Lajmi i vrasjes se Hasan Prishtines

Hasan Prishtina

27.09.1873-13.08.1933

 

Lajmin e vrasjes së Hasan Prishtinës unë e mora vesh në nji kafe të Dibrës së Madhe. Ishte i treti vit që unë shkojshe në Banjisht, në llixhat e familjes Lleshi. Siç ju kam thanë edhe ma parë, në kohën e Luftës së Parë Botërore unë kam pas qenë shtrue në nji spital të ushtrisë austriake në Tiranë. Prej asaj kohe e deri sot reumatizma nuk më asht nda. Megjithatë, në llixhat e Banjishtit pata nji përmirësim të jashtëzakonshëm. Edhe atë ditë gushti të vitit 1933, unë kisha mbarue kurën në llixha dhe po rrijshe disa ditë në shtëpinë e Haxhi Lleshit në qytetin e Dibrës së Madhe.

Atë mbasdite, ne po luejshim me letra në kafen e Myslimkës, në rrugën kryesore të Dibrës së Madhe, kur papritun te dera e kafes hyni me vrull nji burrë me nji gazetë në dorë. Ai na hodhi nji shikim të gjithëve dhe foli me za të naltë:

“Burra! Asht vra Hasan Prishtina!”

Lajmi ra në mes të kafes si nji bombë. Mue m’u mpinë duert dhe letrat e bixhozit më rrëshqitën për tokë. Kush kishte guxue me shtie mbi atë burrë shteti, mbi atë shtyllë të patriotizmit shqiptar?! Kush kishte shtie mbi atë njeri që ishte ba simbol i shpresës për fitoren e lirisë, pavarësisë e tërësisë tokësore të Shqipërisë?! Kur dëgjova përgjigjen e pyetjes sime, nuk iu besova veshëve: Hasan Prishtina ishte vra nga Ibrahim Çeloja?! Unë e njifshe Ibrahim Çelon, se shiste fruta e perime në Resnjë. Ai ishte mik i shtëpisë së Irfan bej Ohrit. U ngrita në kambë dhe iu afrova burrit që tundte gazetën në ajër. “E ke gabim,– i thashë.– Asht e pamundun ta ketë vra Ibrahim Çeloja.”

Por gabim isha unë. Emri i Ibrahim Çelos ishte shkrue në gazetë me gërma të mëdha. Ah! psherëtiva me vete dhe mendja më shkoi në Resnjë. Para se të nisesha për në Dibër, isha rrokë për qafe me Ibrahim Çelon në shtëpinë e Irfan bej Ohrit. Ai kishte shtatë muej që rrinte gjithë ditën me Irfan Beun, vetëm gjumi i ndante. Ishin miq të vjetër, mbasi i ati i Ibrahimit kishte vdekë në shtëpinë e Irfan Beut, në Kavajë. Irfan bej Ohri duhej të kishte gisht në vrasjen e Hasan Prishtinës. Rruga e Ibrahim Çelos drejt Selanikut, ku kreu krimin, për mue kishte nisë nga shtëpia e Irfan bej Ohrit në Resnjë. Megjithatë, të vërtetën do ta merrja vesh, sapo të kthehesha në Resnjë…

Koha kur u vra Hasan Prishtina

Sa herë që do të flitet për vdekjen e patriotit dhe demokratit Hasan Prishtina, po aq herë do të përkujtohet kredoja e tij politike, botuar në gazetën “Ora e Shqipnisë” më 22 maj 1928, me titull: “Deri në vdekje!”

“Unë kam një rrugë të caktueme para mejet: atë kam shkelë dhe atë do të shkeli deri në vdekje – rrugën e indipendencës ma të plotë të tanë Shqipnis!…

Nderin t’em si njeri e si shqiptar e çmoj, e tham me kreni, nuk e le të përlyhet me llumin e shpifjeve. Mue n’iden teme patriotike nuk ka mujtë e as nuk do të muej me më shtrue ari i të tanë botës, po as mënia e të tanë anmiqvet!

Ka me më shtrue vetëm vdekja!”141.

