Intervistë ekskluzive për gazetën KOHA me gjuhëtarin Xhevat Lloshi
Shkëlqimin e vet familja Qiriazi ia ka dhënë gjithë Manastirit. – Organizatori i vërtetë për përgatitjen dhe zhvillimin e punimeve të Kongresit të Manastirit ka qenë Gjergj Qiriazi.- Kongresi i Manastirit nuk përcaktoi thjesht një alfabet kombëtar, por përvijoi një orientim tërësor për kombin shqiptar. – Vendimet e Kongresit përmbanin një kompromis, jo një kompromis oportunist, por që përmban zgjidhjen e drejtë për të ardhmen. – Orientim i shqiptarëve nga kultura dhe qytetërimi europian mishërohet te Kongresi i Manastirit dhe te familja Qiriazi. – Kongresi i bashkimit na bashkon kurdoherë dhe merita i takon drejtorit Skënder Asani, gjithë punonjësve të ITSHKSH dhe të Ministrisë së arsimit
Këtyre ditëve në Shkup dhe në Manastir u organizua manifestimi tash më tradicional ‘Ditët e Alfabetit’, organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, me mbështetje të Ministrisë së Arsimit dhe asaj për Sistem Politik. Në qendër të këtij manifestimi ishte evokimi i ngjarjeve e figurave që lidheshin me Kongresin e Manastirit, kurse në këtë intervistë për gazetën KOHA, në një bashkëbisedim me leksikologun dhe profesorin e stilistikës shqiptare, dr. Xhevat Lloshi, do t’i përimtojmë disa aspekte më pak të njohura reth kontributit të familjes fisnike Qiriazi në mbarëvajtjen e këtij Kongresi, konkretisht të Gjergj Qiriazit, për të cilin dr. Lloshi ka shkruar një monografi gjigante mbi 1200 faqe, të cilën me të drejtë mund ta quajmë edhe vepër jetësore të tij.
Intervistoi: EMIN AZEMI
KOHA:Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, në bashkëpunim me Institutin për Studime Shqiptare dhe Protestante, solli para publikut të gjerë librin dyvëllimësh Tuajin me titull: “Gjergj Qiriazi në Kongresin e Manastirit”. Me të drejtë nga shumë kush KJO është vlerësuar si vepër jetësore e juaja. I nderuari profesor, po për juve çka paraqet kjo vepër, si erdhi ajo dhe u formësua në formë të një ngrehine mbi 1200 faqe që hedh dritë mbi një personalitet të shquar, siç është Gjergj Qiriazi. Në fakt, çka sjell kjo vepër, që është risi për publikun e gjerë?
LLOSHI: Në radhë të parë më bie të falënderoj Institutin e Trashëgimisë në Shkup dhe Institutin e Studimeve Shqiptare e Protestante në Tiranë, që mundësuan daljen në dritë të një libri në dy vëllime. Nuk ka qenë e rastit kjo ndihmesë e dyanshme. Gjithkush e di se Kongresi i Manastirit është një nga trashëgimitë më të vyera kulturore për gjithë shqiptarët, ndërsa në veçanti për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, sepse ata ishin organizatorët e drejtpërdrejtë dhe mikpritësit e asaj ngjarjeje të pashlyer. Nga ana tjetër, Instituti i Studimeve në Tiranë i kushtohet njëkohësisht historisë shqiptare dhe protestante ndër shqiptarët, ndërsa familja Qiriazi e mishëron në mënyrë të përkryer përkushtimin e pandarë ndaj shqiptarizmit dhe protestantizmit. Tashti mbetet të tregoj cili është vendi im në këtë mes.
