Pas njohjes së shtetit dhe qeverisë shqiptare në Konferencën e Parisit, më 28 janar 1922, Ministri i Jashtëm Fan Noli, me anë të një note zyrtare i kërkoi Ministrit të Jashtëm gjerman Walther Rathenau (Valter Ratenau) njohjen e qeverisë shqiptare nga shteti gjerman. Si gjithmonë, kur ishte fjala për Shqipërinë, Gjermania, duke mos dashur të shprehej e para, ju drejtua përfaqësive të saj diplomatike në Romë, Beograd dhe Athinë, me qëllim që të informohej mbi qëndrimin e këtyre shteteve përsa i përket njohjes ligjore ndërkombëtare të Shqipërisë. Pas këtij hapi, katër muaj më vonë, me anë të një note verbale të datës 19 maj 1922, qeveria gjermane njoftoi Ministrin e Jashtëm shqiptar për njohjen e Shqipërisë nga shteti gjerman. Hapi i parë ishte hedhur dhe rruga për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve pas më se tetë vitesh, kur një diplomat gjerman ishte atashuar pranë oborrit të Princ Wied-it, ishte hapur.
Në nëntor 1922 u morën masat e para të nevojshme për hapjen e një përfaqësie diplomatike gjermane në Tiranë. Konsulli shqiptar në Trieste, Leo Kurti, i raportonte më 30 nëntor 1922 Ministrit të Jashtëm Pandeli Evangjeli, rreth një bisede zyrtare që kishte pasur me zotin von Schöne (fon Shëne), diplomat në ambasadën gjermane në Romë. Von Schöne i kërkoi Kurtit t‘i transmetonte qeverisë shqiptare dëshirën e qeverisë gjermane për të hapur një përfaqësi diplomatike në Tiranë si edhe dy konsullata nderi në dy qytete të mëdha të Shqipërisë. Sipas raportit të Kurtit, qëllimi i qeverisë gjermane ishte vendosja e marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike me Shqipërinë. Gjithsesi, nëpërmjet këtij akti, ajo nuk dëshironte të dëmtonte interesat italiane në Shqipëri – theksonte von Schöne. “[…] duke qene se kjo lloj praktike nuk hyn në kompetencën e kësaj konsullate, unë nga ana jonë e siguruam zotin Schöne se do të njoftoja Shkëlqesinë tuaj për këtë çështje”, njoftonte konsulli Kurti ministrin e tij, Evangjeli.

Më 15 dhjetor 1922 ministri Evangjeli udhëzonte konsullin Kurti si më poshtë: “(…) Jini autorizuar t’i deklaroni përfaqësuesit të Gjermanisë, që qeveria jonë me gjithë zemër dëshiron të hyjë në marrëdhënie të dendura me Rep. Gjermane. Provë për këtë është që në Hamburg sot gjendet një konsull honoraire shqiptar, i emëruar kohët e fundit“.
Si rrjedhim, më 15 maj 1923, Auswärtiges Amt-i njoftoi Radolf von Kardorff (Radolf fon Kardorf), një diplomat karriere, i cili në këtë kohë shërbente në Legatën e Sofjes, se ai ishte përzgjedhur si i ngarkuari me punë i qeverise gjermane në Tiranë.
Hapja e një përfaqësie diplomatike gjermane në Shqipëri nuk ishte pasojë vetëm e një nevoje formale diplomatike. Ministria e Jashtme gjermane e informonte Kardorff-in se “(…) një numër i konsiderueshëm projektesh janë duke u përgatitur. Si rrjedhim, ne nuk mund t’i kundërvihemi kërkesave të këtyre qarqeve [të biznesit] dhe duhet të zgjedhim si përfaqësues të Gjermanisë një personalitet të tillë, prej të cilit mund të pritet që, ai të shkojë me kënaqësi dhe dashuri në këtë vend të ri dhe të jetë në gjendje të mbështesë me mirëkuptim dëshirat e pionerëve tanë gjermanë të ekonomisë“.