Deri ditën e botimit të kësaj deklarate për të vrarë Hasan Prishtinën ishin dërguar nga Tirana në Vjenë së paku katër atentatorë, emrat e të cilëve tashmë janë zbardhur: Pjetër Kallmeti (nëntor 1927), Ibrahim Lika (Lisi, janar 1928), Hasan Sedi (shkurt 1928), Ibrahim Tabaku (prill 1928). “Ajo që është me rëndësi të konstatohet,– thekson biografi Tahir Abdyli,– është fakti se të gji-thë vrasësit ishin në lidhje e detyra të dyfishta me qarqet politike e qeveritare shqiptare e jugosllave.”142

Sipas dëshmisë së njërit prej atentatorëve, Ibrahim Likës (Lisi) nga Kruja, dhënë policisë së Vjenës dhe botuar në gazetën “Ora e Shqipnisë”, nr. 2, datë 10 shkurt 1928, nismëtari i atentatit kishte qenë Gani bej Kryeziu. “Të marrmen e telegramit se u vra Hasan Begu”, i kishte thënë ai, “kam me emnue katër advokata e për tri javë ke me kenë i liruem”. Gani bej Kryeziu e kishte prezantuar Likën edhe me Kryetarin e Republikës së Shqipërisë në Tiranë. Sipas gazetës “Ora e Shqipnisë”, Zogu e kishte pritur atentatorin me fjalët e mirëseardhjes:

Urdhno, Z. Brahim! Hasan Begu më ka vra Cenon. Unë e kam pasë Cenon si vlla e ka kenë krahu i djathtë i emi. Due prandaj t’i marr gjakun. Hasan Begu asht nji tradhtar e barbar e shumë i rre-zikshëm për Shqipnië. Ke me i ba nji shërbim të madh atdheut me shkue me e vra e ti për vedi mos druej aspak pse unë kam Italinë me vedi e me ndihmën e sajë mund të liroj kollaj fort. Kur të zanë e të pyesin në gjygjë pse e vrave Hasanin, thuej se e ke vra me i marrë ha-kun Cenos.

Në përcjellje, Ahmet Zogu i kishte dhënë Lisit 30 napolona ari si kapar. Para se Lisi të nisej për të kryer krimin, sekretari i Përgjithshëm i Presidencës Terenc Toçi e kishte këshilluar: “Kur të lirohesh, kemi me të lidhë 30 napolona në muej si Baltjon Sta-mbollës e ke me pështue për të tanë jetën t’ande…”.

Gani Beu i kishte dhënë edhe një kartëvizitë të futur në një zarf, ku ishte shtypur adresa e konsullit shqiptar në Vjenë, Çatin Saraçit. Në anën e pasme të kartëvizitës, Gani bej Kryeziu i lutej Saraçit që t’i jepte Ibrahimit “adresën e atyne personave”143.

Lika kishte shkuar në Vjenë, ku ishte takuar me disa miq të tij dhe, në vend të adresës së Hasan Prishtinës, kishte gjetur derën e rajonit të policisë. Deponimi i Ibrahim Likës në polici u botua në gazetën vjeneze “Neue freie prese” më 4 shkurt 1928. Ndër të tje-ra, gazeta shkruante:

Lisi ia hedh fajin Presidentit të Republikës Shqiptare, Ahmet bej Zogut, se ky bashkë me dy persona të tjerë e ka shty me e vra Hasan bej Prishtinën, i cili sot është padyshim një nga kundërshtarët ma të mëdhenj e ma të rrezikshëm të Zogut…

Në të njëjtën datë, gazeta “Reichspost” shkruante:

Atentati ishte drejtuar kundra Hasan bej Prishtinës, kundërshta-rit të vjetër të Ahmet Zogut, i cili porsi pris ballkanik pat luftuar
në luftëra të panjohura kundër serbëve e kështu u suell edhe kundra Ahmet Zogut që me ndihmën e Serbisë mundi të kthehet në Shqipëri…

Përpjekja e Ahmet Zogut për vrasjen e Hasan Prishtinës u de-noncua nga gazeta “Ora e Shqipnisë” e datës 23 shkurt 1928:

Bisha nuk është ngopur ende. Gjaku që tash sa vjet po thith nga dejet e më të mirëve shqiptarë nuk e ka shuar ende etjen e gjakpirësit president! Nuk mjaftoi gjaku i Avni Rustemit, i Elez Isufit, i Zija Dibrës, i Gurakuqit, i Bajram Currit e sa e sa të tjerëve… Tiranët kanë etje për gjak. Këtë herë Ahmet Zogu don të shkeli mbi trupin e Hasan Prishtinës.

