Memli Krasniqi zgjidhet në krye të PDK-së

Memli Krasniqi është zgjedhur sot kryetari i ri i Partisë Demokratike të Kosovës. Në votim morën pjesë 476 delegatë, ku 7 ishin kundër dhe 1 abstenoi. Krasniqi ishte kandidati i vetëm për kryetar të PDK-së. Krasniqi fill pas fitores falënderoi për mundësinë dhe i ndërgjegjshëm për barrën e përgjegjësisë që do ta merr si i pari i partisë. 

Pas zgjedhjes së kryetarit të ri, Partia Demokratike e Kosovës e ka miratuar një deklaratë politike e cila përmban 23 pika. Në njoftimin e PDK-së thuhet se përmes kësaj deklarate, PDK-ja shpreh krenarinë për origjinën e saj politike që buron nga kauza për çlirimin e vendit dhe lufta e drejtë dhe e pastër e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“PDK-ja me lidershipin e ri, do të reformohet për të avancuar agjendën politike në drejtim të ballafaqimit me pushtetin e papërgjegjshëm dhe keqqeverisjen aktuale. Ajo synon të nxisë mobilizimin politik ku së bashku me qytetarët, të kufizojë qeverisjen e dëmshme dhe ta rikthejë qeverisjen e zhvillimit, emancipimit, dinjitetit dhe integrimit”, thuhet në njoftim.

Krasniqi ka thënë në një konferencë për media pas zgjedhjes në krye të partisë, se do të jenë kritikë por jo pengues, në korrektim, të siç ka thënë, qeverisjes aktuale apatike.

“Opozitarizmin tonë do ta kemi aktiv, jo destruktiv. Kritikë por jo pengues, në funksion të korrektimit të kësaj qeverie krejtësisht apatike e cila ka treguar saktë se çfarë qeverie është në këto 100 ditë. Është më e zbehtë dhe më pa rezultate se cilado qeverisje në të kaluarën. Do ta luajmë rolin tonë opozitar në një mënyrë që do të jetë edhe në përputhje me pritjet dhe kërkesat e qytetarëve”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka thënë se shumë shpejtë do ta formojë kryesinë e re të partisë, ndërkohë që ka bërë të ditur se deri më 17 gusht PDK-ja do t’i paraqesë të gjithë kandidatët për asamble për zgjedhjet komunale të 17 tetorit.
Ndryshe, tash e disa muaj, PDK po përballej me mungesën e dy ish udhëheqësve të saj dhe të UÇK-së, Kadri Veselit e Hashim Thaçit, të cilët shënuan një dekadë fitoresh për PDK-në, që nga viti 2007.

Por, në zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti, PDK doli e dyta me 17 %. Ky nuk ishte aspak rezultat i mirë për një parti që për 10 vjet kishte qenë e para me rreth 30%.

Krasniqi rrugëton tash e 17 vjet me PDK-në. Në karrierën e tij politike, ka mbajtur pozita si në parti ashtu edhe në institucionet shtetërore.

. Kujtojmë se Memli Krasniqi ka qenë më herët këngëtar, ndërsa një nga këngët më të njohura të tij është ‘Ushtari i rrugës’, ku ka qenë pjesë e grupit  “Ritmi i rrugës’.

 

 

Leave a Comment

Your email address will not be published.