Një arsye tjetër jo më pak e rëndësishme ishte edhe që, tashmë shtetet e tjera perëndimore kishin hapur përfaqësitë e tyre diplomatike në Shqipëri. Në vitin 1923 në Tiranë ishin të akredituara vetëm përfaqësitë diplomatike të Italisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Jugosllavisë. Selitë diplomatike e shteteve të tjera gjendeshin ende në Durrës ose Shkodër.
Kësisoj, më 4 nëntor 1923, Kardorff-i i dorëzoi Ministrit të Jashtëm Evangjeli dokumentin e akreditimit të nënshkruar nga kancelari gjerman Stresemann (Shtrezeman) në të cilën shkruhej: “Nisur nga dëshira për t’u kujdesur për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Rajhut gjerman dhe Shqipërisë, kam vendosur, të dërgoj këshilltarin Radolf von Kardorff si Charge d’ Affaires të Gjermanisë me punë në Tiranë (…)”.
Kardorff-i e priti me kënaqësi emërimin e ri. Fillimisht ai i kërkoi ministrit të tij miratimin e një udhëtimi përnjohës në Shqipëri, me qëllim gjetjen e ambienteve të nevojshme për të punuar dhe jetuar. Jeta e një europiani perëndimor nuk ishte e lehtë në Tiranën e fillimviteve 1920. Siç edhe vetë Kardorff-i thekson, çështja e vështirë e banimit „në Tiranën e vogël dhe plotësisht orientale“ u zgjidh falë ndërhyrjes së qeverisë shqiptare. Ministria e Jashtme shqiptare i rekomandoi atij një shtëpi ku mbizotëronin gjithë mangësitë e Orientit, por që gjithsesi nuk kërkonte ndonjë investim të madh për t’u marrë në përdorim“. Ndërtesa ishte në „Rrugën e Mësuesit.“ Ajo duhej të shërbente njëkohësisht si rezidencë diplomatike dhe si banesë dhe ruhej nga dy qenë të mëdhenj. Në botimin „Shqypnija e Ilustrueme“ të vitit 1929, adresa e përfaqësisë diplomatike gjermane jepet te „Rruga e Ministris P. Mbrendshme“, meqenëse pranë saj gjendej kjo Ministri. Jo shumë larg përfaqësisë gjermane ishte edhe shtëpia e banimit e Kryeministrit Zog dhe legata italiane.
Për tu theksuar është fakti që, Kardorff-i duhej ta përcaktonte vetë buxhetin. Mungesa e stabilitetit ekonomik dhe rritja e shpeshtë e çmimeve ia vështirësonte Berlinit përcaktimin e një shume të saktë që nevojitej për jetesën e kësaj përfaqësie. Kësisoj, paga mujore e Kardorff-it në Tiranë ishte e krahasueshme me të ardhurat e ambasadorit gjerman në Londër.
Format e ndryshme të përfaqësisë:
konsullatë, legatë, konsullatë e përgjithshme
Siç u theksua më sipër, për qeverinë gjermane kishte mjaft arsye për çeljen e një përfaqësie diplomatike në Shqipëri. Në këtë kohë Shqipëria ishtë në fokus të politikës europiane. Politika ndaj Ballkanit, çështja e Adriatikut, ndarja në fronte kundërshtare e Fuqive të Mëdha për interesat e tyre në Mesdhe si edhe çështje të tjera politike me një rëndësi të veçantë për të ardhmen, kërkonin që ngjarjet në Shqipëri të ndiqeshin me një interes të veçantë nga Berlini. Më tej, në pikëpamje ekonomike Shqipëria paraqiste një fushë të pashkelur investimi. Shumë firma gjermane kishin filluar të investonin në të. Megjithë vështirësitë e shfaqura, si pasojë e mungesës së stabilitetit të vazhdueshëm politik, një firmë gjermane që merrej me transportin ajror mundi të fitonte koncesionin e transportit dhe të shërbimit ajror në Shqipëri. Firma gjermane të tjera, si psh. korporata Mannesmann, kishin investuar gjatë vitit 1924 një kapital të madh në Shqipëri dhe punonin për zgjerimin e interesave të tyre. Pavarësisht konkurrencës britanike dhe italiane, në Shqipërinë e këtyre viteve ishte aktive edhe industria gjermane e hidrokarbureve. Po ashtu, një numër i konsiderueshëm teknikësh gjermanë ishin punësuar në ndërtimin e rrugëve dhe urave. Kështu që, Berlini arriti në përfundimin se në këtë situatë të ndërlikuar që gjendej Shqipëria, ku dominonte konkurrenca e huaj, mbrojtja e interesave gjermane kërkonte një përfaqësim më të madh, sesa prania e vetme e Kardorff-it. Po ashtu, Gjermania nuk dëshironte të ishte e përfaqësuar në Shqipëri nën nivelin e fuqive të tjera europiane, të cilat tashmë i kishin hapur përfaqësitë e tyre në Shqipëri. Në fillim të vitit 1925, në Tiranë ishin atashuar 10 përfaqësi diplomatike, përfshirë edhe atë sovjetike, e cila u largua nga Shqipëria si pasojë e presionit britanik, pasi Ahmet Zogu u rikthye në pushtet. Shtetet ballkanike ishin plotësisht të përfaqësuara në Tiranë dhe vetëm Vatikani e kishte rezidencën diplomatike ende në Shkodër.