Heu vaj, heu turp!144

Ndaj Likës nuk u bënë akuza, por në muajin mars 1928, nën mbrojtjen e një eskorte të policisë së fshehtë austriake, ai u shoqë-rua për në Beograd. Sipas gazetës “Ora e Shqipnisë” të datës 21 mars 1928 dhe biografëve të Hasan Prishtinës, Ibrahim Lika u arrestua në Beograd me rastin e një ngjarjeje tjetër dhe u dërgua në një nga burgjet e Maqedonisë, ku u zhduk në mister145.

Por Ahmet Zogu kishte dhënë prova se nuk dinte të ndalej pa i përmbushur vendimet e tij. Gjyqi Hetues i Tiranës më 4 qershor 1928, do të nxirrte një fletë arresti për Hasan Prishtinën, në të cilën akuzohej si organizator i një komploti të rrezikshëm shqip-taro–maqedonas në Durrës, me objektiv jetën e Naltmadhnisë së Tij, Mbretit të shqiptarëve Zogu I. Gjyqi i Posaçëm Politik, i mble-dhur më 16 qershor 1928 në Tiranë, i kishte dhënë Hasan Prishtinës dhjetë ditë afat për t’u paraqitur përpara gjyqit. Hasan Prishtina i ishte përgjigjur thirrjes së Gjyqit Politik të Tiranës me një shkrim në gazetën “Ora e Shqinisë”, datë 6 korrik 1928:

Deklaroj kategorikisht se ky lajm asht krejt i trilluem e nuk asht tjetër veçse nji manovër e kjartë e Zogut me mujtë me çue në vend qëllimet e veta. E para, me përhapjen e këtij lajmi të rrejshëm ai don me gjetë rastin me persekutue patriotët e pafaj kundërshtarë të tij. E dyta, këto persekutime do të vijin me friksue në rastin e zgjedhjeve të reja për konstituente kundërshtarët e tij; e treta, Ahmet Zogu, sikurse jam i lajmëruem nga Shqipnia, nuk e ka hjekë ene mendimin me më largue nga kjo jetë, ndonëse nuk i duel herën e fundit nëpërmjet të dërguemit të vet (Ibrahim Lisi)146.

Gjyqi i Posaçëm Politik do ta dënonte Hasan Prishtinën “me vdekje” (në mungesë), ndërsa kryetarin e degës së Shoqërisë “Bashkimi” të Durrësit, mësuesin patriot Ibrahim Arapi, dhe dy meka-nikë bullgarë, Denko Abaxhief e Theodor Vullkanof, siç e kemi përmendur edhe më lart, do t’i dënonte me varje në litar. Duke komentuar dënimin “me vdekje” të Hasan Prishtinës, gazeta “Ora e Shqipnisë” shkroi:

Kjo asht e pesta herë që ky patriot i vjetër dënohet me vdekje. Kje dënue nga Turqit e Rinj, nga Esat pashë Toptani, nga serbët e sot prap nga nji qeveri shqiptare. Të tana këto dënime janë për at vete-ran porsi dekoracione të lumnueshme që tregojnë qartë se Hasan Prishtina asht nji personalitet me randësi, në të cilin populli shqiptar me arsye ka ngulë shpresat ma të forta. Na Z. Prishtinës i urojmë je-
të të gjatë dhe e sigurojmë se ky dënim i ri ka me xe dhe ma tepër flakën e simpatisë së sinqertë, me të cilën e kanë rrethue edhe e rrethojnë çetat e patriotëve shqiptarë147.

I palëkundur në drejtësinë e kauzës së cilës i kishte kushtuar jetën, në vitet 1930–1933 Hasan Prishtina kishte vazhduar të mblidhte fakte e dokumente të pakontestueshme mbi gjendjen e mjeruar të popullit shqiptar që banonte në “Kosovën e robërueme prej Mbretnisë Jugosllave” dhe t’ia dërgonte Këshillit të Përgjith-shëm të Lidhjes së Kombeve. Veprimtaria e spikatur e Hasan Prishtinës në mbrojtje të popullit të vet e kishte lidhur më tej me Komitetin e Brendshëm Revolucionar të Maqedonisë (Vunutras-nja Makedonska Revolucionarna Organizacija – VMRO). Patrioti Hasan Prishtina gjendej gjithandej: në Stamboll, Bukuresht, Sofje, Kostancë, Romë etj., duke u përpjekur të riorga-nizonte mbi baza të shëndosha Komitetin e Kosovës, të krijonte komitete lokale në Kosovë dhe në qytete të ndryshme shqiptare në Maqedoni dhe të bashkërendonte veprimtarinë e tyre me VMRO-në…148.