Ju e quani si vepër jetësore për mua dhe ju falënderoj për cilësimin, kurse më bie ta shpjegoj pak si erdha te kjo vepër. Pothuaj gjashtëdhjetë vjet më parë nisa të punoja në fushën e gjuhësisë shqiptare e në veçanti në hartimin e fjalorëve, ose me një term të vetëm, në leksikografi. Ai që punon për fjalorin e shqipes nuk ka se si të mos njohë punën e jashtëzakonshme të Konstandin Kristoforidhit. Në vitin 1968 përkujtuam 500-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut. Me gjithë përpjekjet serioze të studiuesve tanë, me këtë rast u duk qartë, se nuk mund të përparonin më tej kërkimet tona historike pa shfrytëzuar arkivat e huaj. U hartua një plan, në të cilin parashikoheshin kërkime arkivore në disa vende. Mes tyre u fol edhe për arkivat anglezë, dhe të them të drejtën, kjo u prit me shpoti, sepse askush nuk e besonte që mund të vihej në jetë kjo ide. Megjithatë, u ndërthurën rrethanat në mënyrë fatlume dhe unë u ndodha në Londër disa muaj për kërkime, ndërsa ditët e para nuk e besoja as vetë se ishte plotësuar një ëndërr.
Po përdor fjalën ëndërr, sepse e dija, që Kristoforidhi kishte bashkëpunuar me Shoqërinë Biblike Britanike dhe për Vendet e Huaja, po gjithsesi nuk e përfytyroja që mund të hyja në arkivin e saj, duke shkuar nga Shqipëria – i vetmi vend ateist në botë. U deshën dy vjet derisa të na jepej viza, por gjatë asaj kohe hulumtova gjithçka mund të gjeja në bibliotekën tonë për të pasur të dhënat e domosdoshme, që të dija se ku dhe çfarë të kërkoja. Shkurt, hyra në atë arkiv dhe shfletova me mijëra faqe që nga viti 1816 për të gjetur se çfarë gjurmësh mund të kishte për punën me përkthimet shqip. Besoj se do të ma kuptoni ngazëllimin që kam ndier, kur zbulova një thesar të vërtetë dokumentesh dhe dorëshkrimesh të panjohura deri atëherë.
Pas kthimit në Tiranë kam bërë mjaft punime për këtë temë, por duke gjetur këndvështrimin e nevojshëm kulturor e shkencor, që të shkruaja për përkthimin e Biblës shqip në një periudhë, kur edhe mund të dënoheshe thjesht sepse përmendje atë libër fetar. Gjithsesi, nuk reshta së përkthyeri shqip dokumentet, një punë mjaft e vështirë, po edhe të transkriptoja dorëshkrimet, domethënë krahas punës sime si hartues fjalori, e gjithashtu si pedagog i stilistikës së shqipes, kam kryer vijimisht edhe punën filologjike, e cila natyrisht kishte lidhje të ngushtë me filologjinë e shqipes, po edhe me historinë tonë kulturore, sepse kërkonin vëmendje figura të shquara historike, ngjarje të rëndësishme e në veçanti historia e librit shqip dhe e shkollës shqipe. Menjëherë pas ngjarjeve që i dinë të gjithë të viteve 1990, u krijua mundësia që të nxirrja në dritë atë lëndë, e cila bashkë me vlerën e madhe për rrugën e gjuhës së shkruar shqipe, kishte edhe përmbajtjen fetare, e për këtë arsye deri në atë kohë as që mund të mendohej se mund të botohej. Përgatita kështu disa botime, e ndër to librin për Vangjel Meksin e Grigor Gjirokastritin, ku kam riprodhuar edhe dorëshkrimin e vitit 1820 të një ungjilli, librin për Kristoforidhin përmes dokumentimit, përmbledhjen e gjerë dokumentare me thesaret e Shoqërisë Biblike për gjuhën shqipe dhe pesë vëllime me përkthimet biblike të Kristoforidhit.