Pas largimit të qeverisë së Fan Nolit dhe rikthimit të Ahmet Zogut me ndihmën e Serbisë, diplomati gjerman raportonte në Berlin për një farë konsolidimi të situatës politike në vend. Si pasojë, më 27 maj 1925, presidenti gjerman Hindenburg dhe kancelari Stresemann, me anë të një letre kredenciale, i njoftuan presidentit Ahmet Zogu, vendimin e tyre për lidhjen përfundimtare të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve. Po në këtë shkresë, ata njoftonin se Kardorff-i tashmë do të ishte “i dërguari i Jashtëzakonshëm dhe Ministër Fuqiplotë” i Gjermanisë në Tiranë. Në këtë mënyrë, përfaqësia diplomatike gjermane në Tiranë ishte ngritur në nivelin e një legate. Për këtë veprim diplomatik të ndërmarrë, Ministri i Jashtëm gjerman Stresemann (Shtrezeman) u shpreh në një fjalim se “nëpërmjet shndërrimit të përfaqësisë sonë diplomatike në Shqipëri në një legatë, … [ne] kemi njohur rëndësinë në rritje të këtij vendi që kërkon të ndjekë rrugën e zhvillimit”. Kardorff-i qëndroi në Tiranë deri në datën 28 janar 1929. Më 28 mars 1929, drejtimin e misionit diplomatik gjerman në Tiranë e mori ish-sekretari i parë në shërbimin diplomatik Siegfried Hey (Zigfrid Haj).
Në vitin 1930, si pasojë e uljes së buxhetit, parlamenti gjerman vendosi që legata gjermane në Tiranë të ulej në nivelin e një konsullate. Kundër këtij vendimi u prononcua jo vetëm qeveria shqiptare, por ky vendim shkaktoi pakënaqësi edhe në Ministrinë e Jashtme gjermane. Ministra e Jashtme gjermane mundohej zyrtarisht t’u shpjegonte shqiptarëve se edhe ajo nuk ishte e kënaqur me ketë vendim të parlamentit, i cili në thelb bazohej në arsye financiare por ama, ky vendim ishte marrë me lehtësi sepse qeveria shqiptare, në ndryshim me vendet e tjera europiane, nuk kishte hapur ende një përfaqësi diplomatike në Berlin, ndonëse Gjermania që prej vitit 1923 ishte një nga Fuqitë e Mëdha të para që hapi përfaqësinë e saj diplomatike në Tiranë.