Bashkëpunimi dhe veprimtaria e këtyre komiteteve ndiqej me vëmendje nga diplomacia italiane, e interesuar në këtë kohë për shtrirjen e ndikimit të saj në hapësirat ballkanike. Sipas diploma-cisë italiane, realizimi i bashkëpunimit shqiptaro–maqedon duhej të konkretizohej me një marrëveshje mes kryetarit të VMRO-së dhe Hasan Prishtinës, i cili “përfaqësonte Komitetin e Kosovës dhe një krahinë të tërë të fortë në Mbretërinë e Jugosllavisë, prej afër 1 milion banorë, që jetonin në një gjendje depresioni fatalis-tik”. Në një nga takimet e tij me përfaqësuesin e diplomacisë italiane Vitorio Mapeti (Vittorio Mappetti) në Romë, Hasan Prish-tina kishte pohuar se në takimin e tij me kryetarin e VMRO-së, Ivan Mihailov në Gjenevë, ishin marrë vesh për shumë çështje të bashkëpunimit shqiptaro–maqedon149.

Pikërisht në vitet 1931–1933, marrëdhëniet “miqësore” ndër-mjet Musolinit dhe Mbretit Zog arritën në pikën e “ngrirjes”. Me një deficit sa gjysma e buxhetit të vitit 1931, Mbretëria Shqiptare jo vetëm që nuk kishte mundur të shlyente këstet e huas SVEA, por në vitin 1931 kishte rënë në fund të vendeve që ishin për-fshirë në vorbullën e krizës së madhe të vendeve kapitaliste të botës. Ashtu si edhe më parë, Mbreti Zog i kishte kërkuar aleatit të tij të madh, Benito Musolinit, që të ndërhynte pranë grupit financiar “Il Credito Italiano” për shtyrjen e borxheve të huas SVEA dhe të akordonte një hua të re për Shqipërinë, me kushte sa më lehtësuese.

“Il Credito Italiano” e shtyu vjeljen e borxhit të huas SVEA për në fillim të vitit 1932, ndërsa qeveria italiane i akordoi Mbretërisë Shqiptare një kredi dhjetëvjeçare prej 100 milionë franga ari, me lëvrim 10 milionë franga ari në vit. Huaja 100 milionëshe u dha me kamatë zero për qind dhe shlyerja e saj nga qeveria shqiptare do të fillonte vetëm kur të ardhurat në buxhetin e shtetit të arri-nin në shumën e 50 milionë franga ari, diçka që as nuk mund të parashikohej në një të ardhme të afërt, pasi të gjithë e dinin se buxheti shtetërori i vitit 1931 ishte vetëm 31 milionë franga ari. Marrëveshja ishte miratuar njëzëri e me entuziazëm nga deputetët shqiptarë më 26 qershor 1931, pasi kredia e re ishte një dhuratë e vërtetë.

Por lëvrimi i huas 100-milionëshe, ndryshe nga praktikat e më-parshme, do të bëhej drejtpërsëdrejti nëpërmjet institucioneve qeveritare. Qeveria italiane kishte vënë re se, ndonëse në vitet 1925–1931 kishte hedhur në Shqipëri afro një miliard lireta për ndërtime rrugësh, fortifikime, pajisje ushtarake, pagesa ekspertësh e organizatorësh në fusha të ndryshme të jetës së vendit, një pjesë e madhe e fondeve të dhëna kishin rrjedhur në xhepat e qeveri-tarëve apo të nëpunësve të korruptuar. Si pasojë, shqiptarët e thjeshtë ishin varfëruar më tej dhe kishin shfaqur shenja pa-kënaqësie ndaj pranisë së italianëve në shtëpinë e tyre. Kështu, Musolini kishte urdhëruar që huaja 100-milionëshe të mos jepej as nëpërmjet shoqërisë SVEA, as me ndërmjetësinë e Mbretit Zog, i cili kishte shfaqur dëshirën që huaja të merrte formën e një transaksioni privat mes tij dhe qeverisë italiane. Huaja e re do të lëvrohej nëpërmjet transaksioneve bankare midis qeverisë italiane dhe asaj shqiptare. Shprehimisht, në kontratën e huas thuhej:

Me administrimin dhe dhënien e kësaj shume do të ngarkohet një komision i përbërë prej katër vetash, dy italianë dhe dy shqip-tarë, të cilët do të emërohen prej qeverisë shqiptare. Vendimet e komisionit do të merren me shumicë votash150.

