Një tavolinë shahu i ndan në mes. Rama dhe Vuçiç të ulur përballë njëri tjetrit, ndërsa Zoran Zaev dhe zëvendësi i tij, Dimitar Kovaçevski, ndodhen mes tyre. Kjo është ajo çka shihet në pamje të jashtme nga takimi mes tre liderve në kuadër të takimit të Ballkanit të Hapur.
Në fotot e publikuara në profilin e Zoran Zaevit shihet se tre liderët janë të buzëqeshur. Ndërsa, Zaevi nëpërmjet shkrimit të tij në Facebook, takimin e fundit të këtij formati si kryeministër, e ka vlerësuar si “tregues të vullnetit politik”, i cili siç shkruan ai, “dëshmoi se shpejt mund të transformohet në funksionim të shpejtë të institucioneve shtetërore”.
Më parë ishte Vuçiç ai i cili postoi një foto të takimit në Elbasan, ku u shpreh se “Open Balkan” është një iniciativë e jashtëzakonshme dhe se të tre diskutuan për forcimin e marrëdhënieve mes vendeve.
“Ne e konsiderojmë ‘OpenBalkan’ një iniciativë të jashtëzakonshme, e cila i dedikohet të gjithë njerëzve në çdo qytet dhe fshat. Ne diskutuam për çështje të rëndësishme, sesi do të vazhdojmë të përparojmë dhe bashkëpunojmë më shpejt dhe më fort. Me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe atë të Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev.”, shkruan Vuçiç në rrjetin e tij social Instagram.
Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, ka thënë se iniciativa e “Ballkanit të Hapur” është më e madhe se ai, Rama dhe kryeministri Zaev. Sipas tij, kjo nismë e rëndësishme synon të krijojë themelet për të ardhmen e fëmijëve në të gjithë Ballkanin.
“Kjo inciativë është më e madhe se ne të tre. Do të krijojë themelet për të ardhmen e fëmijëve tanë. Objektivi më i rëndësishëm është të lidhim njerëzit me njëri-tjetrin. Ata njerëz që në të shkuarën kanë menduar më shumë për të shkuarën, sesa për të tashmen dhe të ardhmen”, u shpreh ai.
Nga “Pallati i Brigadave” në Tiranë, presidenti serb tha se nuk kanë pse u kërkojnë ndjesë vendeve që nuk janë ende pjesë e kësaj iniciative.
“Më ka ardhur pak në majë të hundës se na duhet të japim jutifikime ngahera për hiçgjë. A thua se kemi bërë një gjë të gabuar për ata që nuk janë pjesë e kësaj inciative. Nëse ata duan të vijnë, janë të mirëpritur. Nuk kemi pse kërkojmë më ndjesë”, tha Vuçiç.
Gjatë punimeve të sotme që zhvillohen në Tiranë, do të firmosen disa marrëveshje të rëndësishme, si më poshtë:
- Marrëveshja për kushtet për akses të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor
- Marrëveshja për ndërlidhjen e skemave të identifikimit elektronik të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor
- Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Shqipërisë, Qeverisë së Serbisë dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore dhe ushqimore për kafshë dhe fitosanitare në Ballkanin Perëndimor
- Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Serbisë dhe Qeverisë së Shqipërisë për njohjen reciproke të autorizimeve të operatorit ekonomik të autorizuar – siguri dhe siguri (AEOS)
- Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Shqipërisë për njohjen reciproke të autorizimeve të operatorit ekonomik të autorizuar – siguri dhe siguri (AEOS).