Në vitin 1934 konsullata u shndërrua përsëri në legatë. Një arsye e rëndësishme për këtë hap ishte edhe krijimi i “kabinetit qeveritar gjerman”. Në këtë vit, Mbreti Zog dekretoi Mehdi Frashërin kryeministër, në qeverinë e të cilit një numër i madh ministrash kishin studiuar në Austri dhe ishin të familjarizuar me gjuhën dhe kulturën gjermane. Kryeministri Frashëri së bashku me ministrin gjerman von Luckwald (fon Luckvald) punuan për zgjerimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Kjo inisiativë u mirëprit në Berlin, gjithsesi e kufizuar vetëm në çështje ekonomike. Largimi i Mehdi Frashërit nga posti i kryeministrit bëri që kjo inisiativë të ndërpritej. Po ashtu, pak kohë më vonë edhe Luckwald-i u largua nga Shqipëria. Më 20 nëntor 1936 ai u zëvendësua nga Eberhard von Pannwitz (Eberhard fon Panvitz). Edhe Panwitz-i arriti në përfundimin se nuk mund të bënte më shumë se paraardhësi i tij në këtë drejtim. Tashmë politika italiane ndaj Ballkanit orientohej drejt një sundimi ekonomik dhe politik në lindje të Adriatikut. Kjo gjë do të shkaktonte padyshim një përplasje të interesave italiane me ato gjermane në Shqipëri. Kësisoj, politika gjermane ndaj Shqipërisë u kufizua vetëm në dy sektorë, në fuqizimin e shkëmbimit të mallrave dhe të mësimit të gjuhës e përhapjes së kulturës gjermane.
Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, më 24 nëntor 1939 legata u shndërrua në konsullatë të përgjithshme. Me anë të këtij akti, Berlini kërkonte t’i tregonte italianëve xhelozë që, pavarësisht simpatisë që ekzistonte në Shqipëri ndaj Gjermanisë, Shqipëria nuk luante ndonjë rol të veçantë në politikën e jashtme gjermane. Qeveria gjermane kërkonte të shmangte veprime, të cilat prej italianëve mund të interpretoheshin si një “përzierje e padëshiruar” e misionit diplomatik gjerman në punët e brendshme të Shqipërisë. Pannwitz-i u zëvendësua më 18 dhjetor 1941 nga Martin Schliep, i cili drejtoi misionin diplomatik gjerman deri në tetor 1944.
Godina e re e përfaqësisë diplomatike
Kur Luckwald-i erdhi në Shqipëri më 24 dhjetor 1931 dhe zëvendësoi von Hey-in (fon Hej), ai u prit në Tiranë nga kancelari Lehmann dhe ish-majori austriak i Luftës së Parë Botërore, Franz von Scheiger, i cili shërbente si përkthyes dhe drejtues i Zyrës së Tregtisë në përfaqësi. Përveç këtyre dy zotërinjve, në përfaqësi punonin edhe dy persona të tjerë, një shofer italian me emrin Giovanni dhe një shërbëtor shqiptar, me emrin Nuredin Dibra. Më vonë Luckwald-i mori edhe një ndihmëskancelar nga Triestja, H.B. Hilberger.
Von Luckwald-i e përshkruan si më poshtë godinën ku në vitin 1923 Kardorff-i kishte ngritur konsullatën: “[…] Përkarshi në krahun e djathtë ishte rezidenca modeste e mbretëreshës, kopshti i së cilës përbëhej nga disa vazo të mëdha me vega, që ishin të mbushura me lule të pakta. Përkrah saj, gjysëm e fshehur ngrihej një godinë dykatëshe e brishtë me tulla të pa suvatuara: legata e vjetër, tani konsullata gjermane. Vendi im i ri i punës! […] Zotërinjtë Lehmann dhe Scheiger punonin në dhomat e vogla të një barake përdhese që ngrihej para godinës, e cila ngrohej me mangall shqiptar: legen bakri me qymyr druri! Siç dëgjova, pak kohë para se të mbërrija, kancelari Lehmann gati sa nuk ishte asfiksuar në dhomën me dyer dhe dritare të mbyllura. Dhe garazhi? Në anën e majtë të oborrit gjendej një skelet i rrënuar me kallama, i paaftë të mbante edhe shiun më të vogël dhe, kjo gjë, në një vend ku në pranverë dhe në vjeshtë bie shi me gjyma. Po kopshti? Ai nuk përbëhej nga gjë tjetër, veçse nga rërë dhe disa ishuj me bar. Në të jetonte edhe një gjarpër i trashë sa krahu, prania e të cilit shikohet në çdo kopësht si fatsjellës! […] Lashë kopshtin dhe u nisa në drejtim të hyrjes kryesore. Në fillim po kundroja shkallët e brendshme, për të cilat siç dëgjova, kur binte shi mbi to mund të përdoreshin vetëm me çadër. […] Dhoma e gjumit ishte në një kënd, i cili ishte aq i ngushtë, saqë Nuredini i mirë më këshilloi që, nëse isha brenda, mos ta mbyllja derën se, në të kundërt nuk do të dilja më prej saj!”
