Sanxhaku, si dhe të gjitha viset e Ballkanit, pa ndonjë vështirësi, ranë nën administrimin e italianëve dhe gjermanëve. Nga mesi i korrikut të viti 1941 pati kryengritje ne Sanxhakun perëndimor. Nga superioriteti ushtarak dhe organizimi më i mirë se ushtria e kryengritëse (partizanët), trupat italiane e thyen lehtë rezistencën dhe kështu, më 10 gusht, të gjithë këtë territor e ripushtuan. Deri në mes të tetorit do të ketë aksione kryengritëse në rajon e vatrat e konfliktit, do të transferohen në rrethet lindore të Sanxhakut, përkatësisht në Sanxhakun lindor.
Përleshjet e ndërsjella ndërmjet shqiptarëve dhe boshnjakëve në njërën anë dhe serbëve në anën tjetër, kanë vazhduar gjatë muajit gusht dhe shtator të viti 1941. Më 19 gusht të atij viti, formacionet çetnike vranë në fshatin Zemanicë katër xhandarë dhe gjermanët, për t’u hakmarrë, dy ditë më vonë e dogjën tërë fshatin. Deri në fillim të shtatorit, në qarkun e Dezhevës (Pazarit të Ri) u organizuan grupe çetnike të Kosta Peçancit dhe Dragolub Drazha Mihailoviqit.
Së pari, Kosta Peçanci e Mashan Gjuroviq, formuan aradhen çetnike të Suhopllaninës në luginën e Ibrit. Kjo aradhe përfshiu disa njësi në trevën e rrethit të Dezhevës. Në të njëjtën kohë, në territorin e Kolashinit të Ibrit u formua aradhja çetnike e Todor Dobriqit, në të cilën u futën shumë refugjatë të ikur nga qarku i Shtavicës dhe Beranës. Për shkak se vojvoda Mashan Gjuroviq në fund të gushtit kaloi në kolaboracion të hapur me gjermanët, aradhja çetnike e Bjeshkës së Suhodollit ishte jashtëzakonisht mirë e armatosur dhe mirë e paguar nga qeveria e Millan Nediqit.