I dërguar i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se Kosova nuk duhet të frikësohet nga krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, pasi kjo nuk nënkupton krijimin e republikës serbe
Lajçaku thotë se Kosova ka bërë shumë zotime në 12 vitet e dialogut, ku ka zbatuar shumë prej tyre, por jo Asociacionin.
“Çfarëdo vendimi që merret për zgjedhjet e 3 prillit në Serbi, do të ketë ndikim në dialog. Kemi folur për modele ekzistuese, ka nevojë për një pëlqim reciprok, për t’u dakorduar për modalitetet. Normal kjo i takon udhëheqësve të Kosovës të vendosin. Kosova është palë e barabartë në dialog, Kosova ka 50 për qind e të drejtës së fjalës që do të thotë se asgjë nuk mund t’i imponohet Kosovës pa u dakorduar Kosova. Unë dëgjoj shpesh qe nuk duam një republikë serbe… E kemi bërë shumë të qartë se askush nuk dëshiron një republikë serbe. Ato që janë dakorduar duhet të zbatohen. Këtë po ia themi si palës kosovare edhe asaj serbe. Si Kosovë keni bërë shumë zotime në 12 vitet e dialogut, keni zbatuar shumë prej tyre, por është një listë që nuk e keni zbatuar, Asociacioni është njëra prej tyre. Pse po mos ta ndryshojmë narrativen, pse në vend se të themi çka nuk duam, pse mos të themi çka duam. Nëse duam të përfundojmë ekzistimin e strukturave paralele, transparencë në qarkullim të parave, nëse duam sundim të ligjit në veri e gjithë kjo mund të bëhet në sistemin kushtetues dhe ligjor të Kosovës. Këshilla ime është të mos frikësoheni për diçka nuk ekziston dhe askush nuk do t’ia imponojë. Dilni me një qëndrim se si i shihni këto funksione. Nuk keni nevojë për të frikësoheni nga një proces që ju jeni duke e drejtuar me Serbinë. Çdo vendim që do të merret do të bazohen në standardet dhe normat evropiane”, ka thënë Lajçak në konferencën për shtyp të mbajtur në Prishtinë.