Gazetën Dielli të 17 Marsit 1965, e mërkurë , shkruante: Njeriu që përfaqësoi racën shqiptare si kryetar Fetar, si shkrimtar, si studiues, si poet, si udhëheqës, nuk është më.Ati i shqiptarëve, që kishte personifikuar të gjithë gjërat e shenjta të gjakut e të traditave shqiptare, vdiq me 13 Mars 1965 në momentin më të vështirë për komunitetin shqiptar në Amerikë dhe në tërë Botën e Lirë si dhe për shqiptarët në Shqipëri.
NGA DALIP GRECA
Shenjat ishin dhënë më herët. Edhe ai ishte vdekshëm si gjithë të tjerët. Jeta e Imzot Nolit kishte marrë goditje në vjeshtën e vitit 1964. Më 2 Nëntor u operua. Mjekët kur e hapën panë se brenda ishte shfaqur e keqja, sëmundja kanceroze që do t’i merrte jetën. E mbyllën sakaq. Pas 2 javësh doli nga spitali. Më 20 Dhjetor u nis drejt shtëpisë dimrore që ia kishte blerë Vatra dhe Kisha në Florida. Atje, nën diellin e Floridës do t’i shtynte çastet e fundit të jetës. U shua më 13 mars, në orën 11 të ditës, kur Meri Xhons e kishte nxjerrë në kopësht për të marrë rrezet e diellit të ngrohtë. Por gjithçka mbaroi aty. Ai u shua. Lajmi tronditës është përcjellë në Gazetën Dielli të 17 Marsit 1965, e mërkurë me titullin: Shqiptarë a e dëgjuat?
IMZOT NOLI NUK ËSHTË MË MES NESH!
Në komentin hyrës shkruhej me shkronja të zeza: Njeriu që përfaqësoi racën shqiptare si kryetar Fetar, si shkrimtar, si studiues, si poet, si udhëheqës, nuk është më.Ati i shqiptarëve, që kishte personifikuar të gjithë gjërat e shenjta të gjakut e të traditave shqiptare, vdiq me 13 Mars 1965 në momentin më të vështirë për komunitetin shqiptar në Amerikë dhe në tërë Botën e Lirë si dhe për shqiptarët në Shqipëri. Vatra e shqiptarëve të pastër përulet përpara trupit të kryetarit të saj të djeshëm dhe të sotshëm dhe i puth ato duar të bekuara, që lartësuan Kombin shqiptar dhe Vatrën tonë.
Komisioni i Vatrës urdhëroi 40 ditë zije për të gjithë vatranët për humbjen e prijësit shpirtëror. Përmes lotëve ata ngushëlluan njëri-tjetrin dhe pranë arkivolit të Atit të Kombit vajtuan: Pusho në Paqe, At i dashur! Sa të rrojë raca shqiptare, aq do të rrosh dhe Ti në zemrat e popullit shqiptar. Vatra do të qajë me lot, por edhe do të mburret në çdo kohë, që pati fatin të ketë si Atë, si themelonjës, si prijës, TY- Atin Shqiptarëve!
Në kohëndarjen nga jeta të atij që editoi i pari Diellin, Gazeta e Vatrës kishte për editor Athanas Gegën, një diejtar i kohës, një nacionalist antikomunist ndër më të betuarit, ndërsa kryetar i Vatrës ishte James Thanas.
Në faqen e parë të Gazetës DIELLI publikohej shkrimi i Editorit Gegaj:VATRANË: VDIQ ATI YNË!, ndërsa kryetari i Vatrës në të njëjtën faqe botonte përcjelljen zyrtare të lajmit tronditës:VDIQ ATI I TË GJITHË SHQIPTARËVE. Po në faqen e parë të Diellit, botohej edhe shkrimi”VATRA NË ZI”, një shënim shpirtëror i Antoni Athanans në gjuhën angleze, një esse nga Peter D. Peterson, si dhe mesazhe nga personalitete të botës shqiptare dhe të huaj.
