Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se audio-incizimi i sotëm i publikuar nga gazetari Berat Buzhala, është prerë dhe cunguar dhe se mban interpretime e komente.
Ajo thotë se lidhur me këto, do të ballafaqohet në gjyq me ish-liderin e Listës Serbe dhe gazetarin Berat Buzhala.
“Sot biseda e lëshuar, të cilën e kam dëgjuar para se të vija në studio te ju, për dallim të asaj mbrëmë që e kam dëgju në studio, në kuptimin e përmbajtjes kur kam lexu titujt, e kam kuptu që sot përveç që është e prerë, dmth është e cunguar, gjithashtu përmban edhe interpretime edhe komente të vazhdueshme të Berat Buzhalës, për të cilat ne tash definitivisht do të ballafaqohemi në gjyq. Si e parë e punës është incizimi i pa autorizuar prej Slavko Simiq, si e dytë e punës është mos marrja e asnjë konfirmimi nga unë lidhur me këto incizime nga Berat Buzhala, dhe si e tretë e punës është komentet, nxitja, fyerja dhe cenimi i integritetit e personalitetit tim”, deklaroi Kusari-Lila.
Ajo tha se asnjëherë tjetër nuk ka pasur komunikim me Radoiçiqin, pos atyre tre minutave të cilat i ka konfirmuar edhe vetë.
“Ajo krejt çfarë është duke u propagandu, përfshirë edhe atë material i cili ka dalë për pesë herë, e kontestoj me çdo gjë të mundshme dhe e sfidoj secilin. Unë mund të konfirmoj me krejt vërtetësinë sa është e vërtetë që sonte jam në studio te ti se nuk ka asnjë bisedë tjetër përveç të asaj që e kemi dokumentu ose e kemi konfirmu në fakt atë tre minutshin që e kam dëgju Radoiçiqin duke u anku për hapësirën e ngushtuar nga kryeministri Kurti për të qendru në Kosovë, as edhe një tjetër të vetme”, tha Kusari-Lila.
Deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja, i ka dalë në mbrojtje shefes së Grupit Parlamentar të VV’së, Mimoza Kusari-Lilës, pas publikimit të një audio-incizim ku dëgjohet ajo duke biseduar me deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq, ku ai ia përmend edhe një bisedë që ka bërë me Milan Radojiçiqin – kriminelin serb nga veriu, që gjendet në listën e zezë të Amerikës.
Muja ka goditur opozitën, duke thënë se po tentojnë ta bindin publikun se “LV është njëjtë sikurse ata”.
“Opozita po tenton të thotë që ne që e kemi mundësuar krijimin e LS, i kemi bërë partner kyç në formimin e qeverisë (king-makers), kemi qenë të gatshëm të falim tokë, kemi bërë bashkë biznes, ua kemi toleruar aktivitetet kriminale të udhëheqësve të saj në veri, i kemi amnistuar, kemi qenë të gatshëm që t’ia falim të gjitha krimet, ua kemi largu fletëarrestin kur ka qenë nevoja, jemi njësoj me juve të LV që e keni minimizuar rolin e tyre politik, keni ndaluar projektin e ndarjes së Kosovës, nuk vareni për votave tyre për qeveri, po ua mbyllni rrugës ilegale, laboratoret e drogës e të kriptovalutave, sepse ka dalë një incizim prej Radoijçiqit me plotë insinuata”, ka shkruar Muja.