Nuk është e vështirë të kuptohet, që është zbuluar kështu një fushë e gjerë, e cila nuk ka qenë e njohur. Nga ana ime e kam quajtur se në radhë të parë më bie detyra të bëj të njohura dokumentet, që t’i njohin të gjithë dhe pastaj secili mund të bëjë rrëfimin e tij për ngjarjet dhe figurat. Përvoja e kaq shumë vjetëve më ka mundësuar që të deshifroj e të përkthej aq shumë dokumente, gati gjithnjë dorëshkrime pothuaj të palexueshme, duke ua lehtësuar punën hulumtuesve të tjerë, të cilët nuk do të jenë më të detyruar ta përshkojnë po këtë rrugë të mundimshme, që do të ishte një pengesë e kotë për ta. Rrjedhimisht, në dy vëllimet e mia ka dy risi.
EMRI I GJERGJ QIRIAZIT KISHTE MBETUR PA TË DREJTË JASHTË VËMENDJES
KOHA: Kongresi i Alfabetit në Manastir nuk do ta kishte këtë vlerë dhe këtë jehonë historike pa kontributin e familjes Qiriazi. Çka flasin hulumtimet tuaja mbi këtë çështje dhe si ka ndodhur që po bëhen mbi 100 vite nga ky Kongres, studimet tona albanologjike e kulturologjike kishin mbetur prapa në ndriçimin e Qiriazëve dhe u deshtë të kalojnë kaq vite që të vijë kjo vepër e juaja kapitale?
LLOSHI: Risia e parë është një rrëfim tjetër për Kongresin e Manastirit. Duke pasur tashti dokumente, që më janë shtuar gjatë viteve edhe nga kërkimet në arkivat e disa vendeve të tjera, si dhe me ndihmën bujare të dy studiuesve amerikanë, John Quanrud dhe David Hosaflook, natyrisht që shfaqet një pamje e re e kësaj ngjarjeje kombëtare. Nuk mund të mos shtoj, se edhe në arkivat e Shqipërisë kam gjetur lëndë të gjerë e të çmueshme, që nuk ishte shfrytëzuar dhe nuk ka rëndësi tashti se cilat ishin shkaqet e kësaj. Ka rëndësi të vë në dukje, se kështu kishin mbetur prapa studimet. Më 2008, me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit pata botuar një libër për alfabetin e shqipes. Kisha vënë re një varg gjërash, të cilat mbeteshin pak të çuditshme dhe nuk e di përse nuk u kishin rënë në sy hulumtuesve të mëparshëm. Po përmend vetëm diçka këtu, sepse në libër janë trajtuar gjerësisht. Për shembull, programi i shpallur i Kongresit ka mospërputhje me zhvillimin e punimeve të tij. Mit-hat Frashëri u zgjodh kryetar, por nuk ka asnjë rresht, që të dëshmojë për veprimtarinë aq me peshë për këtë detyrë. Gazeta “Lirija” e ka botuar reportazhin për Kongresin në një datë kur nuk ishte mbyllur Kongresi, atëherë si është përshkruar aty kjo mbyllje, kur ende nuk kishte ngjarë? Por sidomos më bëri përshtypje, përse Kongresin e hapi Gjergj Qiriazi? Autorët e mëparshëm nuk i kishin kushtuar asnjë vëmendje këtij fakti të dukshëm.
Emri i Gjergj Qiriazit kishte mbetur jashtë vëmendjes jo vetëm sepse mungonin dëshmitë dokumentare, por edhe sepse ndriçonin fort emrat e Gjerasim Qiriazit, Sevasti Qiriazit dhe Parashqevi Qiriazit. Është e vërtetë se shkëlqimin e vet familja Qiriazi ia ka dhënë gjithë Manastirit. Për mua këtu ishte filli për të shkuar te shpjegimi i pikëpyetjeve: të rëmoja më tej në gjithë dokumentet për familjen Qiriazi dhe për Kongresin. Dhe kjo është risia e dytë e librit tim të ri. Aty vetëm afër një e pesta është rrëfimi im, siç e quajnë tashti, monografia, ndërsa afër katër të pestat janë dokumente. Nga ky thesar unë kam vjelë atë çka më duhej për këtë temë, por gjurmuesit e tjerë mund të gjejnë lëndë për shumë kërkimet të tyret.