VATRA E MORI LAJMIN TË NESËRMEN
Drejtuesit e Vatrës e kishin marrë lajmin e hidhur, të nesërmen e vdekjes, me 14 mars, ndërkohë që ishin në mbledhjen e bordit. Nga rekordet e Vatrës sjellim reagimin: I hidhëruar thellsisht nga kjo humbje e madhe, Komisioni ndërpreu rendin e ditës, mbajti një minut heshtje dhe më pas filloi nga përgatitjet për përcjelljen e Atit shpirtëror. Vendimi: I gjithë numri i Diellit do t’i kushtohej Nolit!Numri u përgatit në një kohë rekord: U punua të dielën, të hënën, të martën u dërgua në shtypshkronjë dhe u shpërnda të mërkurën. Të gjitha degëve iu përcoll me telefon e telegrame lajmi i vdekjes dhe botimi i Diellit. Ky edicion, që pati dhe një ribotim, u dërgua në të gjitha kolonitë shqiptare edhe në Europë e Australi.
LAMTUMIRË KRYEZOT!
Vdekja e imzot Nolit i pikëlloi thellë shqiptarët e Amerikës. Kryetari i Vatrës shkruante:”Ati i të gjithë shqiptarëve, kryetari ynë shpirtëror, u nda nga ne e na la të shkretë dhe të varfër. Me vdekjen e Tij mbyllet një kapitull i historisë shqiptare, sepse ne humbëm udhëheqësin tonë dhe themelonjësin e Kishës Kombëtare, Federatës Vatra, si dhe të parin prift shqiptar e të parin editor të Diellit. Kryezot dhe metropolit i Kishës sonë, burrë shteti, diplomat,shkrimtar i mbaruar, theolog, muzikant, orator i shquar, poet, studiues i çështjeve shqiptare.
Lamtumirë o Kryezot!
Lamtumirë Ati Ynë, vendin që leni bosh është e vështirë dhe e pamundur ta zërë ndonjë tjetër. Lamtumirë At, se po vete të shlodhesh nga puna e gjatë dhe nga zhurma e kësaj Bote duke u çliruar nga vargonjtë e kësaj jete dhe nga pamarrveshjet që ngjajnë në çdo shoqëri njerëzore. Po ndarja jote, na shqetësoi shumë e na la të shkretë. E të kërkojmë ndjesë se si bijtë e tu nuk e kemi bërë përherë detyrën tonë.
Veprat tuaja, At i dashur, do të çmohen më tepër paskëtaj. Është shumë zor që ta gëlltitim këtë hidhërim, se jemi në mes të valëve dhe s’ka kush të na dërgojë më, të na japë Këshilla për problemet e vështira, që kemi përpara. Ju keni qenë shtylla e fortë ku mbështetej i tërë komuniteti ynë, ju keni qenë shtylla jonë, dhe e popullit shqiptar.
Lamtumirë, o Ati ynë, se ti e kreve punën si një nga njerëzit më të përsosur të racës dhe gjakut shqiptar: Well done! We Will miss You very much!
Çlodhu në qetësi!
“Fortesa e Shqiptarizmës u përmbys”-Kështu e qau ikjen e Noli, dishepulli i tij, editor për 18 vjet i gazetës Dielli,sekretari i Vatrës Qerim Panariti.
UDHËTIMI I FUNDIT NGA FLORIDA NË BOSTON
Noli u shua me 13 Mars. Trupi i Hirësisë së Tij udhëtoi nga Miami i Floridës drejt Bostonit më 15 Mars.Shoqëruesi i tij në udhëtimin mortor drejt Bostonit ishte Geri Riska.Po atë ditë, pra të Hënën e 15 Marsit, në orën 3 e 30 minuta arriti në aeroportin e Bostonit. Vatra dërgoi në aeroport që ta prisnin arkivolin: anëtarin e Bordit të saj z. Anthony Athanas, Barny Kirka-arkëtar i Vatrës, dhe Peter Chikos, Mangar i Diellit. Arkivoli me trupin e Imzot Noli nga aeroporti u dërgua në Funeral Home, ku e veshën me rrobat peshkopale. Me 16 Mars arkivoli u dërgua në Kryekishën e Shën Gjergjit. Trupi u ekspozua për vizitorët në mjedisët e KryeKishës së Shëngjergjit me 17, 18, 19 Mars 1965. Shqiptarët e shumtë që kishin ardhë edhe nga kontinete të largët, përuleshin me nderim para arkivolit dhe qanin me lot të nxehtë ikjen e prijësit. Drejtuesit e Vatrës i shprehën ngushëllimet para arkivolit të kryetarit të tyre, të mërkurën e 17 Marsit.