Siç është përshkruar më sipër, kjo godinë nuk ishte e përshtatshme për banim dhe para se Luckwald-i të sillte familjen e tij në Tiranë, duhej të kujdesej për të gjetur diçka më të përshtatshme, si për banim ashtu edhe për të punuar.
Mesa duket, lajmi që Luckwald ishte në kërkim të një godine të re për konsullatën u përhap menjëherë. Një ditë prej ditësh, u paraqit në konsullatën gjermane Vehbi Frashëri, i biri i Mehdi Frashërit, shoqëruar prej shokut të tij të studimeve në Vjenë, arkitekti Qemal Butka. Ata i treguan Luckwald-it disa plane për ndërtimin e një ndërtese të re për konsullatën gjermane. Sipas Luckwald-it, trualli i ndërtimit ishte një dhuratë e Mbretit Zog për Mehdi Frashërin dhe shtrihej në hyrje të qytetit, pranë legatës greke dhe asaj amerikane. Plani kishte vetëm një kleçkë – familja Frashëri nuk kishte mjaftueshëm para për ndërtimin e ri. Luckwald i propozoi Ministrisë së Jashtme në Berlin të miratonte dhënien e një kapitali ndërtimi pa përqindje, në formën e parapagimit të qerasë, duke llogaritur kursin e dollarit për çdo muaj. Dhe kështu do të bëhej. “Të dy zotërinjtë e rinj, plani i ndërtimit si edhe trualli i ndërtimit më pëlqyen jashtë mase. Propozimi për një ndërtim të ri, për më tepër në një vend të bukur dhe reprezentativ, erdhi në kohën e duhur” – shkruan në kujtimet e tij Luckwald-i.
Kjo mënyrë ndërtimi ishte mjaft në modë në Tiranën e fillimviteve 1930. Shumë vila të bukura u ndërtuan në këtë mënyrë; I zoti gjente qiramarrësin, të cilët ishin kryesisht diplomatë të huaj, ushtarakë italiane etj. dhe pasi binin dakort, këta paguanin paraprakisht një shumë të caktuar, duke i rezervuar kësisoj vetes të drejtën për të ndërhyrë në projekt. Më pas fillonte ndërtimi.
Për ndërrimin e godinës kishte edhe një arsye tjetër të rëndësishme. Numri i gjermanëve dhe austriakëve që ishin në Shqipëri ishte rritur në mënyrë të konsiderueshme. Godina e vjetër nuk plotësonte asnjë kusht për t’i mbledhur të gjithë ata, në raste pritjesh apo eventesh të ndryshme. Siç u përmend edhe më sipër, shumë firma gjermane dhe austriake ishin duke punuar në Shqipëri për ndërtimin e rrugëve dhe urave. Ishte detyrë e konsullatës të kujdesej për personelin e tyre. Më tej, konsullata duhej të kujdesej edhe për firmat e tjera gjermane, siç ishin firmat gjermane të drurit në Mamurras, Patok dhe Shkodër si edhe për ekipin drejtues gjerman të fabrikës së çimentos në Shkodër. Po ashtu, në Shqipëri kishte edhe një numër të respektueshëm edukatoresh kopshti, infermieresh dhe inxhinierësh gjermanë pa llogaritur edhe faktin që, kolonisë gjermane i shtohej edhe një numër i madh shqiptarësh, të cilët ishin të martuar me gra gjermane ose austriake.
Përfaqësia gjermane kishte edhe një kopsht në zonën e Brrakës, gjë që hera-herës bëhej shkak edhe për mosmarrëveshje ndërmjet diplomatëve gjermane dhe policisë kryeqytetase. Prefekti i Tiranës lajmëronte më 13.09.1927 me anë të një shkrese Ministrinë e Brendshme se ”sipas shkresës së Komisaris Policis Qendrës, kemi nderin t’u njoftojmë se një pjesë e personelit Legationit gjerman në kopshtin që kanë në Brrakë po zbrazin armë kohë pas kohe, natën, në mes të natës, natyrisht kjo alarmon organet përkatëse dhe asht në dam të qetsisë vendit. Për pos kësaj, po mbanë edhe një qen, i cili asht stërvitur me kap pulat e huaja dhe të mbytyra ua dorëzon atyne. Lutemi kini mirësinë e ndërmjetësoni për marrjen e masave”,përfundon letra e Prefektit.
