Historiografia shqiptare ia ka borxh Kuvendit të Junikut një përkushtim edhe më të madh hulumtues e shkencor, për arsye se për nga pesha dhe rëndësia mund të rangohet në ngjarjet më kulmore të kombit, që nga koha e Gjergj Kastriotit Skënderbeut e deri në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Nga Mehmet PRISHTINA
Karvani ynë që sivjet ka nisur të lëvizë për të shënuar 100 vjetorin e ardhjes së Hasan Prishtinës në krye të Qeverisë Shqiptare, sot është ndalur në Junikun tonë të bukur.
Siç e dini, para 109 viteve këto kulla që sot me krenari presin e përcjellin miq e dashamirë nga gjithë hapësira shqiptare, ishin dëshmitare të një ngjarje të madhe e cila në historiografi do të njihet si Kuvendi i Junikut. Ditët plot me diell të majit të 1912-tës, paralajmëronin agun e një zgjimi kombëtar, sepse krerët e shqiptarisë kishin vendosur që në Junik të lidhnin besa-besën për t’i dhënë tokave arbërore lirinë e shumëpritur. Prandaj datat 21-25 maj 1912 do të mbeten në historinë e lavdishme shqiptare si gurët më të çmuar në kalendarin e kujtesës kombëtare, për arsye se pikërisht ato ditë vuajtjet shekullore të shqiptarëve nën robërinë e huaj po shkëputeshin nga vargojt e robërisë dhe po sillnin dritën e shpresës, që do të kurorëzohet pak më vonë, më 28 nëntor 1912 në Vlorë.
Kuvendi i Junikut me nismën e Hasan Prishtinës mblodhi 300 delegatë nga gjithë trevat shqiptare dhe si i tillë paraqet platformën më të kristaltë kombëtare që do t’i paraprijë ngjarjeve të bujshme, duke filluar nga çlirimi i Shkupit, më 11 gusht 1012 e deri te shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, më 28 nëntor 1912.
Kjo ngjarje e rëndësishme historike ishte edhe një përgjigje ndaj aspiratave grabitqare të shovinistëve fqinjë, por edhe politikave joparimore të Fuqive të Mëdha ndaj çështjes kombëtare shqiptare, e cila padrejtësisht u ccnua në Kongresin e Berlinit. Prandaj Kuvendi i Junikut, përmes përfaqësuesve të katër vilajeteve shqiptare, e artikulonte qartësisht idenë e krijimit të mëvetësisë shqiptare brenda kufijve etnik, duke e integruar këtë ide në një program 12 pikësh, të cilat janë edhe 12 nenet e kushtetutës shqiptare të miratuar në Junik.
Ky program paraqiste në mënyrë të detajuar vizionin politik për një Shqipni të lirë, e cila do të qeverisej nga vetë shqiptarët, ku parashihej:
- 1.Të shënuemit e kufijve politik të Shqipnisë,
- 2.Në vend të flamurit të Turkisë të jetë flamuri i Shqipnisë,
- 3.T`emnohet nji sundimtar i përgjithshëm në Shqipni, i cili të jetë i zgjedhun nga shpijet e vjetra e të dëgjuana të vendit,
- 4.Në vend të nëpunësave të huej në Shqipni, të vehen nëpunës shqiptarë,
- 5.Të përdoret shqypja si gjuhë zyrtare,
- 6.Të qeveriset sipas zakoneve të vendit,
- 7.Qeverija te jap zotime se nuk do të punoj kundër kushtetutës,
- 8.Shqiptaret të kenë të drejtë të zgjedhin deputet nga shumica e vendeve,
- 9.Shërbimi ushtarak të kryhet në vend, me përjashtim të kohës së luftës,
10.Të ardhurat nga tokat shqiptare të shpenzohen për nevoja të vendit,
- 11.Këshillat e Viljajetit të hartojnë buxhetin,
12.Të kryemit e këtyre kërkimeve të jenë të garantueme nga pushtetet e mëdha.
Kuvendi i Junikut, me programin e tij kombëtar, ndikoi në zgjerimin e kryengritjes në viset e tjera dhe në shtimin e radhëve të saj me mijëra luftëtarë, ndërkohë që Hasan Prishtina dhe atdhetarë të tjerë iu vunë punës për të vënë në jetë vendimet e Kuvendit të Junikut. Ai lëshoi një shpallje drejtuar “Shqiptarëve liridashës dhe botës së qytetëruar”, në të cilën theksonte se “pas përpjekjesh të pafrytshme për sigurimin e të drejtave kombëtare me mjete ligjore, përmes zbatimit të kushtetutës, shqiptarëve nuk u mbeti rrugë tjetër veç asaj të rrëmbimit të armëve. Është momenti kur vendoset fati i Shqipërisë: vdekja ose liria e saj”, përfundonte thirrja e Hasan Prishtinës.
Kuvendi i Junikut frymëzoi shqiptarët në luftën e tyre heroike për çlirim, kurse fryti i parë i kësaj përpjekjeje ishte çlirimi i Shkupit në gushtin e vitit 1912-të, i cili rezultoi me thirrjen e Kuvendit të Shkupit ku Hasan Prishtina kërkoi bashkimin e katër vilajeteve në një vilajet të vetëm, me kryeqytet Shkupin.
Historiografia shqiptare ia ka borxh Kuvendit të Junikut një përkushtim edhe më të madh hulumtues e shkencor, për arsye se për nga pesha dhe rëndësia mund të rangohet në ngjarjet më kulmore të kombit, që nga koha e Gjergj Kastriotit Skënderbeut e deri në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Në përmbyllje të fjalës sime, do të doja të përçoja tej ju, vëllezër e motra, mesazhin e Kuvendit të Junikut për një unitet më të madh brenda nesh, duke lënë manash ndasitë partiake e ideologjike, sepse Kosova ka nevojë shumë për mirëkuptimin tonë të brendshëm, përballë sfidave të cilat ende nuk kanë mbaruar.
Junik, 21 maj, 2021
(Fjalë e mbajtur në akademinë solemne kushtuar 109 vjetorit të Kuvendit të Junikut)