Më e madhe se karrierat e politikanëve, është çështja e Kosovës

Secila parti që vjen në pushtet mundohet ta ndërtojë narrativin e vet mbi procesin e shtetndërtimit të Kosovës dhe kjo ka ndikuar që të humb sensi i traditës dhe i kontinuitetitit të këtij procesi

Shkruan Mehmet Prishtina

Sot kur po kremtojmë 15 vjetorin  e Pavarësisë së shtetit të Kosovës, pak kujt i ka shkuar ndërmend se mbi qiellin e atdheut tonë sërish do të paraqiten mjegulla të cilat do ta bënin disi konfuze ecjen tonë si shtet dhe si shoqëri. Kemi ngritur institucione, kemi ndërtuar infrastrukturë, kemi integruar brenda nesh shumë atribute shtetërore, por nuk kemi aritur të krijojmë një strategji të mirëfillt shtetërore e cila do t’iu përgjigjej të gjitha pritave që ngre koha. Dhe kur jemi te koha, ajo nuk matet vetëm me akrepat e orës, por edhe me tiktakun e veprimeve tona shtetndërtuese. Kjo madje është mirë të thuhet pikërisht në këtë 15 vjetor të Pavarësisë së shtetit tonë, sidomos tani kur nuk e kemi një doktrinë të përbashkët shtetërore e cila do t’i mbronte interesat tona nacionale në çfarëdo kohe e rrethane.
Nëse i referohemi rrjedhave aktuala nëpër të cilat po kalon Kosova, do të vërejmë një diskordancë të palejueshme në mes të pushtetit dhe opozitës, në mes të asaj çka nënkupton moment aktual dhe taktizime politike, në mes të unitetit kombëtar dhe politikave partiake etj.
Në demokracitë parlamentare gjithçka është e lejueshme brenda debatit konstruktiv, por kur një debat nuk jep përgjigje kreative pë të dalë nga një situatë e palakmueshme, atëherë sigurisht që nuk është diçka në rregull me atë debat. Atij debati, ose i mungon sinqeriteti, ose vetkritika, ose të gjtha ngapak.
Në radhë të parë, nuk është në rregull me mënyrën se si politikanët tanë iu qasen problemeve, sepse fitohet përshtypja se më e madhe se çështja e Kosovës, janë fatet e karrierave të tyre politike.
Pastaj, fuqia mobilizuese e shoqërisë kosovare ende kalon vetëm  nëpër kapilarët partiakë dhe për rrjedhojë ne sot nuk e kemi një reagim popullor, bie fjala, ndaj çështjes së Asociacionit të komunave serbe, apo një dokument akademik që shtron në mënyrë shkencore argumentet pro dhe kundër kësaj çështjeje.
E treta, secila parti që vjen në pushtet mundohet ta ndërtojë narrativin e vet mbi procesin e shtetndërtimit të Kosovës dhe kjo ka ndikuar që të humbë sensi i traditës dhe i kontinuitetitit të këtij procesi.

Kur të bëhen bashkë të gjitha këto anomali, nxjerrin si produkt final një ekzaminim socio-politik të shoqërisë sonë e cila ende vuan pasojat e mosrregullimit të statusit të vitkimës së luftës, sepse politikanët tanë gabimisht e kanë përjashtuar komponentën viktimizuese të popullit. Për pasojë ne ende nuk e kemi një Institut apo Muze të gjenocidit mbi popullin tonë. Ne ende nuk e kemi një aktakuzë të plotë që e ka firmën e shtetit të Kosovës kundër Serbisë për gjenocid  ndaj popullit shqiptar.

Është detyrë e shtetit të bashkëpunojë me opozitën, me ekspertët dhe shoqërinë  civile që të evidentojë dhe sistemojë krimet serbe mbi shqiptarët, kurse detyrë e intelektualëve, akademikëve, kineastëve  është të shkruajnë në gjuhë të huaja libra dhe të xhirojnë filma mbi barbaritë serbe në Kosovë.

Kush ua ka ndaluar gjithë këtyre të merren secili në fushën e vet me vënien e Serbisë në shtyllën e turpit për krejt ato maskra, dhunime, djegie  e plaçkitje në Kosovës?!

Ka  pasur jo pak popuj në botë që nuk janë bërë shtet, prandaj ne duhet të jemi me fat që sakrificat për shetndërtim nuk na shkuan huq. Duhet të jemi me fat që patëm edhe miqë që na ndihmuan në rugëtimin tonë drejt pavarësisë, duke veçuar me këtë rast sidomos miqësinë me Amerikën, e cila u dëshmua se është aleatja më e sigurt e popullit tonë.
Tani kur po shënojmë këtë bilanc të pavarësisë, Kosova ndodhet sërish para sfidave të reja për të na kthyer në kohë të vjetra. Sërish Kosova është e kërcënuar nga idetë famëkeqe për ta bërë atë shtet sa më jofunksional. Prandaj, më tepër se kurdo herë më parë, tani na nevojitet një mirëkuptim brendakombëtar  dhe një tejkalim i kapricioziteteve  personale për të refuzuar këto ide sot, sa s’është bërë vonë nesër.
Megjithatë, Kosova meriton më shumë përkushtim dhe më shumë dashuri, në mënyrë që e ardhmja e saj të jetë më kuptimplote në të gjitha aspektet.

Prishtinë, 17. 02. 2023

Leave a Comment

Your email address will not be published.