Martin Schliep – diplomati i fundit i Rajhut gjerman në Tiranë (1941-1944)
Martin Schliep e mori detyrën si konsull i përgjithshëm i Rajhut gjerman në Tiranë më 18 dhjetor 1941. Në këtë kohë, në konsullatë shërbenin kancelari Wegener (Vegener), ndihmësi shkencor Franz von Scheiger (Franc fon Sheiger) dhe një protokollues. Po ashtu, në konsullatë punonin edhe dy shërbëtorë shqiptarë, njëri prej të cilëve ishte edhe shoferi i konsullatës. Konsullata e përgjithshme ishte ende në shtëpinë e Mehdi Frashërit dhe ishte e mobiluar me mobilje shtetërore.
Në fillim të muajit dhjetor 1942, italianët kërkuan që Franz von Scheiger të largohej nga Shqipëria me arsyetimin se, kundër tij, ishin mbledhur shumë fakte që tregonin qëndrimin e tij jomiqësor ndaj Italisë. Kësisoj, me arsyetimin se “Gjermania nuk i kushtonte ndonjë rëndësi të veçantë mbi normalen këtij posti dhe për t’i dalë para çdo mendimi mosbesues të italianëve”, Ribbentrop-i (Ribentrop) e largoi Scheiger-in nga Tirana dhe bashkë me të urdhëroi që edhe Schliep-i të largohej përkohësisht nga Tirana. Në periudhën mars-maj 1943, Schliep u ngarkua të ushtronte një detyrë të veçantë, atë të përfaqësuesit gjerman në Komisionin e Përhershëm Gjermano-italian për Mbikëqyrjen e Vendimeve të Arbitrazhit të Vjenës. Schliep-i u zëvendësua gjatë mungesës së tij nga konsulli Merfels (Merfels), i cili në vitet 1936-1939 kishte shërbyer si sekretar konsullate në legatën gjermane, po në Tiranë. Në qershor 1943 Schliep-i u kthye përsëri në Tiranë.
Në shtator 1943 Italia doli nga aleanca e Boshtit Qendror dhe kapitullimi i ushtrisë italiane shkaktoi një vakum në gjithë frontin e Europës Juglindore. Duke e parashikuar këtë gjë, qysh prej muajit mars 1943, Komanda e Lartë gjermane e Juglindjes kishte dërguar në Shqipëri një shtab ushtarak ndërlidhës, me qëllim ndjekjen e situatës në Shqipëri, sepse kjo komandë vlerësonte se „Problemi shqiptar luan një rol të rëndësishëm. Këta shqiptarë deri tani kanë shfaqur shenja afrimiteti me Rajhun. Ata dëshirojnë të fitojnë pavarësinë. Ai, i cili ua jep atë, është miku i tyre. Ekziston mundësia që Anglo-amerikanët të shpallin në mundësinë më të parë pavarësinë e tyre [shqiptarëve]. Për këtë arsye, është tepër e rëndësishme që, kjo pavarësi të shpallet më parë nga Gjermania me qëllim që shqiptarët si fillim të kthehen në krahun tonë.“
Me të marrë këtë vlerësim diplomacia filloi të lëvizë. Po në të njëjtën ditë, Ministri i Jashtëm von Ribbentrop pyeti telegrafisht Schliep-in për situatën në Shqipëri. Synimi absolut i Ribbetrop-it ishte krijimi i një qeverie kompromisi dhe progjermane. Kjo qeveri duhej të kujdesej për mbarëvajtjen e qetësisë dhe rregullit në vend dhe më tej të merrte përsipër ruajtjen e rrugëve të transportit. Në një plan të dytë, forcat ushtarake qeveritare që do të krijoheshin, duhej të ndihmonin Wehrmacht-in gjerman në ruajtjen e vijës bregdetare shqiptare. Për të arritur këtë qëllim mjaftonte që, trupat qeveritare të mbronin krahët e gjermanëve prej sulmeve partizane. Në shpërblim të këtyre shërbimeve mund të njihej pavarësia e shtetit shqiptar.