Dhe kështu në mënyrë të papritur edhe për mua, erdha në përfundimin se organizatori i vërtetë për përgatitjen dhe zhvillimin e punimeve të Kongresit të Manastirit ka qenë Gjergj Qiriazi. Nuk po e quaj këtë risia e tretë, sepse pres që lexuesit dhe studiuesit të binden ose ta kundërshtojnë këtë përfundim dhe ndoshta do të më japin të drejtë.
U NDËRTUA NJË MODEL I RI I BASHKIMI KOMBËTAR
KOHA: Qiriazët bashkë me Kongresin e Alfabeti i vunë bazat e shkrimit dhe arsimit shqip. Kjo ndikoi që shqiptarët përfundimisht të orientohen nga kultura dhe civilizimi oksidental. Çka e bën të veçantë sipas jush këtë orientim, kur kemi parasysh luftën e pareshtur të kundërshtarëve tanë për të na spostuar në drejtime tjera?
LLOSHI: Kongresi i Manastirit nuk përcaktoi thjesht një alfabet kombëtar, por përvijoi një orientim tërësor për kombin shqiptar. Po shënoj së pari, se jo vetëm u arrit bashkimi kombëtar, por edhe u ndërtua një model i këtij bashkimi, që do të mbetej në themel të historisë së mëtejshme shqiptare. Për të gjitha rastet e mëtejshme në çaste vendimtare ndiqej modeli i bashkimit, i cili më vonë mori formulimin si bashkëpunim pa dallim feje, krahine dhe ideje. Njëkohësisht vendimet e Kongresit përmbanin një kompromis. Siç dihet, në vendimet u rendit i pari alfabeti i Stambollit, ndërsa dihet se pa asnjë vonesë fitoi ai alfabet, që kemi sot. Nuk është përmendur më parë kjo anë, prandaj po e theksoj, se ishte një kompromis dhe shqiptarët duhej të mësoheshin dhe duhet ta mbajnë parasysh këtë mësim edhe në ditët tona. Jo një kompromis oportunist, por që përmban zgjidhjen e drejtë për të ardhmen, duke ia lënë kohës hedhjen e hapave të mëtejshëm, duke e kapërcyer ngërçin e momentit. Fare qartë duket kjo në vendimet, që të mbaheshin kongrese të tjera dhe në të vërtetë u mbajtën e dhanë fryte. Shqiptarët hynë kështu në një rrugë të politikës moderne, e cila do të përpiqej të mënjanonte bajraktarizmin shqiptar.
Miratimi i një alfabeti mbi bazën thjesht të germave latine e lehtësonte shtypjen e librave kudo në vende të tjera. Ky fakt është paraqitur me të drejtë si një argument teknik për të parapëlqyer atë alfabet. Mirëpo më lejoni ta zbërthej këtë, sepse objektivisht nuk ishte fjala për gjithë vendet e tjera, por vetëm për ato që kishin shtypshkronja me kompletin latin të germave. Dhe këto ishin vendet, që sot i quajmë Europa Perëndimore. Prandaj kanë të drejtë të gjithë ata, që e vlerësojnë se shqiptarët u orientuan nga kultura dhe qytetërimi europian. Në këtë rast ky orientim mishërohet te Kongresi i Manastirit dhe te familja Qiriazi. Nuk është vendi këtu për t’u thelluar te rrjedha e jetës dhe e veprimtarisë së Qiriazëve, mjafton të përmendet, që ata ishin në lidhje të ngushta me përfaqësues të nivelit të lartë kulturor amerikanë dhe anglezë, kurse Gjergji në veçanti edhe me ata austriakë. Për këtë të fundit kam sjellë një material të gjerë në libër. Gjithashtu ata kanë përkthyer literaturë dhe libra shkollorë europianë, madje edhe shkolla e themeluar prej tyre ishte e modelit amerikan, edhe metodat mësimore i kishin përvetësuar në shkollat amerikane. Do të shtoja, që Aleksandër Tomsoni, përfaqësuesi i Shoqërisë Biblike për gjithë Perandorinë Osmane, shihet qartë se gjithmonë ka këmbëngulur për ngritjen arsimore të gruas shqiptare për ta shpëtuar nga ajo prapambetje e thellë në të cilën mbahej. Nuk do ta zgjas se si ishte vetë Naimi që e përgëzoi Sevastinë kur u diplomua, ose se si Samiu po ashtu kërkonte emancipimin e gruas shqiptare.
