U.d e presidentit, Vjosa Osmani ka pranuar telegrame urimi për 13-vjetorin e pavarësisë së Kosovës nga Mbretëresha Elizabeth II e Mbretërisë së Bashkuar, presidenti gjerman Frank- Walter Steinmeier, presidenti francez Emmanuel Macron dhe ai italian Sergio Mattarella.
Në telegramin e Mbretëreshës Elizabeth II, ajo ka uruar popullin e Kosovës për ditën e pavarësisë, duke shfaqur shpresën për tejkalimin e sfidave nga pandemia.
Kurse presidenti gjerman Steinmeier, në telegram ka theksuar progresin e Kosovës në procesin e integrimit evropian.
“Reformat vendimtare dhe të qëndrueshme për forcimin dhe sundimin e ligjit, si dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, edhe më tej janë qenësore për ta vazhduar këtë rrugë. Rifillimi i dialogut vitin e kaluar me ndërmjetësimin e BE-së, ishte një hap i rëndësishëm”, thuhet në telegramin e presidentit gjerman.
Edhe homologu i tij francez, presidenti Macron, duke uruar popullin e Kosovës për ditën e pavarësisë, ka potencuar rëndësinë e rifillimit të dialogut me Serbinë.
“Unë do të doja të përshëndesja angazhimin e Kosovës në dialogun me Serbinë që nga rifillimi i tij, pas takimit të nivelit të lartë, të cilin kancelarja Merkel dhe unë e mbajtëm më 10 korrik 2020. Unë mbështes plotësisht ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit të posaçëm për dialogun, z.Miroslav Lajçak, me synimin për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme”, thuhet në telegramin e presidentit Macron.
Ndërkaq presidenti italian Mattarella, gjithashtu ka përgëzuar popullin e Kosovës në 13-vjetorin e pavarësisë, duke potencuar mbështetjen për procesin e dialogut me Beogradin.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott ka uruar Kosovën në 13-vjetorin e bërjes shtet.
Ai në urimin e tij ka shkruar se Dita e Pavarësisë së Kosovës është mundësi e mirë për të reflektuar mbi përpjekjet dhe sakrificat e së kaluarës.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm drejt një të ardhmeje më të begattë, më të qëndrueshme dhe të sigurt.
Blinken tha se SHBA-ja e përgëzon Kosovën për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, ndërsa duartroket edhe përpjekjet e saj për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë.
“Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, e përqendruar në njohjen reciproke, do të kërkojë nga të gjitha palët të demonstrojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromis”, tha Blinken.
Ai i bëri këto komente në një letër dërguar autoriteteve të Kosovës, me rastin e 13-vjetorit të shpalljes së pavarësisë.
“Shtetet e Bashkuara i vlerësojnë lidhjet e forta midis njerëzve tanë dhe do të vazhdojnë ta mbështesin Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit euro-atlantik”, tha Blinken.
Një ditë më herët, Kosovën e uroi edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.
Biden, mes tjerash, shprehu gatishmërinë për të punuar me Qeverinë e re të Kosovës në rrugën e integrimit evropian.
“Dita e Pavarësisë në Kosovë është mundësi e mirë për të reflektuar mbi përpjekjet dhe sakrificat e së kaluarës, si dhe për t’i nderuar këto përmes realizimit të ëndrrës për një Kosovë të pavarur, demokratike dhe me prosperitet. Mbretëria e Bashkuar ka qenë dhe gjithmonë do të jetë pranë jush në këtë rrugë”, ka shkruar Abbott.