Përjashtimi i Mbretit Zog nga roli i garantuesit të huas së re u pasua menjëherë me ftohjen e marrëdhënieve të “ngrohta” italo-shqiptare. Kur ministri fuqiplotë i Mbretërisë së Italisë në Shqi-përi, markezi Lupi di Soranja, dhe kreu i misionit ushtarak italian pranë Oborrit Mbretëror, gjeneral Alberto Pariani, i kujtuan Mbretit Zog se koha për ripërtëritjen e “Paktit të Parë të Aleancës e të Sigurimit” skadoi më 27 nëntor 1931, morën si përgjigje prej tij se “këtej e tutje marrëdhëniet italo-shqiptare tashmë do të bazo-heshin mbi “Paktin e Dytë të Tiranës”, nenet e të cilit kishin fuqi edhe për 16 vjet të tjera.

Refuzimi i Zogut për ripërtëritjen e Paktit të Parë të Tiranës shkaktoi zemërim te Musolini dhe gjithë hierarkia e lartë politike, ekonomike e ushtarake e qeverisë fashiste italiane. Drejtoria e Bankës Kombëtare të Shqipërisë në Romë filloi rrallimin e dhë-nies së kësteve të huas 100 milionëshe, derisa i ndërpreu fare. Përfaqësuesit e shoqërisë SVEA u shfaqën menjëherë në Tiranë për t’i kujtuar Mbretit Zog se Shqipëria po e kalonte muajin janar të vitit 1932 pa e shlyer këstin e parë prej 8 milionë fr. ari të huas së marrë qysh në vitin 1925.

Sipas marrëveshjes së miratuar nga Kuvendi Kushtetues i Shqi-përisë më 12 korrik 1925, në rast mospagimi të rregullt të kësteve, grupi SVEA kishte të drejtë juridike të sekuestronte krejt të ardhurat doganore të Shqipërisë.Shtypi zyrtar i Mbretërisë Shqip-tare e komentoi dërgimin e doganierëve italianë në Shqipëri si kërkesë të qeverisë italiane për bashkim doganor. Komentet e qe-verisë e të shtypit shqiptar u botuan edhe në shtypin jugosllav dhe e detyruan Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë t’i përgënjesh-tronte lajmet e përhapura.

Megjithatë ngrica e marrëdhënieve italo-shqiptare sapo kishte filluar. Mbreti Zog do t’i udhëzonte ministrat e tij të rishikonin të gjitha marrëveshjet tregtare me firmat italiane dhe Parlamenti Shqiptar miratoi një taksë të rëndë për peshkatarët italianë, të cilët deri atë kohë kishin peshkuar pa asnjë kufizim në ujërat shqiptare. Më 1 prill 1933 Parlamenti Shqiptar miratoi mbylljen e të gjitha shkollave private e klerikale, shumica e të cilave ishin italiane. Si kundërpërgjigje, qeveria italiane tërhoqi pjesën më të madhe të personelit mësimdhënës, së bashku me objektet dhe mjetet e tjera mësimore. Po ashtu, gjeneral Pariani dhe pjesa më
e madhe e personelit ushtarak dhe civil italian u larguan nga Shqipëria151.

Nga ana tjetër, Zogu mori masat e duhura për të ruajtur fronin nga ndonjë puç politik që mund t’i organizonte Musolini me emigrantët politikë shqiptarë. Ashtu si tetë vite më parë, kur operacioni i agjenturës së fshehtë ishte mbyllur me vrasjen e Luigj Gurakuqit, edhe në fillim të vitit 1933 konsullatat shqiptare dhe agjentura e fshehtë e Mbretërisë Shqiptare u vunë në ndjekje të kreut më në zë të emigracionit politik shqiptar, patriotit të flaktë shqiptar Hasan Prishtina. Në ditarin e shërbimeve konsullore të Mbretërisë Shqiptare të vitit 1933 janë shënuar të gjitha lëvizjet e Hasan Prishtinës: më 10 janar në Vjenë, më 16 mars në Buku-resht, më 1 prill në Sofje, më 11 prill në Selanik, më 1 maj në Stamboll, më 1 qershor në Vjenë, më 6 qershor në Budapest, më 23 qershor në Vjenë, më 30 qershor në Stamboll dhe më 1 korrik 1933 në Selanik152.

