Deputetët e koalicionit qeveritar e kanë votuar rezolutën për dialogun me Serbinë, e cila e obligon Qeverinë e Kosovës për të udhëhequr dialogun me Serbinë.
Kjo rezolutë u votua me 57 vota pro dhe 5 abstenime.
Seanca e së mërkurës për dialogun Kosovë-Serbi e cila përfundoi pa votimin e një rezolute, ka vazhduar në orët e para të shtunës.
Kjo është rezoluta e votuar:
- Republika e Kosovës është e përkushtuar për bisedime politike në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë që do të rezultojë me njohje reciproke. Kuvendi i Republikës së Kosovës rithekson se Kushtetua e Republikës së Kosovës, sovraniteti shtetëror, integritet territorial dhe karakteri shtetëror unitar i Republikë së Kosovës është i pacenueshëm.
- Askush nuk ka të drejtë të dialogojë apo negociojë për integritetin dhe sovranitetin e Kosovës.
- Në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese është Qeveria e Kosovës që ka mandatin të udhëheqë bisedimet dhe dialogun me Serbinë brenda vijave të pakalueshme të vijave të rendit kushtetues.