesat e tyre nuk do të cenohen.
Ky grupim edhe pse ka mjaftueshëm personel me përgatitje luftarake, investon në krijimin e percepcionit thuajse janë duke punuar përgatitjen e personelit të ri. Nëpërmjet informatorëve të rrejshëm përhapen informacione që rekrutë të ri po u nënshtrohen trajnimeve të shkurtra në lokacione të ndryshme brenda Serbisë. Këto veprime janë të disenjuara për të krijuar efekt psikologjik të popullsia lokale në veri si dhe për të frikësuar qeverinë në Prishtinë. Mos të harrojmë (!): Edhe pa këta rekrutë të ri, ky grupim ka mjaftueshëm personel të përgatitur për çfarëdo veprimi të armatosur.
Tashmë ka dëshmi të mjaftueshme që, në pikëpamje operacionale, ky grupim është i gatshëm të organizojë sulme të rrejshme kundër serbëve lokalë, me qëllim që të fajësohen shqiptarët, si dhe sulme pa pretekst kundër shqiptarëve lokalë, me qëllim që të fajësohen serbët lokalë. Ky grupim po ashtu mban nën vëzhgim të gjitha lëvizjet e forcave ndërkombëtare dhe atyre të policisë së Kosovës. Dhe në çdo kohë ka kapacitet të plotë për sulme kirurgjike, nga afërsia dhe nga distanca.
Ekziston një dyshim i bazuar që në një moment kritik të zbatimit të marrëveshjeve të fundit, ky grupim do të vë në zbatim planet e veta me qëllim sabotimin e marrëveshjeve të arritura, përfshirë edhe sulme ndaj forcave ndërkombëtare.
Një shembull i veprimit konkret të këtij grupimi janë edhe sulmet e fundit kundër makinave të riregjistruara në RKS.
Shikuar brenda frymës së marrëveshjes së fundit, në Kosovë nuk ka më vend për targa KM. Ky është një fakt që Qeveria në Beograd e di shumë mirë, prandaj, në mënyrë të kujdesshme, ka nisur të sinjalizojë njerëzit që duhet të pajisen me targa RKS ose më targa serbe që Kosovë i njeh. Ky proces tashmë është duke u zhvilluar.
Në përpjekje për të imponuar veten si lojtar kredibil në teatër, ky grupim ka selektuar disa makina të riregjistruara në RKS. Pos sulmeve ndaj makinave me targa RKS, këta eksponentë kanë kërcënuar edhe me veprime të tipit: do të marrim të gjitha makinat me targa KM dhe do t’i parkojmë para ndërtesës së Qeverisë në Beograd, pra si presion direkt mbi qeverinë atje. Pastaj një veprim tjetër i dëshiruara është që t’u bëjnë presion njerëzve që makinat me targa KM të krijojnë kolonë, në të dy korsitë, e rrugës për në pikat 1 dhe 31 (Jarinje dhe Brnjak) dhe ta bllokojnë rrugën. Kjo e fundit është vështirë e realizueshme sepse popullsia në veri ka nisur të reflektojë dhe nuk intimidohet më aq lehtë.
DUHET THEKSUAR: Në vend që të luajë rolin e të fortit, KM Kurti dhe Ministri Sveçla duhet të tregohen të zgjuar e të durueshëm. Fokusi nuk duhet të jetë në një aksion që mund të duket bukur në Facebook, por në implementimin e marrëveshjes dhe ekspozimin e kujdesshëm të vëllazërisë serbo-shqiptare në çështje të krimit të organizuar.
DUHET THEKSUAR: Gabimi që bën qeveria e Kosovës është prania e panevojshme e pikave të kontrollit nga ana e njësive të policisë speciale. Nga ana e policisë së Kosovës duhet të ketë vetëm ndalesa të targetuara, pra në bashkëpunim me njësitë e inteligjencës, dhe jo kontrolla sistematike që shqetësojnë dhe irritojnë banorët lokalë. Pikat e kontrollit të Policisë së Kosovës nuk duhet të ngjajnë, në asnjë mënyrë, me pikat e dikurshme të kontrollit të policisë serbe. Policia e Kosovës nuk ka asnjë arsye legjitime që të ndalojë makina ku njerëzit udhëtojnë më familje të veta. Këto gjëra janë thjesht të shëmtuara dhe i vendosin një hije të keqe Kosovës. Pos kësaj, këto veprime e forcojnë legjitimitetin popullor të këtij grupimi.
DUHET THEKSUAR: Një mënyrë për të luftuar ndikimin në rritje të këtij grupimi është ekspozimi i natyrës së vërtetë kriminale të disa elementeve kryesorë brenda këtij grupimi. Në këtë drejtim, autoritetet e Kosovës e kanë përkrahjen e plotë të organizatave dhe agjencive ndërkombëtare. Si rrjedhojë e shkëmbimit të informacioneve dhe koordinimit duhet ekspozuar aktivitetet e krimit të profilit të lartë dhe sidomos lidhet e tyre me kriminelët shqiptarë. Është e rëndësishme që njerëzit në veri të Kosovës, por edhe në pjesë të tjera të Kosovës, ta shohin që “patriotët serbë” janë kriminelë të vëllazëruar dhe në bashkëpunim të ngushtë me kriminelë shqiptarë. Si dhe që disa “patriotë shqiptarë” janë kriminelë të vëllazëruar dhe në bashkëpunim të ngushtë me kriminelë serbë./Albanian Post