Editori Athanas Gegaj shkruante:”I veshur me rrobat e praruara episkopale, i mbuluar me Flamurin Kombëtar, …Ai dukej se po flinte gjumin e përjetshëm.Fytyra si në bronx, e zbehtë, pa shumë rudha.” Mbi arkivolin e Nolit u përulën mbi 5 mijë shqiptarë.
PËRCJELLJA NGA KRERËT FETARË
Lamtumirën ia dhanë me lutje e fjalime të zjarrta Ikonom Sokrat Sotiri, i cili foli në gjuhën shqipe dhe Atë Sotir Dilogjika në gjuhën angleze.
Në Kishën e Shëngjergjit u organizuan ceremonitë e rastit. Krerët fetarë nuk i kursyen vlerësimet dhe lutjet. Imam Vehbi Ismaili, e cilësoi ikjen e Nolit si një fatekqësi, që goditi gjithë koloninë shqiptaro-amerikane, e mbarë popullin shqiptar, pse me këtë fatkeqësi shqiptarët humbën frymëzuesin e parë të ndjenjave kombëtare, udhëheqësin dhe Kryemësuesin e të gjitha Lëvizjeve Patriotike, fetare e kulturore në këtë vend të bekuar. Me këtë humbje, tha ai, shuhet një kandil që ndriçoi dhe udhëhoqi me sukses Lëvizjen e madhe kombëtare në SHBA.
Dijetari tjetër fetar, Baba Rexhepi, e konsideroi Nolin si një pishtar që ndriçoi botën shqiptare për gjysëm shekulli, njeriu që krijoi Atdhe, aty ku s’pat, këtu në Amerikë. Me ikjen e Nolit,tha ai, fiket një pishtar i ndritun që për më se një gjysmë shekulli i dha dritë botërisht Atdheut të largët me pendën e tij fatlume në lami të ndryshme të diturisë. Emigracioni shqiptar, i hershëm dhe i ri, humbi pionierin që u mundua dhe ia doli më së miri për të krijuar Atdhe aty ku s’pat. Në Amerikë Imzoti, mbas përpjekjeve të tij politike, me suskes e pa sukses- të kohës së rinisë,e zhvilloi veprimtarinë e vet të shumanshme në lëmin e diturisë, që spikati në tre drejtime kryesore: Histori, Liturgji dhe Muzikë. Por ajo që do ta bëjë të pavdekshëm Imzot Nolin në Historinë e hershme dhe të vonë të Diasporës shqiptare, është krijimi mes vështirësive i Kishës Orthodokse Metropolitane Shqiptare në Amerikë: Luftë nga të Huajtë dhe moskuptim nga të vetët!
Monsinjor Zef Oroshi, shkruante në ngushëllimin përcjellës:” Me rastin e humbjes së pazëvendësueshme të Metropolitit të Madh, dëshiroj t’u parqes bashkëvllaznve Orthodoks të Amerikës, në emën të Grupit Katolik Shqiptar- teksa të formuem, dhe timin personal, përdhimtuninat ma të thellat e ma të ndieshmet, njëheri tue i lutë Zotit të gjithëpushtetshëm, që t’i ndrisi Për zgjedhjen e Pas-Ardhsit dhe vijimin e veprës së pavdekshme të Metropolitit Fan Stylian Nolit: Për Fe e Atdhe!-R.I.P
At. Dr. Zef Oroshi.