Shkruan Dr. Mehnet Prishtina – Drejtor i Fondacionit “Hasan Prishtina”
10 Qershori 1878
Lidhja Shqiptare e Prizrenit – Simbol i vetëdijes kombëtare dhe bashkimit historik të shqiptarëve
Koha është gjyqtari më i drejtë i historisë – vetëm ajo u jep kuptim të plotë atyre ngjarjeve që shpesh, në kohën kur ndodhin, nuk kuptohen siç duhet.
Në qershorin e vitit 1878, në një moment vendimtar për fatin e trojeve shqiptare, udhëheqësit më të mençur e më të përkushtuar të kombit tonë – nga të gjitha anët e Shqipërisë Etnike – u mblodhën në Prizren dhe hodhën themelet e organizimit të parë të mirëfilltë politik kombëtar: Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.
Ky nuk ishte vetëm një akt mbrojtës ndaj copëtimit të trojeve, por një projekt kombëtar gjithëpërfshirës – për bashkim, vetëvendosje dhe zhvillim. Lidhja krijoi një platformë përfaqësuese që kapërceu ndarjet krahinore e fetare dhe vendosi themelet e një ideologjie moderne politike shqiptare:
Liria si bazë e ekzistencës sonë,
Dinjiteti si busull shoqërore,
Zhvillimi kulturor, ekonomik e shpirtëror si rrugë drejt emancipimit.
Ky vizion nuk mbeti i mbyllur në vitin 1878.
Ai gjeti vazhdimësi në kryengritjen e përgjithshme shqiptare të vitit 1912, ku figura të mëdha si Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri, Bajram Daklani, Rizah Bej Gjakova e Idriz Seferi përballuan perandorinë osmane për ta realizuar idealin e Lidhjes: një Shqipëri të bashkuar dhe të lirë.
Ky vizion gjeti shprehje të re edhe një shekull më vonë, në luftërat e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (1998–1999), në luftën e armatosur të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (2001) dhe në luftën për liri në Maqedoninë e Veriut, që të gjitha pjesë e të njëjtit qëllim: çlirimi dhe bashkimi i trojeve shqiptare.
Sot, trojet tona vazhdojnë të mbeten të ndara në pesë shtete. Kjo realitet historik dhe politik kërkon vizion të qartë kombëtar, politikë të përgjegjshme dhe vetëdije të thellë historike.
Politika shqiptare duhet të edukohet kombëtarisht.
Ajo nuk mund të udhëhiqet nga interesa afatshkurtra apo ndasi partiake, por nga ideali i bashkimit kombëtar, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimin e vetëvendosjes së popujve.
10 Qershori nuk është vetëm një përkujtim ceremonial. Është një thirrje për reflektim dhe veprim:
A po e mbajmë fjalën që dhanë të parët tanë?
A po e çojmë përpara misionin që filloi në Prizren dhe vazhdoi në fushëbetejat e çdo epoke?
A kemi guximin të kërkojmë drejtësi për kombin tonë, ashtu siç e kërkuan ata?
Siç ka thënë me urtësi akademik Esat Stavileci:
“Është më e lehtë të mbash fjalim, sesa të mbash fjalën.”
Fjalët tona sot nuk kanë vlerë, nëse nuk ndjekim shembullin e të parëve tanë me vepra konkrete. Sepse pa një zgjidhje të drejtë dhe të plotë për çështjen shqiptare, paqja dhe stabiliteti në Ballkan do të mbesin të brishta.
Akademik Gazmend Zajmi me të drejtë theksonte:
“Nëse do të hartohej një projekt i madh për stabilitetin afatgjatë në Ballkan, zgjidhja e drejtë e çështjes shqiptare do të zinte vendin qendror.”
Këtë mesazh duhet ta bartim në çdo hap.
Në çdo institucion.
Në çdo tryezë ndërkombëtare.
Miqësia shqiptaro-amerikane duhet të mbështetet në idealet e përbashkëta të lirisë, barazisë dhe drejtësisë, pikërisht ato vlera që frymëzuan Lidhjen e Prizrenit dhe të gjitha brezat që sakrifikuan për lirinë.
Urime 10 Qershori – Dita e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit!
Lavdi brezave që nuk u ndalën në fjalë, por ecën në rrugën e vërtetë të lirisë!