Lumir Abdixhiku zgjidhet kryetar i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës

Lumir Abdixhiku është zgjedhor kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Në votimin e fshehtë, të zhvilluar në Kuvendin e Jashtëzakonshëm zgjedhor të partisë, që është mbajtur të dielën, Abdixhiku ka fituar ndaj dy kundërkandidatëve të tij, Lufti Hazirit dhe Besian Mustafës.

Abdixhiku e ka fituar besimin e 190 delegatëve të degëve të partisë, Haziri i ka marrë 117 vota, ndërsa Mustafa i ka marrë vetëm 16 vota.

Anton Çuni, i cili e kishte publikuar i pari kandidaturën e tij, e ka tërhequr atë në prag të fillimit të punimeve të Kuvendit, pa dhënë ndonjë shpjegim.

Procesi i votimit është zhvilluar pa një debat lidhur me gjendjen e LDK-së dhe, sidomos, lidhur me humbjen e thellë të saj në zgjedhjet e parakoshme parlamentare të 14 shkurtit, në të cilat votat e LDK-së u përgjysmuan në raport me zgjedhjet e vitit 2019.

As tre kandidatët për kryetarë nuk kanë shpalosur vizionet e tyre për të ardhmen e partisë apo programet parazgjedhore të tyre, pasi është vlerësuar se delegatët tashmë i kanë të njohura idetë dhe vizionet e tyre.

Një qëndrim tjetër e ka shprehur vetëm ish-kryetari i LDK-së dhe ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Ai ka propozuar që Kuvendi të mos e zgjedhë kryerin e ri, por të zgjedhë një trup kolektiv që do të merrej më transformimin rrënjësor të LDK-së, prej nivelit më të ulët e deri në majat e saj. Por, ky propozim nuk është miratuar nga delegatët e Kuvendit.

I vetmi që ka folur në këtë kuvend ka qenë tashmë ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i cili e ka arsyetuar dorëheqjen e tij të parevokueshme.

Sipas burimeve brenda Kuvendit, Mustafa e ka trajtuar dorëheqjen si vendim të logjikshëm pas rezultatit të dobët të LDK-së në zgjedhjet e fundit, por nuk ka bërë ndonjë analizë kritike të udhëheqjes së partisë prej tij dhe strukturave drejtuese të saj.

Përkundrazi, ai i ka vlerësuar të drejta vendimet më të rëndësishme të partisë, sidomos atë për prishjen e koalicionit qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje dhe përjashtimin e kandidatës së LDK-së për kryeministre të Kosovës në zgjedhjet e vitit 2019, Vjosa Osmani, nga pozitat drejtuese në parti.

Mustafa, edhe në një deklaratë për medie, ka parnuar se këto vendime kanë qenë jopopullore dhe e kanë dëmtuar partinë në zgjedhjet e fundit, por ka theksuar se ato vendime kanë qenë të drejta dhe në interes të Kosovës. Ai ka theksuar se me rastin e këtyre vendimeve kishte zgjedhur, siç është shprehur, “midis aleancës me Shtetet  Bashkuara të Amerikës” dhe “qëndrimeve të dëmshme për Kosovën” të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kuvendi i Jashtëzakonshëm zgjedhor i LDK-së u mbajt pas debaklit që pësoi kjo parti në zgjedhjet e 14 shkurtit. Në këto zgjedhje LDK fitoi vetëm 12 për qind të votave, që është rezultati më i dobët i kësaj partie, që nga themelimi i saj, në vitin 1989.

Kush është Lumir Abdixhiku?

Abdixhiku ka lindur më 22 prill 1983. Studimet universitare i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 2006 ka magjistruar në fushën e Moralit Fiskal në Universitetin Staffordshire në Britaninë e Madhe.

Në vitin 2013, ai ka marrë titullin doktor shkence i ekonomisë po në Universitetin Staffordshire, pas katër vitesh hulumtimesh e kërkimesh në fushën e determinantëve të evazionit fiskal të bizneseve në vendet e tranzicionit.

Abdixhiku ka qenë drejtor ekzekutiv i Institutit Hulumtues “Riinvest”, ku ka punuar prej vitit 2005. Ai ka qenë i angazhuar në disa projekte në fushën kërkimore, në fushë të avokimit dhe zhvillimit, në Kosovë dhe jashtë saj.

Një kohë, ka shkruar kolumne të rregullta javore për gazetën “Koha Ditore”.

Abdixhiku i është bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës në vitin 2017. Ai është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës në dy mandatet e kaluara. Mandatin e deputetit e fitoi edhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit, duke u renditur i treti përnga votat nga lista e LDK-së.

Gjatë mandatit të parafundit të Kuvendit të Kosovës, Abdixhiku ka  qenë kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa.

Abdixhiku ka qenë ministër i Financave në Qeverinë e koalicionit Vetëvendosje-LDK, të njohur si Qeveria ”Kurti 1”, e cila u rrëzua me mocion të inicuar pikërisht nga LDK-ja. Në organet drejtuese të partisë, ai ka votuar kundër rrezimit të qeverisë në kohë pandemie. Në qeverinë e drejtuar nga bashkëpartiaku i tij, Avdullah Hoti, nuk u përfshi fare.

Në paraqitjet e tij të rralla publike, pas rrëzimit të Qeverisë ”Kurti 1”, Abdixhiku e ka vlerësuar të gabuar vendimin e Kryesiesi dhe të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së për shkarkimin e Vjosa Osmanit nga pozitat e nënskryetares dhe e anëtares së kryesisë së partisë. Megjithkëtë, ai ka vazhduar të jetë anëtar i kryesisë së LDK-së.

Pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, Abdixhiku është angazhuar për analizë  substanciale të humbjes së thellë të LDK-së dhe për reformimin e plotë të partisë.

Leave a Comment

Your email address will not be published.