Njoftimin mbi mbërritjen e Hasan Prishtinës në Selanik do ta dërgonte në Tiranë vetë kryekonsulli Qemal bej Mesareja, me telegramin e tij të datës 3 korrik 1933. Më 21 korrik 1933, kryekonsulli shqiptar do t’u bënte me dije eprorëve të tij se deri atë ditë nuk ishte parë “nonjë i arratisur i ri” në konsullatë. Në lidhje me gjurmimin e lëvizjeve të Hasan Prishtinës, Mesareja do të shprehte shqetësimin se nuk e dinte arsyen e vërtetë pse Hasan Prishtina, ishte transferuar nga shtëpia e të vëllait Ymer Prishtina në Hotelin “Astoria” (?) “Sado që vëzhgohet me kujdes, informon Qemal Beu, “Prishtina nuk shifet veçse me vëllan e tij”.

Në të vërtetë, vrasësi i paguar Ibrahim Çelo, i lindur në Resnjë të Maqedonisë më 15 qershor 1896, kishte gjashtë muaj që po e ndiqte patriotin dhe demokratin shqiptar Hasan Prishtina. Në ndjekje të viktimës, Ibrahim Çeloja kishte udhëtuar nga Franca në Vjenë dhe nga Vjena në Athinë. Bileta e tij e prerë në një agjenci italiane në Pire për vaporin “Tevere” mban datën 24 korrik 1933. Nga Brindizi gjurmët e tij ishin gjetur në Durrës e Korçë. Më 3 dhe 4 gusht Ibrahim Çeloja qëndroi në shtëpinë e tij në Resnjë dhe prej aty u nis drejt Selanikut, ku do të kryente edhe krimin e shëmtuar të vrasjes së bamirësit të tij, Hasan Prishtina. Lajmin e vrasjes së Hasan Prishtinës e botuan menjëherë shumë gazeta greke, ndër të cilat “Spiros” e Janinës më 15 gusht 1933 shkroi:

U vra Hasan Beu.

Athinë. – Telegrafojnë nga Selaniku se dje mbasdite u vra në mes të tregut ish-kryeministri i Shqipërisë, Hasan Beu, prej Ibrahim Hy-sen Çelos, arritur për këtë nga Manastiri. Vrasësi shtiu kundër vik-timës shtatë herë, prej të cilave katër plumba e goditën këtë në figurë dhe e lanë në vend të vdekur. Vrasësi u zu dhe u dërgua në polici153.

Gazeta “Liria Kombëtare”, duke dhënë lajmin e kobshëm, e qu-ante këtë vrasje politike dhe akuzonte për të qeverinë shqiptare:

Më 14 gusht, në Selanik u vra Hasan Prishtina, prej një të ashtu-quajturi Ibrahim Çelo nga Resnja e Manastirit. Asasini është një njeri i hurit e i litarit; njeri i cili për para mund të vrasë edhe t’anë. Meqë këtë aventurier e kishte mbajtur me pare e bukë, Hasani nuk e shkonte kurrë nëpër mëndje rrezikun që e pritte… Gjyqi që do të bëhet në Selanik duhet të nxjerrë në shesh komplicitetin e qeverisë shqiptare. Ndryshe ky gjyq s’do të ketë kuptim se vrasësi është një me Isuf Reçin që vrau Avni Rustemin dhe me Balto Stambollën që vrau Luigj Gurakuqin…

Kurse gazeta “Apogjevmatini” e Selanikut e datës 16 gusht 1933 e shihte vrasjen e Hasan Prishtinës si vepër të shërbimeve sekrete jugosllave:

Siç dihet, Ahmet Zogu në ndeshjen kundër Hasan Prishtinës, nuk u druajt të përdorë ndihmën jugosllave, pse me anë të jugosllavëve hyri në Shqipëri. Simbas mendimit të Prishtinës, ky veprim i Zogut që u mbështet në ndihmën e armikut më kryesor të Shqipërisë, ka qenë tradhti. Prishtina do të falte ço vepër të kundërshtarëve të tij… por këtë aleancë me armiqtë më të mëdhenj të Shqipërisë kurrë s’kishte për ta falur dhe prandaj nuk druante përpara çdo mjeti për ta përmbysë… Kjo veprimtari qe nën vërejtjen e pafjetur të Jugoslla-visë, që në personin e tij shihte një armik të rrezikshëm të sigurimit në shtetin jugosllav. Prandaj i binin pas kudo e kurdoherë në udhë-timet e tij në shtete të ndryshme154.

