Luftëtarët e vonuar

Shkruan: Enver Robeli


Qeveritarë, anëtarë akademie, liderë partiakë flasin për konsensus shtetëror, për paprekshmëri të territorit, për sovranitet. Të gjitha këto tingëllojnë bukur, por gjërat kanë shkuar mjaft larg, andaj presidenti i qetë thotë: marrëveshje do të ketë “në një të ardhme të afërt”, ky është një sinjal se nuk ka mbetur shumëçka për t’u diskutuar, sepse gjërat janë diskutuar tashmë, ndërsa klasa politike e Kosovës ka fjetur ose e ka toleruar me qëllim këtë zhvillim të debatit dhe këtë epilog

Të gjithë po duan ta mbrojnë Kosovën, pasi me vite të tëra disa e kanë keqqeverisuar e zhytur në korrupsion, disa e kanë parë si “projekt të përkohshëm ahtisaarian”, e disa veç kanë qëndruar indiferent, pa marrë parasysh se çfarë do të ndodhë. Me vite të tëra klasa politike e Kosovës e ka humbur orientimin shtetëror dhe gjeostrategjik për çështje thelbësore dhe është kurthuar në konfrontime për interesa lokale e egoiste (kush po ia bën gropën tjetrit dhe po e grabit pushtetin me aleanca joparimore), rrjedhimisht punët e pazgjidhura me Serbinë kjo klasë politike ia ka lënë në duar presidentit aktual.

Dhe presidenti aktual nuk u ka përtuar aventurave – me qëllim “të mirë” apo “të keq”, këtë do ta tregojë e ardhmja e afërt. Është mbresëlënëse (në kuptimin negativ) se sa shumë ka punuar presidenti në të gjitha frontet. Pothuaj nuk ka vend në Europën perëndimore dhe nuk ka qark lobistësh në SHBA ku nuk ka provuar të shtyjë përpara idenë e tij “për zgjidhjen përfundimtare” të çështjes së Kosovës (lexo: ndryshimin e kufijve ose “shkëmbimin e territoreve”, siç po thuhet).

Natyrisht presidenti nuk e ka problem të thotë se kurrë nuk ka folur për këtë temë. (Specialitet i karrierës së tij politike është hedhja e petardave për të shkaktuar mjegull). Siç nuk e kanë problem të shtiren këta të tjerët se tani duan ta mbrojnë Kosovën nga copëtimi apo nga një marrëveshje e keqe që dëmton rendin e brendshëm të Kosovës. Mos është pak vonë? Qeveritarë, anëtarë akademie, liderë partiakë flasin për konsensus shtetëror, për paprekshmëri të territorit, për sovranitet. Të gjitha këto tingëllojnë bukur, por gjërat kanë shkuar mjaft larg, andaj presidenti i qetë thotë: marrëveshje do të ketë “në një të ardhme të afërt”, ky është një sinjal se nuk ka mbetur shumëçka për t’u diskutuar, sepse gjërat janë diskutuar tashmë, ndërsa klasa politike e Kosovës ka fjetur ose e ka toleruar me qëllim këtë zhvillim të debatit.

Andaj janë neveritëse hipokrizia e shefit të PDK-së, përrallat e shefit të AAK-së, broçkullat e pronarit të Nismës: të gjithë flasin për parime pasi 20 vjet me radhë shenjë dalluese e politikëbërjes së tyre ka qenë joparimësia – dhe në këtë mision ata shpesh kanë gjetur përkrahjen e LDK-së.
Tash për shtetin e Kosovës po angazhohet edhe VV-ja, deputetët e së cilës prisnin te dera e Kuvendit për të mos dëgjuar himnin e Kosovës. Po këta deputetë (disa janë tani në të ashtuquajturën PSD) kur luanin futboll njëkohësisht Kosova dhe Shqipëria, nënçmonin Kosovën duke brohoritur vetëm “për kombëtaren”, sepse Kosova shihej vetëm si shtet i përkohshëm me flamur që duhet hedhur anash. Pse të pritet pastaj që radikalët serbë të Mitrovicës të respektojnë simbolet e Kosovës?

Mesi i vitit 2020 e gjen Kosovën si shtet të dobët, me politikanë të armiqësuar dhe me një shoqëri të polarizuar. Kaosi është aq i madh, saqë duket sikur e ka organizuar një dorë e padukshme. Presidenti thotë se i beson vetëm Donald Trumpit dhe Richard Grenellit. Po ashtu thotë se nuk preferon të flasë me BE-në, nga e cila ndihet i mashtruar (ndonëse me BE-në ka lidhur “marrëveshje historike”). Qeveria (e titulluar sot nga presidenti si “qeveri e pakicës shqiptare”) përpëlitet si të gjejë një rrugë për t’ia bërë qejfin Grenellit dhe njëkohësisht për t’i dërguar sinjale BE-së se negociatat do të zhvillohen edhe me ndërmjetësuesin e BE-së, Mirosllav Lajçak.

Por projekti i Grenellit nuk e parasheh involvimin e BE-së në proces. Ideja është që “frytet e fitores” t’i korrë Donald Trumpi me një prekje bërrylash në oborrin e Shtëpisë së Bardhë dhe europianët të shikojnë nga distanca këtë ceremoni. A zgjidhet problemi i Kosovës me një prekje bërrylash në Washington? Ky nuk është shqetësim primar i Trumpit. Atij i duhen pamjet. E për pamje dhe për një rol në këtë proces po lufton edhe presidenti ambicioz i Francës, Emmanuel Macron, i cili po kërkon që dialogu të nisë në Paris. Aty diku në këtë tunel gjendet edhe Gjermania, e cila thotë se kundërshton prekjen e kufijve, por nuk është aq e interesuar të investojë kapital politik në zgjidhjen e çështjes së Kosovës sidomos për shkak të aversionit shumëvjeçar që politika gjermane ka kundër politikanëve që perceptohen si “krahu i korrupsionit”. Me një fjalë: Kosova në vitin 2020 është një monedhë jo për kusuritje, por një top që përplaset gjithandej në fushën e bilardos.

Leave a Comment

Your email address will not be published.