I dërguari i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, ka thënë se viti 2024, kur duhet të mbahen zgjedhjet në SHBA dhe BE, mund të jetë afati i fundit për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Ai tha se tani që nuk ka zgjedhje në Kosovë dhe Serbi është për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.
Siç shpjegoi ai, kjo është një periudhë gati dyvjeçare që Beogradi dhe Prishtina mund ta shfrytëzojnë për të arritur një marrëveshje përfundimtare.
Ai tha se vitin e ardhshëm nuk e cakton si afat, por se ka një periudhë të përshtatshme kohore, e cila do të jetë deri në vitin 2024, kur do të mbahen zgjedhjet në Uashington dhe Bruksel.
“Çdo ditë është e rëndësishme. Atë që e kam thënë disa herë, ne kemi një kalendar unik që funksionon në favorin tonë dhe nuk na ndërpriten zgjedhjet, gjithashtu kemi një aleancë unike SHBA-BE të mbështetur nga Britania e Madhe. Duhet të bëjmë të pamundurën që të arrihet një marrëveshje para vitit 2024 tha Lajçak pas takimit me Kurtin dhe Bislimin.
Lajçak tha gjithashtu se nuk do të jetë mirë nëse nuk ka përparim deri në vitin 2024, kur do të mbahen zgjedhjet, sepse atëherë fokusi i SHBA-së dhe Bashkimit Evropian do të jetë diku tjetër.
Kryeministri Albin Kurti është shprehur i gatshëm që të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kurdo që të caktohet takimi i radhës.
Ai ka deklaruar se në takimin e sotëm me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak kanë diskutuar për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes dhe zbatimin e asaj për energjinë në veri.
Kështu ka deklaruar shefi i ekzekutivit pas vizitës në Miresh të Gjilanit.
Në Gjilan ka folur edhe për takimin që pati me të dërguarin e posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak.
“Gjithmonë i kemi dy tema kryesore, e para është korniza e përgjithshme e marrëveshjes dhe e dyta janë çështjet aktuale. Në çështjet aktuale kryesorja për neve është zbatimi i marrëveshjes së energjisë, në mënyrë që edhe në veri të Ibrit të fillojë inkasimi për energjinë e konsumuar, sepse nuk ka kurrfarë kuptimi që ta shfrytëzosh energjinë elektrike nga burimet e Kosovës e të mos paguash asgjë. Prandaj tek çështjet aktuale fokusi ynë është zbatimi i marrëveshjes për energjinë që edhe atje të paguhet energjia elektrike. Që është e domosdoshme për ekonominë tonë dhe për ligjet tona”, ka shtuar Kurti.
Ai është pyetur edhe për liberalizimin e vizave, për çka theksoi se kjo temë diskutohet në një instancë tjetër.
“Çështja e vizave diskutohet në një instancë tjetër, ajo çfarë kemi diskutuar ne është progresi i Kosovës në raportin e progresit edhe sa i përket rajonit Ballkanit jemi shumë mirë, më mirë se shumica. Gjithashtu edhe sa i përket raporteve të mëhershme të progresit jemi shumë më mirë”, ka përfunduar ai.
Kryeministri Albin Kurti bashkë me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci kanë marrë pjesë në vendosjen e gurthemelit të një çerdheje dhe kanë vizituar një fermer, i cili ka të mbjella 10 hektarë grurë në Miresh të Gjilanit.