Për ta nxjerrë të larë nga kjo histori qeverinë shqiptare, më 16 gusht 1933 ministri i Punëve të Brendshme i Mbretërisë Shqip-tare, Musa Juka, do t’i dërgonte konsullit shqiptar në Selanik udhëzime se si duhet të shprehej për vrasjen e Hasan Prishtinës:

Disa fletore greke, për vrasjen e Hasan Prishtinës, duan të thonë, gjoja, se ka qenë e shtytur prej Shqipërisë… Fletorja e atjeshme mbi çështjen duhet të botojë artikuj tue deklarue se vrasësi i Hasan Prishtinës, Ibrahim Sheloja (Çelo–sh. i M.Pezës), i lindur në Resnjë të Jugosllavisë, nuk është shtetas shqiptar dhe nuk ka pasur asnjë lidhje me Shqipërinë…

Shkaku i vrasjes mund të ketë rrjedhur për arsye personale, pasi Ibrahim Shelo ishte mik i vjetër i Hasan Prishtinës, rritur e ndih-muar prej tij… Vrasja mund të jetë organizuar nga refugjatët revo-lucionarë shqiptarë që kanë qenë në lidhje me Moskën. Hasan Prishtina ka qenë kryetar i grupit konservator dhe kundërshtar i grupit revolucionar… Vrasësi ka arritur në Selanik prej Manastirit të Jugosllavisë155.

Kryeministri Musa Juka mund të manipulonte shtypin qeveri-tar, po jo shtypin e huaj, i cili që në fillim e vuri gishtin mbi vrasësin e vërtetë të tribunit të pavarësisë dhe të tërësisë tokësore të Shqipërisë. Më 18 gusht 1933, gazeta “Jugoslavinska Poshta” do të botonte lajmin:

Selanik, 17 gusht. Në varrimin e Hasan Prishtinës morën pjesë një shumicë e madhe emigrantësh shqiptarë, kundërshtarët e regji-mit të sotëm. Tashti kuptohet qartë se u vra për intriga politike. Si mik i Fan Nolit, Hasan Beu luante një rol kundër regjimit të Shqi-përisë. Nga ana e emigrantëve shqiptarë besohet se atentati është bërë nga ana e qeverisë shqiptare. Emigrantët thonë se Ibrahimi (atentatori) ka ardhur në Selanik nga Shqipëria (Korçë) dhe nuk është parë me emigrantët156.

Mbi ata që qëndronin pas kësaj vrasjeje të shëmtuar dhe shkaqet e saj, hamendëson gazeta greke “To Fos” e 18 gushtit 1933, e cila shkruan:

Në Beograd asnjë gazetë dhe asnjë parti nuk mungoi të theksojë se në personin e të vrarit u zhduk njëri prej armiqve më me rëndësi të politikës serbe në Shqipëri, bile edhe një prijës i rrezikshëm i minoriteteve shqiptare në Serbinë e Jugut… Ndjenja e papërmbajtur e kënaqësisë për këtë vrasje domosdo nuk është mjaft që të tregojë se serbët e organizuan. Të paktën mendimi zyrtar është se nga ato që u shkruan direkt ose indirekt ka pjesë dhe “Bella Ruka” (dora e bar-dhë) që nuk janë veçse fantazi. Por në kulisat flitet shumë. Dhe me gjithë që hetimet mund të sjellin në dritë gjëra të habitshme, prapë Beogradi është i qetë. Askush nuk do të mundë të shkoqitë ç’janë gatuar rreth kësaj vrasjeje.

