Sot po mbahet Forumi i 16 -të Strategjik i Bledit, tema kryesore e të cilit është e ardhmja e Evropës. Kryeministri shqiptar Edi Rama ka mbërritur gjithashtu në Bled për të marrë pjesë në forum duke u pritur nga homologu i tij slloven, Janez Janša dhe ministri i Punëve të Jashtme, Anže Logar.
Teksa parakalonte, Rama zgjodhi që të mos jepte asnjë koment për mediat, të cilat kërkuan prononcim nga ai. Ndryshe nga Rama, kreu i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti deklaroi se pret që takimi i ardhshëm i negociatorëve kryesore në kuadër të dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës të mbahet në vjeshtë.
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në lidhje me hapat e mëtejmë të procesit të dialogut.
Lajçak në një deklaratë për agjencinë “Tanjug”, ka thënë se “duhet të përgatitet takimi i bashkëbiseduesve kryesorë”.
Diplomati sllovak do të takojë dy krerët e shteteve në kuadër të Forumit Strategjik, që sot ka nisur në Bled të Sllovenisë.
Lajçak nuk ka dashur të komentojë deklaratat e fundit të njëres dhe palës tjetër.
“Për këtë duhet t’i pyesni ata, duhet të fokusohemi në substancë, pasi në terren po ndodhin vazhdimisht gjëra të reja”, tha Lajçak.
Në forumin dedikuart të ardhmes së Evropës marrin pjesë gjithashtu presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, si dhe Komisioneri për Zgjerimit, Oliver Varhelyi. Rreth 170 panelistë nga e gjithë bota do të diskutojnë aspekte të ndryshme të së ardhmes së Evropës, ku përparësi ka procesi i zgjerimit dhe menaxhimi i pandemisë së koronavirusit.
-
Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Bled të Sllovenisë për të marrë pjesë në forumin që do të mbahet me zyrtarë të tjerë të rajonit dhe jo vetëm. Para nisjes së forumit, Rama ka shpërndarë një fotot me homologun e tij slloven, Janez Janša.
“Bled, Slloveni – Në Bled Strategic Forum për të ardhmen e Europës,”-shkruan Rama në postimin që ka shpërndarë në rrjetet e tij sociale.