Në muajt mars/prill 1999 forcat pushtuese serbe kishin intensifikuar dhunën mbi popullatën shqiptare të Kosovës në shenjë hakmarrje ndaj bombardimeve të NATOS. Epilogu i kësaj dhune ishin disa masakra ku jetën e humbën disa mijëra qytetarë të pafajshëm
Sot bëhen 22 vjet nga masakra e Izbicës, ku më 28 mars 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe, pas rrethimit të mijëra civilëve të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth, veçuan 147 burra të rinj dhe pleq, të cilët i vranë dhe i masakruan, ndërsa pjesën tjetër e dëbuan jashtë Kosovës.
Masakra e Izbicës hyn në radhën e krimeve më të rënda të shtetit të Serbisë, ku vrasja masive, përdhosja e trupave dhe varrimi i tyre, përmes pamjeve satelitore, u bë lajm botëror.
Sot 22 vjet pas këtij krimi askush nga autorët dhe ekzekutuesit serbë nuk doli para drejtësisë vendore dhe asaj ndërkombëtare.
Komuna e Skenderajt në bashkëpunim me Shoqatat e dala nga lufta e UCëK-së, po organizojnë homazhe për nder të 22 vjetorit të kësaj masakre.
U.d Presidenti i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, sot ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Izbicë. Ai ka theksuar se për këtë masakër “duhet të mbahet përgjegjës shteti serb”.
Ai më tej ka thënë se: “nuk ka ditë në Kosovë e cila të mos jetë data e përvjetorit të vrasjes së shqiptarëve prej Serbisë, edhe nuk javë të vitit në të cilën të mos jetë java e përvjetorit të ndonjë masakre në Kosovë, e cila është shkaktuar prej Serbisë gjatë luftës së viteve 98-99 në vendin tonë”.
Sipas u.d. Presidentit Konjufca, kjo tregon për të vërtetën e përmasës së gjenocidit që e ka bërë Serbia në Kosovë nëpërmjet ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve të saj.
U.d. Presidenti Konjufca ka theksuar se deri tash familjarët e martirëve të cilët janë vrarë nga Serbia nuk e kanë gjetur drejtësinë.
“Është detyrë e institucioneve tona dhe e secilit prej nesh që i përfaqësojmë ato që të punojmë pa u ndalë, ashtu që e vërteta dhe drejtësia të vjen në vend”, ka thënë ai.
U.d Presidenti i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se duke i parë këto masakra në përvjetorët e tyre kjo na bën edhe më të vendosur neve si përfaqësues të institucioneve që të mos bëjmë kurrfarë kompromisi me themelet e shtetësisë tonë në bazën e të cilës ndodhet gjaku i martirëve tonë dhe i dëshmorëve të kombit.
Në 22-vjetorin e masakrës së Izbicës, kandidatja për presidente Vjosa Osmani, ka kërkuar drejtësi për vajzën 6-muajshe Dafinën, e vrarë nga forcat serbe.
“Eshtrat e Dafina Qelajt janë gjetur në varrezën masive të Petrovo Selos në Serbi më 2017. Në po të njëjtin vit, ajo është rivarrosur në varrezat e Izbicës”, shkruan Osmani.
Postimi i saj i plotë:
Drejtësi për Dafinën 6-muajshe!
Sot bëhen 22 vjet nga masakra e Izbicës, kur forcat ushtarake e policore të regjimit gjenocidal të Serbisë, vranë një vajzë gjashtë muajshe dhe 146 djem e burra.
Eshtrat e Dafina Qelajt janë gjetur në varrezën masive të Petrovo Selos në Serbi më 2017. Në po të njëjtin vit, ajo është rivarrosur në varrezat e Izbicës.
Historia e Dafinës nuk është vetëm e saj. Është edhe e mbi njëmijë fëmijëve të vrarë në luftën e Kosovës, nga të cilët 109 ende rezultojnë të zhdukur.
Kjo histori është dhimbja jonë. Në çdo 28 mars, kujtimi për këta njerëz që u privuan nga jeta vetëm pse ishin shqiptarë është rikujtim për adresim të përgjegjësisë së kryerësve, është thirrje për drejtësi, është kujtesë historike dhe personifikim i mbijetesës!
Në dekadën e dytë që prej se jemi të lirë, duhet të reflektojmë për rrugën që kemi kaluar, sepse Masakra e Izbicës është dëshmia para së cilës duhet të përkulemi të gjithë dhe para së cilës duhet marrim forcën për të thënë dhe kërkuar të drejtësinë.
E mbi të gjitha drejtësi për Dafinën!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për të rënët në Masakrën e Izbicës!
Gjithashtu, Ushtruesi i detyrës së Presidentit, njëherësh edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka përkujtuar Masakrën e familjes Bogujevci në Duriq të Podujevës.
Konjufca ka thënë se nuk do ta harrojnë kurrë krimet e Serbisë që janë bërë ndaj popullit të Kosovës gjatë luftës së fundit.
“Masakra ndaj familjes Bogujevci, në të cilën shumica e të vrarëve janë fëmijë dhe gra, tregon mizorinë e pashembullt të Serbisë dhe përmasat e gjenocidit që kanë bërë ndaj popullit tonë, ndaj kombit tonë duke mos i kursyer as foshnjat, as gratë, as fëmijët dhe as pleqtë. Për shkak të kësaj dhe këtij pikëllimi që kurrë nuk do të na largohet, kjo na bënë më të vendosur deri në fund t’i shkojmë drejtësisë dhe ta kërkojmë deri në fund pa pushim”.
“Zemrat e juaja dhe martirët që i kemi humbur mund të prehen të qetë vetëm atëherë kur drejtësia të vjen në vend. Lavdi, familjes Bogujevci, familjes Duriqi dhe të gjithë martirëve dhe dëshmorëve të kombit që kanë rënë”, ka thënë Konjufca, gjatë homazheve që ka bërë tek familja Bogujevci.
Përkundër krimeve në Kosovës, ende Serbia nuk është përgjigjur për këtë krime të bëra. Po ashtu, shteti i Kosovës nuk e ka paditur Serbinë për këtë krime.