Askush! Se drama e Selanikut është nga ato dramat misterioze që mbyllen brenda në korridoret e errëta të Ministrisë së Jashtme ose janë objekte të marrëveshjeve të fshehta dhe intrigave të pazbuluara. Shumë janë shkruar për Çelon, por askush nuk ka për ta zbuluar dorën misterioze, e cila i dha revolverin dhe arkën që përmbante mjetet e bollshme. Çeloja, i ashtuquajturi pemëshitësi i Resnjës, me pasurinë e tij reale apo fantastike, do të mbetet një personalitet i errët me fund të paditur. Askush s’ka për ta marrë vesh kurrë se oborri i Tiranës e lajkosi apo Beogradi e fanatizoi. Diplomacia ballkanike është një labirint!157

Dhe në këtë “labirinth ballkanik” askush nuk e vuri re dritën që hodhi mbi të vërtetën korrespondenti i gazetës greke “Tahidhro-mos” më 17 gusht 1933. “Ja dhe një element i cili dëshmon se medoemos ndonjë dorë e huaj ka marrë pjesë në vrasje. Vrasësi Çelo që nga burgu i ka dërguar një telegram zonjës Xhemile, e cila banon në Resnjë të Jugosllavisë: “Hasan Prishtina u rregullua, unë jam mirë, mos u shqetësoni. Ibrahim.”

Korrespondenti shprehet se “marrësi i telegramit nuk është grua” dhe hedh hipotezën se ishte fjala “për një agjent të orga-nizatës, e cila interesohej për vrasjen e Prishtinës”158.

 

Myslim Peza: “Dora e Irfan Ohrit në vrasjen e Hasan         Prishtinës

Sapo u ktheva në Resnjë, Sulë Ajazi më kallxoi se Irfan Beu e kishte çue të shoqen e tij dy herë me Ibrahim Çelon tek Ahmet Zogu në Tiranë. Irfan bej Ohri kishte çifligun e tij në Resnjë, por i kishte lanë pa zot shtë-pitë e çifligun në Kavajë. Pra, donte t’u kthente te pasunia e pronat e tij në Shqipni. Natën e dytë shkova drejt e në shtëpinë e Irfan Beut. Prita sa shërbëtori shtroi mezet, mbushi gotat dhe doli. Kur Irfan Beu u mat për ta tokë gotën e tij me timen, unë vuna dorën mbi gotën time dhe i thashë:

“Para se ta pijmë kët’ gotë me raki, Irfan bej, kam nja dy fjalë me ty.”

Ai u tërhoq dhe u mbështet mbi jastëk. “Sa të duesh, biri im. Fol.”

“Më ka randue shumë vrasja e Hasan Prishtinës, Irfan bej”,– Ai iu shmang shikimit tim, por unë vazhdova pa ia shqitun sytë.– “Në radhë të parë, ishte atdhetar i flaktë; në radhë të dytë, ishte i krahut të Aqif Pashës; në radhë të tretë, ishte shoku jot i ngushtë. Ti më ke folun për të, prej teje e kam njoftë edhe unë, e kam dashtë edhe unë. Edhe nji herë të vetme që ia kam pi kafen Hasan Beut, ai ishte me ty”.

“Ashtu asht, biri im, ashtu asht,– zani i tij dukej i qetë.– Edhe mue më ka ardhë keq për vrasjen e tij.”

“Jo, bej, ty s’të ka ardhë hiç keq për vrasjen e tij.”

Irfan Beu bani sikur u habit. “Pse ?!”

“Sepse ti ke ndejtë shtatë muej kokë më kokë me Ibrahim Çelon në kët’ shtëpi. Ti e ke çue dy herë Ibrahimin në Tiranë, për t’u marrë vesh me Zogun,– nuk ia përmenda të shoqen.– Ibrahim Çeloja asht kthye nga Tirana në Resnjë, mbasandej asht nisë për në Selanik. Prandej në vrasjen e tij ke gisht edhe ti, Irfan bej”.

“Jo, biri im, nuk asht e vërtetë kjo. Ti nxitohesh….”

“Asht aq e vërtetë, sa nuk e luen as topi. Ti je lidhë me anmikun tonë të betuem, tuj ba kurban shokun tonë ma të mirë. Ky asht nji turp i madh për ty, Irfan bej! Ja ku e ke gotën e rakisë. Unë nuk mund ta pi, se asht helm!”.

Unë u ngrita për herë të dytë e të fundit nga tavolina e atij njeriu të pabesë, për të mos i besue ma kurrë në jetën time. Të nesërmen në mëngjes erdhën xhandarët e nënprefekturës dhe më kërkuen dorëzimin e revolverit, nji tetëshe me mulli, që ma kishin dhanë vetë, me ndërhyrjen e Irfan bej Ohrit. Nuk kaluen as tre–katër muej dhe Irfan Beu u kthye në pronat e veta në Shqipni.

Leave a Comment

Your email address will not be published.