Me çka do të na befasoj kësaj radhe Vuçiqi në Washington?

Fatbardhësisht në tre shtete sot kemi tre ministra shqiptarë të Punëve të Jashtme, të cilët lehtësisht do të mund t’ia merrni topin nga këmbët Vuçiqit dhe të japin gol para tij. Pra, edhe këta kryediplomat shqiptarë do të mund të jenë një hap para Vuçiqit në dënimin e Hezbollahut, bie fjala, si organizatë terroriste, duke demonstruar edhe njëherë fuqishëm se përcaktimi Oksidental i shqiptarëve është vet ADN-ja e tyre identitare gjeokulturore.

Nga Emin AZEMI

Politika serbe nuk bën asnjë hap të rastësishëm. Kjo është vërejtur gjatë gjithë historisë. Tash së fundmi, kjo politikë po i shfrytëzon të gjitha rastet të dëshmojë se e vërteta (historike dhe aktuale) është në anën e saj.

Si dhe çysh tingëllon e vërteta serbe, këtë të gjithë e dinë, por atë që nuk e dinë janë një pjesë e poltikanëve shqiptarë, të cilët në takimet ndërkombëtare shkojnë të papërgatitur, ndërkohë që Serbia nxjerr argumente edhe nga naftalina vetëm e vetëm për të konfirmuar teza e hipoteza që i shkojnë për shtati mendësisë së saj politike.

Në dy raste, gjatë qëndrimit të tij në Washington, presidenti serb Aleksandar Viçiq, bëri propagandë për shtetin dhe kombin e tij.

Herën e parë duke mbajtur një ekspoze patetike mbi rishikimin e politikës zyrtare serbe ndaj çështjes Hebreje, duke vënë nën kujdesin shtetëror të gjitha asetet dhe kujtimet që lidhen me komunitetin Hebre në territorin e Serbisë.

Me këtë retorikë, Viçiqi ua bëri me dije tërthorazi amerikanëve se Serbia demek gjithmonë ka qenë në anën e duhur të historisë, ndonëse faktet flasin se përveç shqiptarëve asnjë popull tjetër i Ballkanit nuk iu ndihmoi Hebrenjëve gjatë LDB.

Herën e dytë, po në Washington, Serbia demonstroi, gjoja krejt spontanisht, një paraqitje të njëanshme të realitetit kulturoror-historik në Kosovë, teksa në prapavijë, krejt ‘rastësisht’,  u fiksua një libër mbi kishat dhe manastiret në Kosovë që ishte vendosur në tavolinën e bisedimeve në Ambasadën serbe në Washington.

Po kësaj radhe, çka do të nxjerr nga mënga Vuçiqi? Me çafrë karamele do t’i joshë diplomatët amerikanë në Washington?

Ka të ngjarë, që ai edhe kësaj radhe të tregohet “më katolik se Papa”, duke treguar, bie fjala, një gatishmëri titanike për të “gjykuar veprimet terroriste të Hezbollahut”.

Mund edhe të mos ndodhë kjo, por nga Beogradi zyrtar gjithçka është e pritshme kur janë në pyetje zonat e gjelbra të banuara në Ballkan”, ku “shqiptarët myslimanë” duhet të prezantohen në një dioptri sa më të errët.

Myslimanizmi i shqiptarëve edhe kësaj radhe mund të përdoret nga falanga propagandistike e Vuçiqit për të relativizuar rolin e Kosovës në bisedimet e Washingtonit, sepse kjo është mënyra më e mirë, sipas Beogradit zyrtar, që të gjitha rrufetë të bien mbi një cak: të dobësohet sa më tepër pozicioni i Kosovës në këto bisedime dhe për pasojë Serbia të të rikthejë terrenin e humbur në betejat diplomatike në Perëndim.

Prandaj dalja me një deklaratë bombastike e Vuçiqit se e dënon Hezbullahun, mund t’i shërbejë atij si kalë beteje në turin e ardhshëm diplomatik, ku Serbia po pret ropozicionim të ri gjepolitik, në saje të standardeve të dyfishta që po mban: mirë me Perëndimin (BE dhe Washingtoni), por edhe më mirë me Moskën.

Sigurisht që faktori politik shqiptar në Ballkan me kohë që i ka dekoduar këto kauza falce serbe, por kjo nuk mjafton për të ndërtuar një qëndrim. Qëndrimi i vetëm është djegia e kartave që aktualisht po  mban në duar Vuçiqi, i cili po mundohet të njollosë imazhin e shqiptarëve me gogolin e myslimanizmit.
Fatbardhësisht në tre shtete sot kemi tre ministra shqiptarë të Punëve të Jashtme, të cilët lehtësisht do të mund t’ia merrni topin nga këmbët Vuçiqit dhe të japin gol para tij. Pra, edhe këta kryediplomat shqiptarë do të mund të jenë një hap para Vuçiqit në dënimin e Hezbollahut, bie fjala, si organizatë terroriste, duke demonstruar edhe njëherë fuqishëm se orientimi shekullor Oksidental i shqiptarëve është vet ADN-ja e tyre identitare gjeokulturore.

Leave a Comment

Your email address will not be published.