Më tej ishte detyrë e Schliep-it të lidhej me politikanë shqiptarë, të aftë dhe me popullaritet, të cilët duke u ndihmuar politikisht dhe ushtarakisht nga gjermanët të “merrnin drejtimin e vendit sa më parë në dorë”. Por, fillimisht Konsulli i Përgjithshëm ishte i detyruar të zhgënjente Ministrin e tij. Schliep raportonte që nuk duhej të mbahej ndonjë shpresë e madhe mbi një bashkëpunim aktiv me shqiptarët. Skepticizmi i shqiptarëve kundrejt pushtuesve të rinj ishte tepër i madh, por që në një situatë kaq të ndërlikuar politike ishte plotësisht i kuptueshëm. Gjithsesi, ky bashkëpunim i shumëpritur nga gjermanët nuk vonoi. Pasi u pa qartë që zbarkimi i shumëpritur aleat nuk po kryhej, një numër i konsiderueshëm i elitës shqiptare vrapoi të bashkëpunonte me ta.
Schliep-i raportonte në Berlin se, popullsia më e besueshme dhe e gatshme t’i ndihmonte ata për të realizuar synimet e tyre ishte në Kosovë. Ai këshilloi që “leva e pushtimit të mbështetej”pikërisht në Kosovë. Si fillim duhej që, i maskuar si oficer gjerman, të dërgohej në Mitrovicë ish-punonjësi i legatës gjermanë në Tiranë, Franz von Scheiger, meqenëse ai kishte njohje të vjetra me shqiptarët dhe të vendoste kontaktet e para. Scheiger-i e pranoi menjëherë detyrën, të cilën e mori personalisht nga Hitleri! Kushti i tij i vetëm ishte që para se të nisej, t’i sigurohej një ngarkesë prej 100 kg kafe dhe 50 litra raki, si dhuratë për bajraktarët e Shqipërisë së Veriut. Ky veprim tregon se, ai ishte vërtet një njohës i mirë i shqiptarëve. Scheiger e realizoi më së miri detyrën e ngarkuar. Pas takimit në Mitrovicë me Xhaferr Devën, Schliep-i shkruan se Deva erdhi menjëherë në Tiranë, i ndjekur prej rreth 1000 burrash, besnikë të tij dhe tregoi se ishte një shërbëtor i denjë i politikës pushtuese gjermane.
Pas rikthimit të Scheiger-it në Tiranë, Schliep konstatoi se, Scheigeri, i cili më parë kishte qenë antinacionalsocialist, mesa duket nga takimi personal që kishte patur me Hitlerin, tashmë ishte pozicionuar shumë më pozitivisht ndaj Nacionasocializmit. “Gjithsesi ky qëndrim nuk do të ishte asnjëherë bezdisës. Si edhe më parë, ai mbeti një këshilltar i mirë”, shkruan konsulli Schliep.
Pas formimit të qeverisë së Rexhep Mitrovicës, Këshilli i Regjencës i kërkoi qeverisë gjermane të ndërhynte te shtetet e saj aleate, për t’i bindur ato që të njihnin pavarësinë e Shqipërisë. Si fillim, qeveria shqiptare kërkoi që niveli i përfaqësimit diplomatik, si në Berlin ashtu edhe në Tiranë, të ishte i nivelit të legatës. I ngarkuari me punë i qeverisë shqiptare në Berlin u emërua Rrok Gera, ndonëse përfaqësia shqiptare në Berlin nuk u hap kurrë. Kjo ishte një shenjë e qartë se, Berlini, nuk e merrte shumë seriozisht pavarësinë e Shqipërisë. Gjithsesi, më 27 korrik 1944, qeveria gjermane e gradoi Schliep-in Diplomat të Klasit I-rë. Më 28 dhjetor 1943 ai ishte emëruar Konsull i Përgjithshëm sepse parardhësi i tij Peter Pfeiffer (Peter Pfajfer) i kishte kërkuar Berlinit ngritjen e përfaqësisë në një nivel më të lartë diplomatik, duke e argumentuar këtë me bashkimin e territoreve të Kosovës nën administrimin e qeverisë së Tiranës. Kështu që, më 11 qershor 1944, konsullata e përgjithshme u shndërrua në legatë.
