Kuvendi s’e miraton propozimin për themelimin e muzeut të gjenocidit

Deputetëve të Kuvendit të Kosovës nuk ua ka mbushur mendjen propozimi i kryetarit të këtij institucioni, Kadri Veseli, që një muze për gjenocidin të zërë vend në hapësirat e ish-Tjegullores në Prishtinë.

Në seancën plenare të së enjtes propozimet e Veselit për ndërtimin e muzeut të gjenocidit dhe memorialit të dëbimit të shqiptarëve te Stacioni i Trenit në Prishtinë bashkë me propozimin për caktimin e ditës së gjenocidit i janë bashkuar “pakos” që do ta trajtojë një komision parlamentar.

Ky komision do të harmonizojë qëndrimet sa i përket propozimit për themelimin e komisionit shtetëror për krijimin e tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë. Sa i përket muzeut të gjenocidit dhe memorialit, deputet kanë ngritur disa dilema, shkruan sot Koha Ditore.

Kryetari i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka kontestuar mundësinë që Kuvendi të vendosë për këto dy çështje.

“Propozoj që pikat dy dhe tre nuk janë në fushëveprimtarinë e Kuvendit. Mund të parashihen në rezolutën që do të vijë në Kuvend. Aty mund të parashihen hapat për ndërtimin e muzeut të gjenocidit, memorialit dhe caktimin e ditës së gjenocidin”, ka thënë Hoti. Në këtë rast ka reaguar vetë propozuesi i këtyre projekteve, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Ka përdorur një “argument”.

“Kuvendi merret edhe me ujërat e zeza e kanalizimet. Kuvendi miraton çdo buxhet dhe autorizon qeverinë. Njëjtë është edhe këtu. Autorizohet qeveria”, ka thënë ai.

Ligjërisht themelimi i muzeve është goxha i paqartë. Në Ligjin për institucionet e kulturës nuk përmendet themelimi i muzeve. E sipas tij, institucionet e kulturës mund të themelohen edhe nga Kuvendi i Kosovës. Por në nenin 7 të këtij ligji përcaktohet diçka tjetër.

“Institucionet publike të kulturës të një rëndësie të veçantë janë institucionet e themeluara në bazë të ligjeve të veçanta”, shkruhet në këtë nen. Një tjetër çështje që është ngritur në seancë ka qenë pronësia e hapësirës së ish-Tjegullores.

“Bllaca 1999” do të jetë një qendër përkujtimore së cilës në prill të këtij viti i është vënë guri themeltar.

Leave a Comment

Your email address will not be published.