Ana tjetër është konteksti ballkanik. Është e vërtetë se disa fuqi antishqiptare nuk e pranonin orientimin e shqiptarëve drejt Europës. Arsyeja është fare e dukshme: një Shqipëri e pavarur dhe e përparuar sigurisht që ishte në kundërshtim të plotë me synimet e tyre grabitqare kundrejt trojeve shqiptare. Ata nuk donin një Shqipëri me gjuhën e vet të shkruar, me shkollat shqiptare, me shtypin shqip, me kulturën kombëtare të lulëzuar, sepse këto përbëjnë identitetin kombëtar, nga i cili buron lufta për liri e pavarësi. Shkurt, që te abëcëja niste orientimi drejt së ardhmes. Nuk është vendi këtu për të shpalosur gjithë luftën e pandershme kundër alfabetit të shqipes, kundër shkollës shqipe dhe librit shqip. Po nuk mund të mos e them me kënaqësi, që shqiptarët i arritën synimet e tyre edhe përballë mjedisit armiqësor, ndërsa nuk ju munguan edhe miqtë dashamirës.
KOHA: ITSHKSH këtyre ditëve organizoi një sere ngjarjesh e aktivitetesh që lidheshin me Ditët e Alfabetit. Si i vlerësoni ju këto aktivitete, të cilat, për hir të së vërtetës përpos në Manastir dhe Shkup nuk po organizohen tjetër kund në hapësirën shqiptare?
LLOSHI: Ishte një gëzim i veçantë të merrje pjesë në Ditët e Alfabetit, të organizuara aq të pasura dhe të larme nga Instituti i Trashëgimisë në Shkup. Mësuam me këtë rast se 22 Nëntori, dita e mbylljes së Kongresit të Manastirit, është shpallur ditë feste dhe është vendosur një çmim shtetëror me këtë rast. Për mendimin tim, kjo nuk është thjesht një arritje e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, por edhe një pasurim i jetës kulturore për gjithë Maqedoninë e Veriut. Kongresi i Manastirit i ka dhënë Bitolës një emër të nderuar ndër shqiptarët, është një provë se popujt tanë kanë pasuri të përbashkëta nga trashëgimia dhe kjo është baza më e shëndoshë për miqësi midis popujve.
Me të drejtë ju bëni vërejtjen, përse nuk janë organizuar veprimtari me këto përmasa për këtë rast edhe në Tiranë e në Prishtinë. Këtë vit nuk ishte ndonjë përvjetor me shifra të rrumbullakëta dhe do të ishte e vështirë, që të bëhej diçka e tillë, sepse kemi mjaft festa të tjera dhe ngjarje të mëdha nga historia, për të cilat nuk mund të bëhen manifestime të mëdha çdo vit. Do të mbushej çdo ditë e vitit. Kurse Kongresi i Manastirit ka veçantinë e tij dhe për më tepër nuk munguan përfaqësuesit nga trojet e tjera shqiptare. Kongresi i bashkimit na bashkon kurdoherë dhe merita i takon drejtorit Skënder Asani, gjithë punonjësve të ITSHKSH dhe të Ministrisë së Arsimit, të cilëve me këtë rast u shpreh edhe një herë falënderimet më të ngrohta. Me ato shkronjat e Manastirit janë bërë edhe botimet e reja, të cilat shkojnë te të gjithë lexuesit e studiuesit shqiptarë dhe kështu ata bëhen pjesëmarrës të atyre Ditëve të Alfabetit.