Me përkeqësimin e situatës ushtarake të ushtrisë gjermane në gjithë frontet, dhënien e urdhrit përfundimtar për lëshimin e Greqisë dhe Shqipërisë më 3 tetor 1944, intensifikimin e luftës së Ushtrisë Nacionalçlirimtare kundër Wehrmacht-it gjerman, në raportet e të cilit tashmë nuk raportohet më me termin e përgjithshëm “banditët” por me emërtime konkrete si brigada e parë partizane, divizioni i parë partizan etj., por edhe si pasojë e dështimit të qeverive shqiptare progjermane, Schliep-i arriti në përfundimin se, qëndrimi i tij në Tiranë ishte i pavlefshëm. Ministria e jashtme gjermane urdhëroi largimin e tij dhe ai së bashku me Scheiger-in u largua nga Tirana drejt Vjenës me avionin e fundit, duke gdhirë 17 tetori i vitit 1944. Bashkëpunëtorët e tij, këshilltari Lippert, konsulli Merfels dhe kanzelari Wegener ishin larguar që më parë nga Tirana.
Përveç raporteve të shumtë për situatën politike në Shqipëri, të cilat i dërgonte në Berlin dhe në Romë – çka përbën një ndihmë mjaft të madhe për studiuesit e sotëm – një nga sukseset e tij mund të konsiderohet ndalimi i arrestimit të hebrenjve në Shqipëri: “ Unë ndërhyra pas arrestimeve të paratë hebrenjve dhe mundësova lirimin e tyre. Prej kësaj kohe hebrenjtë nuk u përndoqën më”, shkruan ai në vitin 1963 në kujtimet e tij.
Para se të largohej nga Tirana, Schliep kishte rënë dakort me këshilltarin e administratës ushtarake të komandës së Tiranës Schultze-Waltrop (Shulce Valtrop) që ai të merrte nën kujdestari godinën e legatës dhe sendet e tija personale, që ndodheshin në të. Schultze-Waltrop-i duhej që çelësin e vilës t’ja dorëzonte zonjës Çelo, vajzës së Mehdi Frashërit, të zotit të shtëpisë, e cila më pas duhej të banonte aty. Gjithsesi kjo gjë nuk ndodhi. Që ditën tjetër, pasi Schliep u largua nga Tirana, komanda e qytetit urdhëroi shndërrimin e vilës në godinë banimi dhe kazino oficerësh për komandantin e një njësie të Wehrmacht-it që sapo mbërriti në Tiranë.
Pas lufte vila u konfiskua nga shteti. Deri në shtator 1990 ajo u përdor si Ambasadë e Republikës Demokratike Gjermane.
***
Në vitet 1923-1944 Rajhu gjerman nuk kishte ndonjë marrëdhënie të veçantë politike dhe ekonomike me Shqipërinë. Një tregues për këtë është edhe shndërrimi i shpeshtë i përfaqësisë diplomatike nga konsullatë, në legatë, konsullatë të përgjithshme, përsëri konsullatë etj.
Edhe tentativat e Zogut për një afrim me Gjermaninë – sidomos në mesin e viteve 1930, me qëllim balancimin e marrëdhënieve italo-shqiptare – nuk rezultuan të suksesshme. Në historiografinë shqiptare shpesh përmendet mbështetja që nacionasocializmi i bëri politikës ekspansioniste italiane ndaj Shqipërisë. Gjithsesi, kjo është vetëm një e vërtetë e pjesshme. Që prej vitit 1922, kur u mor vendimi për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë, Berlini u kujdes që ky veprim të mos dëmtonte interesat italiane në Shqipëri. De facto, politika gjermane e shikonte Shqipërinë si zonë influence të Italisë, shumë kohë më parë se Hitleri të vinte në pushtet. Ministrisë së jashtme gjermane ju tha për herë të parë në vitin 1943 të merrej seriozisht me Shqipërinë, kur për arsye të mirëfillta ushtarake, Wehrmacht-i gjerman pushtoi Shqipërinë.