Ne Republika e Kosovës jemi rritur me një frymëzim për të sjellur tek ju mesazhin e një brezi që u rrit me idealin e lirisë dhe aspiratën e bashkimit kombëtar.
Kombi ynë u ngrit në këmbë dhe i mbijetoi të gjitha rrufeve që solli historia, pas shumë përpjekjeve titanike të paraardhësve tanë, të cilët nuk kursyen as gjakun as dijen për të na lënë trashëgim Atdheun e mosvarëm dhe rrugët e hapura të prosperitetit kombëtar.
Duke u nisur edhe nga trashëgimia ime familjare që prodhoi hasanizmin si ide përbashkuese, do t’i quaja shumë me fat brezat e mëvonshëm që u rritën dhe u zhvilluan në frymën e ngjarjes madhore të kombit tonë, të cilën ne sot në Manastir po e kremtojmë me plot dinjitet. Kjo ngjarje, në fakt, për nga pesha dhe dimensioni historik, ka projektuar në vetëdijen kolektive të shqiptarëve një orientim properëndimor, duke e vendosur të ardhmen e kombit tonë në hartën gjeokulturore të popujve të civilizuar. Strategjikisht, bashkimi gjuhësor i shqiptarëve që ndodhi në Kongresin e Manastirit, duke favorizuar alfabetin latin si bazë e shkrimit të shqipes, e ridimensionoi statusin oksidental të arsimit dhe kulturës shqiptare dhe përfundimisht i shkëputi lidhjet me traditën e shkrimit mbrapsht. Kthimi mbarë i shkronjave të alfabetit tonë, ndikoi në ndërgjegjësimin masovik të të gjithë atyre që më vonë në organe shtypi, në tekste shkollore apo në dokumente administrative e përdorën këtë alfabet, si një farë që do të mbillej në fushën e gjerë të dritës së diturisë, siç do të thoshte Naim Frashëri i madh.
Pa dyshim që Manastiri do të mbetet përgjithmonë piemonti ynë i shenjtë që na e kujton historinë e formimit gjuhësor, dhe kjo do të ishte e pamundur të ndodhte, pa kontributin kolosal të Familjes Qiriazi, një familje kjo fisnike, me ndërgjegje të lartë kombëtare, e cila ishte promotori i gjithë kësaj ngjarjeje madhore. Qiriazët e Manastirit,me sakrificat dhe kontributet e tyre të pakursyera, janë qirinjtë e ndezur të iluminizmit shqiptar, të cilët bënë dritë atëherë kur errësira anadollake dhe obskurantizmi shovinist i fqinjëve tanë, mundohej ta bënte sa më të padukshme udhën e zhvillimit dhe emancipimit tonë kombëtar.
Pikërisht ky ka qenë edhe motivi që kolosi ynë Hasan Prishtina, me bashkëveprimtarët e tij, doli në mbrojtje të fuqishme të alfabetit latin, duke kundërshtuar propagandën xhonturke, bullgare, serbe e të qarqeve të tjera, të cilët punonin me të madhe që të frenojnë përparimin kulturor të shqiptarëve, sepse kjo më vonë do të sillte Pavarësinë e Shqipërisë.
Dhe, nëse 28 nëntori i vitit 1912 shënohet si një ditë e shenjtë e historisë sonë,atëherë me plot gojën mund të themi se Kongresi i Manastirit ishte mëngjesi i asaj dite, ishte agimi i një zgjimi kombëtar, sepse siç do të thoshte edhe Gjergj Fishta i madh: ’’Alfabeti është i vetmi mjet me të cilin kombi do të përparojë. Po të mos zgjidhej alfabeti,Shqipëria do të pësonte humbje të mëdha….’’
Studiuesit e fushave albanologjike kanë bërë shumë hulumtime të deritanishme mbi Kongresin e Manastirit dhe të gjithë pajtohen njëzëri se çështja e njësimit të alfabetit të gjuhës shqipe nuk duhet parë vetëm si çështje thjesht gjuhësore, por edhe si çështje me rëndësi të madhe kombëtare, kjo edhe për faktin se ky Kongres u shndërrua pastaj në ide vepruese të platformës së lëvizjes kombëtare, që determinoi një angazhim gjithëpërfshirës duke filluar nga shtrirja në terren të gjerë e arsimit në gjuhën shqipe, krijimin i ushtrisë kombëtare shqiptare, hapja e shkollave në gjuhën shqipe, përfshi edhe Normalen e famshme të Elbasanit, zhvillimin ekonomik të vendit, shfrytëzimin e pasurive nëntokësore, ndërtimin e hekurudhave, rrugëve, e urave, deri te zhvillimi i bujqësisë dhe degëve tjera ekonomike.
Si kurorëzim i punës titanike që u bë pas Kongresit të Manastirit, ishte hapja e shkollave shqipe në hapësirën etnike shqiptare, sidomos gjatë viteve 1909-1910, kurse gjuha shqipe, përveç qyteteve të tjera, u fut edhe në gjimnazet turke të Elbasanit, të Vlorës, të Beratit dhe të Shkupit, ishte i angazhuar si mësues patrioti i njohur Bedri Pejani. Shqipja filloi të mësohej gjithashtu në shkollën “Edep” të Shkupit, që mbahej nga klubi “Rinia patriotike” (“Shubani vatan”) të këtij qyteti. Nga referencat historike që jep shtypi shqiptar i kohës, e që ndërlidheshin me jehonën e Kongresit të Manastirit, gjuha shqipe ishte futur si lëndë pothuajse në të 41 gjitha gjimnazet (idadijet) turke të Shqipërisë dhe në shumë shkolla qytetëse (ruzhdie).
Historikisht armiqtë tanë janë trembur nga idetë iluministe që kanë përshpejtuar zgjimin kombëtar shqiptar. Kështu ndodhi edhe me Kongresin e Manastirit, suksesi i të cilit dhe jehona që pati në gjithë viset shqiptare, ua prishin disponimin autoriteteve turke të asaj kohe, të cilët urdhëruan mbylljen e shkollave shqipe që filluan të zbatojnë Alfabetin e Manastirit, ndërkohë që Hasan Prishtina, dhe patriotët tjerë shqiptarë protestuan fuqishëm kundër këtyre veprimeve të administratës turke. Madje edhe paria e Prishtinës, në një letër që i dërgonte në fund të dhjetorit të vitit 1909 deputetit të saj, Hasan Prishtina, në emër të popullsisë së kësaj treve, protestonte kundër veprimeve që po bëheshin për t’i detyruar shqiptarët të përdornin alfabetin arab, dhe i kërkohej Hasan Prishtinës që të ndërmjetësonte pranë qeverisë që mësimet në shkollat fillore të bëheshin në gjuhën shqipe dhe që ajo të jepej me alfabetin latin.
Ne sot jetojmë në kohën kur jehona e Kongresit të Manastirit ende është e gjallë, kurse veprimtaritë shkencore e hulumtuese që po ndriçojnë edhe më tutje dimensionet e ndryshme të kësaj ngjarjeje, na bëjnë të kuptojnë se ajo që u arrit para më shumë se 100 viteve në Manastir është një busullë orientuese në kohë e hapësirë.
Kongresi i Manastirit po bëhet më i afërm për publikun e gjerë si ngjarje dhe si fenomen historik, ndaj edhe e meriton mbështetjen e gjithë neve.
Mehmet Prishtina,
Prishtinë, 22 Nëntor 2024